Dështojnë disa pista për trajnerin e ri, ja kë pritet të konfirmojë në stol Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 15:55

Dështojnë disa pista për trajnerin e ri, ja kë pritet të konfirmojë në stol Kukësi

Vit i ri, por me halle të vjetra te Kukësi. Verilindorët janë duke punuar për të gjetur një trajner që do t’i drejtojë të paktën deri në përfundim të sezonit. Deri më tani, drejtuesit i kanë hedhur sytë nga tregu kosovar, ku më herët doli në skenë Bylbyl Sokoli, por që palët, pas disa bisedimeve nuk ranë dakord, kryesisht për shkak të kushteve që pati vendosur tekniku.

Hallaci Kukesi

Më tej, në ditët e fundit të dhjetorit pati një takim të drejtuesve të klubit me Tahir Lushtakun, por me kalimin e ditëve edhe kjo pistë duket se ka rënë dhe gjasat janë që të mos nisë bashkëpunimi midis tyre.

Fakti që Kukësi nuk ndodhet në pozita të mira dhe është gati për të bërë një revolucion në janar, e bën edhe më të vështirë gjetjen e një tekniku që t’i sigurojë sezonin e ardhshëm pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

HALLAÇI – Megjithatë, nga ana tjetër Kukësi duket se e ka gati “asin nën mëngë” sa i përket drejtimit të skuadrës, ndaj edhe nuk kanë këmbëngulur që të pranojnë të gjitha kushtet që i kanë vendosur trajnerët. Zgjidhjen e kanë brenda shtëpisë.

Bëhet fjalë për Rrahman Hallaçin, i cili sa herë që skuadra ka nevojë, ndodhet aty për të ndihmuar klubin. Ish-kapiteni i kësaj skuadre drejtoi në dy ndeshjet e fundit të vitit skuadrën pas dorëheqjes së Enkeleid Dobit dhe pozitat e tij për të marrë përfundimisht drejtimin e skuadrës janë forcuar ndjeshëm.

Në tërësi, emri i tij dhe lidhja që ka me klubin, ka bërë që në Kukës ta shohin si njeriun më të përshtatshëm për ta marrë skuadrën në gjendjen ku ndodhet aktualisht.

Nëse brenda këtyre ditëve drejtuesit nuk do të mund të zgjedhin “timonierin” e ri, atëherë në krye të skuadrës do të “gradohet” përfundimisht Hallaçi.

MERKATO – Deri më tani Kukësi është duke menduar vetëm për largimet, pasi numri i tyre ka shkuar në shtatë. I fundit që është zyrtarizuar, ashtu siç e pati paralajmëruar më herët edhe “Panorama Sport”, është ai i Eduin Giasit, i cili ka ndërprerë me bashkëpunim kontratën.

Më herët, nga klubi lanë aventurën në mes Tarik Isiç, Agnaldo Moraesh, Ante Zivkoviç, Jorgo Meksi, Tiago Ferreira dhe Lejton Ndukvu.

Mësohet se janë në plan për t’u larguar edhe dy futbollistë të tjerë, me të cilët po punohet që të zgjidhet me marrëveshje bashkëpunimi, në mënyrë që palët të mos kenë më pas pretendime ndaj njëra-tjetrës.

Sa u përket afrimeve, për momentin në Kukës nuk kanë zyrtarizuar asnjë, por burimet pohojnë se është gati “paketa” prej disa lojtarësh, që do të rikuperojnë edhe largimet e këtyre ditëve të fundit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"