Dede: Do bëjmë goditje të mëdha

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 18, 2013 | 12:43

Dede: Do bëjmë goditje të mëdha

dedePremton goditje të mëdha në merkato. Tirana e tij ende nuk është formuar, pasi në planet e Nevil Dedes ka të tjerë lojtarë. Vetë trajneri konfirmon se në tavolinën e drejtuesve të klubit ekziston lista e dëshirave të tij. Nuk dëshiron që t’i bëjë të ditur emrat, por thekson se afrimet do të jenë duke filluar nga mbrojtja e deri në sulm. Të vetmin repart që mund ta konsiderojë të blinduar është porta, ku konfirmon si portier të parë Marsel Çakën. Fill pas miqësores së fituar kundër Dinamos, tekniku i bardhebluve, në një intervistë të dhënë për mediat, sqaron gjendjen e skuadrës së tij dhe pritshmëritë për të ardhmen.
Dede, sapo mbyllët ciklin e parë të përgatitores, si u përgjigj ekipi?
Jemi ende në proces stërvitor dhe kjo periudhë veç ngarkesave të mëdha, na shërben për të parë lojtarët në provë.
Si ishte paraqitja e lojtarëve në provë, ka nga ata që bindin, apo që pritet të skarcohen?
Mendoj se duhet ende kohë, jo vetëm për ata, por edhe për ne për t’i parë, që të japim verdiktin final.
Miqësorja si shkoi, i kënaqur me atë që u dha në fushë?
Ishte një miqësore ndaj një Dinamoje që ka shumë pak kohë që ka nisur përgatitjet. Ne sapo u kthyem nga faza përgatitore. Më vjen mirë që lojtarët të cilët janë pjesë e grupit, kanë dhënë më të mirën, ndërsa po rriten nga dita në ditë. Por, unë ju them se te Tirana do të ketë ndërhyrja të forta.
Ky është grupi që do të përbëjë Tiranën në të ardhmen?
Jo, pasi kemi plane të tjera.
Çfarë planesh?
Synojmë të afrojmë futbollistë cilësorë, Tirana do bëjë goditje të mëdha në merkato.
Emra mund të na tregoni?
Jo, pasi duam që të ruajmë politikat tona në këtë drejtim.
A ua keni bërë me dije këto dëshira drejtuesve?
Patjetër që po, lista ekziston në tavolinën e administratorit.
Vazhdoni të këmbëngulni për shtatë lojtarët e kërkuar, sepse deri më tani ka ardhur vetëm Çaço?
Mund të jenë edhe dhjetë lojtarë, por mund të jenë edhe pesë. E rëndësishme është që ne të afrojmë ata futbollistë, të cilët na bëjnë punë dhe t’i shërbejnë Tiranës.
Cilat janë repartet ku synoni ndërhyrje?
Mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Në çdo repart do të ketë afrime në mënyrë që Tirana të hyjë dinjitoze në garë.
Po porta?
Porta mund të themi që është e blinduar, portieri ynë i parë është Marsel Çaka.
Po me lojtarët e rinj që po integrohen në skuadër, çfarë do të ndodhë?
Ata janë pjesë e projektit të klubit dhe janë të perspektivës, që në një të ardhme të jenë aty ku duhen. Ideja është që duhen edhe lojtarë me eksperiencë që të bëjnë diferencën.
Tregu vendës apo i huaj, ku do të përqendrohet Tirana në merkato?
E rëndësishme është që të afrohen futbollistë cilësorë, të cilët t’u përgjigjen objektivave që ne kemi si klub dhe t’i shërbejnë Tiranës.
Pashaj mungoi në miqësore, problem apo dëmtim?
Pashaj pësoi një dëmtim në miqësoren me Tërbunin dhe me lejen tonë e bëri pushim, sepse është në rikuperim e sipër.
Thatë që do bëhet merkato cilësore, a ekzistojnë financat për ta realizuar një gjë të tillë?
Unë jam trajneri dhe mund të bëj vetëm kërkesat, me pjesën tjetër merret klubi.

Zoran Spasiç, një serb nis provën te bardheblutë
Një serb ka mbërritur dje në kryeqytet dhe ka nisur provën me Tiranën. Bëhet fjalë për Zoran Spasiç, serbi 26-vjeçar, i cili më parë ka luajtur në ligat inferiore në Greqi. Lojtari luan si mesfushor me tipare sulmuese dhe pritet që të vëzhgohet për disa ditë nga stafi teknik i bardhebluve. Vetëm nëse bind, atëherë ai mund të ulet me drejtuesit e klubit dhe të bisedojë për një firmë të mundshme. Ai ka luajtur për gjatë 30 minutave të dyta të miqësores së djeshme, duke bërë paraqitje relativisht të mirë. Megjithatë minutat janë të pamjaftueshme që trajneri Dede të japë fjalën e tij përfundimtare rreth tij. Ai mendohet se do vazhdojë stërvitjen me 24 herë kampionët dhe vetëm më vonë do mësohet diçka më shumë rreth së ardhmes së tij. Sakaq, pritet që në javën e ardhshme të ketë zhvillime edhe sa i përket afrimeve dhe firmave të reja, gjë që e ka pranuar edhe vetë administratori Alimehmeti.

