“Dinamo ka dominuar dhe na ka munguar goli, topi s’ka dashur të hyjë…”, Vanoli: Në Kukës, ndeshja e jetës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 10:32

“Dinamo ka dominuar dhe na ka munguar goli, topi s’ka dashur të hyjë…”, Vanoli: Në Kukës, ndeshja e jetës!

Duhet që Dinamo të fitojë sot në Kukës dhe Egnatia të mundet nga Partizani, në të kundërt blutë bien matematikisht në Kategorinë e Parë. Do të ishte fundi i një sezoni të trazuar te skuadra kryeqytetase, shumë larg pritshmërive të tifozëve, opinionit dhe drejtuesve të klubit. Objektivi ishte titulli dhe më pas Kupat e Europës, por fundi po rezulton krejt i kundërt. Me tre trajnerë dhe një grup të madh futbollistësh, Dinamo nuk ka mundur as të mbijetojë. Trajneri aktual, Rodolfo Vanoli, ka ende besim për të pamundurën. Në intervistën para transfertës së Kukësit, ai ka theksuar për “Panorama Sport” se kjo e sotmja është ndeshja e jetës për Dinamon.

VANOLI

Mister, si është gjendja e skuadrës para ndeshjes me Kukësin?

Gjendja është e mirë, me përjashtim të Simonit, i cili ka bërë një operacion në apandesit. Gjatë mbrëmjes së djeshme (të enjten) nuk u ndie mirë, më pas e çuam në spital, ku kreu dhe operacionin. Gjithçka shkoi mirë dhe dua t’i uroj shërim të shpejtë Simonit. Pjesa tjetër e skuadrës është OK, nuk kemi probleme.

Shumë shanse të humbura nga Dinamo në këto javë të fundit, duke bërë që rënia të jetë shumë pranë…

Po, janë disa ndeshje, ku nuk kemi mundur të marrim dot maksimumin, edhe pse kemi dominuar. Janë disa ndeshje, ku kemi pasur 58% të zotërimit të topit, por nuk jemi shpërblyer për lojën tonë. Skuadra prodhon lojë, por nuk konkretizon në sulm dhe kjo gjë na ka penalizuar, duke humbur pikë të rëndësishme. Kemi dy barazime së fundi, por meritonim të fitonim me Skënderbeun dhe Vllazninë, me rastet që patëm. Edhe me Partizanin apo Teutën, meritonim pikë. E kam thënë edhe herë të tjera se na munguar diçka për të shkuar te fitorja.

Çfarë është ajo diçka që ju ka munguar?

Është finalizimi dhe goli. Nuk dua të fajësoj sulmuesit, sepse janë përpjekur shumë dhe kanë krijuar raste. Në futboll ndodh ndonjëherë që kalon periudha të tilla negative, kur topi nuk hyn. Sulmuesit nuk kanë pasur edhe fat. Ndoshta sezonin e ardhshëm mund të shënojnë secili nga 20 gola dhe uroj të ndodhë kështu.

Çinedu apo edhe ndonjë lojtar tjetër që ka luajtur si zëvendësues, janë dukur me motorë të fikur. Pse?

Nuk kam dëshirë të flas me emra të përveçëm. Kur erdha unë, Çinedu ishte titullar. Unë aktivizoj ata që janë më në formë dhe që i përshtaten futbollit që dua unë. Dua lojtarë aktivë, Çinedu më është dukur i shpërqendruar edhe kur ka luajtur. Disa futbollistë nuk ishin në humor kur unë erdha, por disa prej tyre i kemi fituar dhe për këtë më vjen mirë. Kam parasysh rastin e Imamit, Bakajt dhe ndonjë tjetri.

Në Kukës do të jetë shumë e vështirë, pasi rivali luan për Europën dhe s’mund të gabojë…

Edhe për ne është e njëjta gjë, është ndeshja e jetës për Dinamon. Kemi edhe një fije shprese ende nëse fitojmë ndaj Kukësit. Do t’ia bëjmë shërbimin ndeshjes. Ata kanë objektivat e tyre dhe kuptohet që do të jetë e vështirë, por ne do të përpiqemi. Do të provojmë shanset tona, përderisa matematika na lejon.

A keni filluar të mendoni që tani për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë?

Jo, nuk mund të veprojmë kështu. Nuk është etike, do të ishte mungesë respekti për futbollistët që kam në skuadër, me të cilët punoj çdo ditë. Do të mundohemi të shfrytëzojmë edhe këtë shans që kemi. Për këtë çështje do të flasim kur të jetë koha.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"