Derbi i kryeqytetit, Kamza sfidon Partizanin me gjashtë ish-lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2018 | 12:43

Derbi i kryeqytetit, Kamza sfidon Partizanin me gjashtë ish-lojtarë

Në mungesë të Tiranës dhe Dinamos, çifti Partizani-Kamza konsiderohet si derbi i kryeqytetit në Superiore. Kamzalinjtë ia kanë dalë në përballjen e parë që ta fitojnë këtë derbi të ri, pasi takimi i javës së nëntë u fitua 1-0 nga kamzalinjtë, me gol të Erlis Ymerajt. Kazma e sfidon Partizanin në fushën e tij me gjashtë ish-“dema të kuq”. Portieri Gjonikaj ka qenë pjesë e Kamzës edhe në sezonin e shkuar në Kategorinë e Parë dhe sot pritet të jetë titullar.

Kamza-fest

Mbrojtësi Erlis Frashëri ka qenë pjesë e të kuqve, kur luanin në të Parën nën drejtimin e trajnerit Gerd Haxhiu. Dyshja e sulmit, Raçiç-Plaku, pritet të përbëjë sot problemin kryesor për ishskuadrën e tyre. Në ditët e fundit të merkatos, Relado Fili ka kompletuar numrin e ish-ëve, por fieraku ka pak gjasa që të nisë nga fillimi derbin.

Mbrojtësi Alken Agalliu, i dalë nga “shkolla e kuqe”, i është bashkuar Kamzës në këtë merkato dimri. Për shkak të suksesit të parë, por edhe pozitave që ekipet mbajnë në renditje, ku skuadra e trajnerit Ramadan Ndreu ka dy pikë më shumë se “demat”, pretendohet që Kamza vjen me moral më të lartë në këtë duel.

imeraj kamza

Përpos gjendjes së mirë, trajneri Ndreu e ka konsideruar si “thikë me dy presa” derbin e sotëm, ndonëse e pranon se ekipi i tij gëzon gjendje psikologjike më të mirë se kundërshtari. Në seancën e fundit stërvitore, trajneri Ndreu ka marrë një lajm të keq, pasi autori i golit të fitores së ndeshjes së fazës së parë, Erlis Ymeraj, ka pësuar një lëndim.

Me shumë mundësi, për të mos thënë e sigurt, shkodrani nuk do të jetë sot në dispozicion të Kamzës për ndeshjen me Partizanin. Në këto kushte, ka balotazh për zëvendësuesin e Ymerajt. Trajneri Ndreu pritet që të vendosë për njërin mes Demir Imerit dhe Xhulio Mehmetit.

Kamza

Dilema ka pasur edhe për gjendjen e mbrojtësit Erlis Frashëri, por korçari ia ka dalë dhe do të jetë gati për takimin e sotëm. Me shumë mundësi, trajneri Ndreu do t’u besojë sot lojtarëve që ka trashëguar nga pjesa e parë e sezonit, kështu që, prurjet e janarit pritet të ingranohen gradualisht me ekipin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"