tirana-ne-stervitje1“Poker” bardheblu, Tirana fiton derbin me Dinamon
TIRANA-DINAMO 4-0

GOLAT: Kalari 28′, Muça 57′, Çota 70′, 83′
TIRANA: Sejdo, Marku, Sina, Kalari, Taku, Tafaj, Lapardhaja, Rroshi, Hysenbelliu, Sorra, Strakosha; Trajner: N.Dede (U aktivizuan: Çaka, Spasiç, Hoxhallari, Çota, Kastrati, Hoxha, G.Muça, Çaço, Llënga, Peposhi).
DINAMO: Lamellari, Kule, Turtulli, Xhibro, Rexhepi, E.Muça, Dosti, Djarmati, Malasi, Mersini, Capo; Trajner: D.Mehmeti. (U aktivizuan: Beqiri, A. Sekseni, Doçi, Tragaj, Pinari, Matraku, I.Sekseni, Laço, Imami, Delia).
GJYQTARE: B.Pashaj, G.Koka, R.Çokaj

MINUTAT
28′ Top i ardhur nga mesfusha, Kalari i gjendur i vetëm përballë portierit arrin të zhbllokojë shifrat në 1-0.
57′ Muça jep një asist perfekt për Çotën, i cili arrin që ta dërgojë me lehtësi topin në rrjetë dhe 2-0.
70′ Hoxha pengohet në zonë nga mbrojtja mike, ekzekuton Muça nga pika e bardhë dhe nuk gabon, 3-0.
83′ Shënon sërish Çota, duke shfrytëzuar më së miri një top të ardhur nga krahët dhe 4-0.

Tirana fiton derbin me Dinamon. Bardheblutë kanë bërë poker ndaj bluve falë dopietës së Mirel Çotës dhe golave të Renaldo Kalarit e Gentjan Muçës. Ka qenë një miqësore, e cila u zhvillua dje në orën 09:00 në “Selman Stërmasi” dhe që u nda në 3 pjesë prej 30 minutash. Trajnerët e të dyja skuadrave e kanë shfrytëzuar këtë takim për të parë lojtarët që kanë në organikë, prurjet e reja, si edhe ata në provë. Takimi u dominua nga 24 herë kampionët dhe kjo kuptohet qartë edhe nga rezultati. Fakti që ekipi dinamovit ka pak ditë që ka nisur përgatitoren, ia bëri punën edhe më të lehtë Tiranës, duke qenë se ishin më mirë fizikisht. Pjesa e parë shfaqi blutë në fakt më të organizuar në fushë, të cilët arritën që ta qarkullonin mirë topin. Ndonëse edhe Tirana nuk mbeti pas. Spikatën në të lojtarët e sezonit të fundit, si Hysenbelliu dhe Kalari. Shifrat u zhbllokuan në të 28-tën minutë, kur një top i ardhur nga mesfusha u shfrytëzua mirë nga Kalari, i cili i gjendur i vetëm përballë portierit arrin të zhbllokojë shifrat në 1-0. Me nisjen e 30-minutëshit të dytë, Dede ndërroi thuajse të gjithë formacionin, duke futur të tjerë titullarë apo lojtarët e afruar rishtaz. Të njëjtën gjë bëri edhe Mehmeti, por të rinjtë e bluve nuk bindën. Në të 57-tën erdh edhe goli i dytë. Muça dha një asist perfekt për Çotën, i cili arriti ta dërgonte me lehtësi topin në rrjetë dhe 2-0. Fraksioni i tretë solli sërish lëvizje në 11-shet e të dyja skuadrave kryeqytetase. Por ishte përsëri Tirana e Dedes ajo që dominoi edhe në këtë 30-minutësh, e cila arriti të realizojë edhe dy gola të tjerë. Në të 70-tën Hoxha u pengua në zonë nga mbrojtja mike, ekzekutoi Muça nga pika e bardhë dhe nuk gaboi, 3-0. Me vazhdimin e lojës, në të 83-tën shënoi sërish Çota, duke shfrytëzuar më së miri një top të ardhur nga krahët dhe 4- 0. Minutat e mbetura nuk sollën asnjë risi, e kështu ndeshja u mbyll me fitoren e bardhebluve në këtë miqësore, fill pas kthimit nga Puka.

Mehmeti: Nuk jemi gati, ja lojtarët që më bindën
Dritan Mehmeti, pas ndeshjes së parë miqësore të zhvilluar ndaj Tiranës, u shpreh: “Ne nuk ishim gati në fakt, pasi sapo kemi filluar përgatitjet, mirëpo na e kërkoi Tirana këtë miqësore. Në pjesën e parë skuadra reagoi mirë, pavarësisht mungesës së stërvitjes. Më bindën Malasi e Mersini nga afrimet e reja. Kurse lojtarët e rinj që u aktivizuan në pjesën e dytë dhe të tretë lanë shumë për të dëshiruar, sidomos të rinjtë. Ata që duan të bëhen pjesë e Dinamos nuk treguan asgjë. Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët me eksperiencë, ndër të cilët mund të përmend lojën e Capës dhe Djarmatit. Kemi nevojë për përforcime dhe jam i bindur që do të ndërtojmë një ekip pretendent”.
ADELA MERKO






www.minuta90.com