Dështon Dinamo, largohet Mehmeti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2015 | 17:17

Dështon Dinamo, largohet Mehmeti

Mehmeti DritanDINAMO-BYLIS- Dinamo i humbet të gjitha në 90 minu ta. Blutë munden nga Bylisi 2-1, në sfidën e zhvilluar në kompleksin “Tirana Internacional” në Pezë Helmës, dalin thuajse plotë- sisht nga lufta për t’u ngjitur në Superiore, pasi diferenca me vendin e parë është tetë pikë (shumë për t’u përmbysur) dhe humbet njëkohësisht edhe trajnerin Dritan Mehmeti. Pas rreth dy vitesh që drejtoi blutë, tekniku ka dhënë dorëheqjen pas sfidës së djeshme duke deklaruar se i merr ai të gjitha përgjegjësitë. Nga ana tjetër, Bylisi është i papërmbajtshëm dhe gjen fitoren e 4-t radhazi në po kaq takime deri tani këtë vit dhe mbetet në luftë për t’u ngjitur në elitë.

Ndeshja

Dinamo nuk është në ditën e vet më të mirë. Në sfidën e djeshme mungonte sulmuesi kryesor Daniel Xhafaj. Sfida nis mirë për miqtë. Në minutën e 13-të, pas një largimi të topit nga zona dinamovite, është Basriu, i cili godet fluturimthi nga rreth 20 metra dhe topi, pasi devijohet nga Muça, përfundon në rrjetë. Portieri Kotori e ka të vështira ta ndalë. Pas këtij momenti, vendësit, të cilët mbështeten në këtë sfidë nga një numër jo i pakët tifozësh, shtojnë sulmet. Në një moment, Turdiu pretendon për 11-metërsh, por nga pamjet filmike duket qartë se është simulim. Megjithatë, goli për Dinamon do të vijë në minutën e 39-të. Krosim në zonë nga e majta dhe aty është Imami, i cili kërcen, dhe godet me kokë duke shënuar. Një gol falë edhe gabimit të gardianit mik, i cili nuk arrin të presë një goditje jo shumë të fortë. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1. E dyta nis me zëvendësim për ballshiotët. Largohet nga fusha Shehaj për Dhramin. Blutë janë më kërkues në lojën e tyre dhe tentojnë në disa momente me Turdiun, Allmuçën dhe Ferrajn. Megjithatë, mungon finalizimi. Në minutën e 73-të është Dhrami, i cili kap një top të goditur jo siç duhet nga Kotorri dhe gjuan nga rreth 30 metra duke gjetur cepin e majtë të portës, 1-2. Festë te Bylisi, në një kohë që dinamovitët janë të pafuqishëm. Blutë mbeten me 10 lojtarë në minutën e 75-të, pasi Thana merr kartonin e dytë të verdhë, në një kohë që miqtë e ruajnë avantazhin deri në fund duke siguruar një 3-pikësh shumë të rëndësishëm. Nga ana tjetër, Dinamo del thuajse jashtë loje nga lufta për t’u ngjitur në elitë.

Mehmeti

Pas humbjes së djeshme, trajneri i bluve, Dritan Mehmeti, ka dhënë dorëheqjen. “Në radhë të parë, unë falënderoj tifozët dhe presidencën që më dhanë mundësinë të drejtoj Dinamon. Por, këtë ekip e kam stërvitur në kushte shumë të vështira. Presioni që kishte skuadra pas heqjes së tri pikëve na çekuilibroi dhe në këtë ndeshje u mundëm. Falënderoj lojtarët që luajtën dhe tifozët për përkrahjen. Por, duhet të kuptojmë që skuadra e Dinamos nuk po lejohet të bëjë stërvitje aty ku ka shtëpinë e vet. Përgjegjësinë e marr unë, por nuk është e gjitha e imja, pasi nuk jam vetëm unë pjesë e Dinamos. Përgjegjësinë e marr unë si trajner, pavarësisht se kam punuar në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe kam dy vite që e drejtoj këtë ekip dhe e kam për krenari që e kam bërë. Shpresoj që të jem unë e keqja dhe skuadra të ecë më mirë në vazhdim. Unë po jap dorëheqjen. Jam munduar të jap më të mirën, por kur nuk ke kushtet më minimale për të trajnuar një ekip futbolli, nuk mund të bësh më shumë. Për sa i përket sfidës së sotme, edhe gjykimi na penalizoi. Më dukej sikur luanim në transfertë”, përfundon prononcimin tekniku i Dinamos, Dritan Mehmeti. Tashmë, blutë duhet të gjejnë një tjetër trajner për të drejtuar ekipin deri në fund të kampionatit.

DINAMO-BYLIS 1-2

GOLAT: Imami 39’/ Basriu, 13′, Dhrami 73′
DINAMO: Kotorri, Tafaj,Thana, Shkalla, Shazivari, Muça (Capa 68′), Allmuça (Rezi 74′), Arifaj, Imami,Ferraj, Turdiu.
Trajner: D.Mehmeti
BYLIS: Kaloshi, Gjombrati,Xhafaj, Kuçi, Basriu, Shehaj(Dhrami 55′), Sako, Gavazaj(Shoshi 80′), Muçaj, Liçaj(Metaj 74′), Hoxhaj.
Trajner: R.Nenaj
KARTONË TË VERDHË:Tafaj 67′, Turdiu 49’/ Basriu80′, Dhrami 75′, Sako 32′,Muçaj 87′
KARTON I KUQ: Thana 66′, 75′(2v)
GJYQTARË: K.Kola, E.Potomi, B.Mesi
DELEGAT: P.Haxhija (Tiranë)
VËZHGUES: M.Shestani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"