Dinamo rikthen Faruk Sejdinin si trajner

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2015 | 18:09

Dinamo rikthen Faruk Sejdinin si trajner

sejdiniDINAMO- Faruk Sejdini do të jetë numri një i pankinës së Dinamos, por jo vetëm, edhe drejtor teknik i saj. Ka qenë administratori i bluve, Ismet Saliaj, ai i cili ka prezantuar Sejdinin përpara lojtarëve. Kështu, “Xhaxhi” do të jetë në krye të punëve teknike të bluve, jo vetëm si trajner i parë, por dhe si drejtor teknik. Ashtu siç bëri të ditur dhe vetë Saliaj, atij do t’i besohet e gjithë situata dhe punët e klubit në aspektin teknik, sportiv. Pra, do të jetë i pari në punët e klubit.

Sejdini dje vetëm sa është prezantuar, por nuk ka zhvilluar stërvitje me ekipin. Ndërkohë që ai me të vërtetë do të udhëheqë klubin, por në stërvitje do t’i lërë hapësira ndihmëstrajnerit Rodenc Asllani, por sigurisht nën mbikëqyrjen e tij. Kjo zgjidhje vjen nga drejtuesit blu, pasi situata e ekipit është në gjendje kritike dhe rezultatet po mungojnë. Pas dorëheqjes edhe të trajnerit Dritan Mehmeti, ekipi ra akoma edhe më shumë. Në këtë situatë, drejtuesit e Dinamos negociuan me disa prej trajnerëve të njohur në vend, ku një ndër ta ishte edhe Sejdini. Ardhja në krye të Dinamos të Sejdinit ishte përfolur edhe më parë, por vetëm ditën e djeshme janë konkretizuar gjërat.

Administratori

Administratori Ismet Saliaj, në lidhje me emërimin e Faruk Sejdinit në krye të Dinamos, një emër që e njeh mirë këtë klub ka pohuar: “Mendova të bënim një zgjidhje për Dinamon, pasi Rodenc Asllani është djalë i ri dhe ka nevojë për më shumë eksperiencë. Kështu, mendova që në krye të Dinamos të sillja një figurë madhore, autoritare si profesor Faruk Sejdini. Ai do të jetë në krye të bluve, jo vetëm drejtues për çështjet teknike dhe sportive të ekipit, por dhe në çështjet organizative. Pas situatës jo që po kalojmë ardhjen e Sejdinit e shoh si zgjidhjen më të mirë. Shpresojmë që të rikuperojmë pikë dhe të kemi ecuri sa më të mirë në vazhdim. Unë e konsiderova të domosdoshme prurjen e tij, pasi e shoh që situatat janë shumë emergjente shumë delikate”, ka përfunduar administratori i Dinamos, Ismet Saliaj.

Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"