De Biazi: Do thërras Avdijajn, Vila gaboi që u kthye

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2014 | 9:54

De Biazi: Do thërras Avdijajn, Vila gaboi që u kthye

De Biazi ne konference per shtypNuk kishte sesi të mos nënvizohej një si Dionis Avdijaj edhe në bllokun e Xhani De Biazit. Por, duhet thënë se gjithsesi, dje, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri i Kombëtares është treguar i matur, duke i zgjedhur me kujdes fjalët për talentin e Shalkes. Sipas tij, Avdijaj mund të jetë një “përjashtim nga rregulli” dhe të grumbullohet në përfaqësuesen shqiptare edhe pse është vetëm 18 vjeç, por më së pari ai duhet që të debutojë me Shalken në Bundesligë. Italiani thekson se është i gatshëm ta ftojë që në ndeshjen me Portugalinë, duke plotësuar kështu edhe kushtin e vënë nga babai i futbollistit (ka pohuar se Dionisi nuk e refuzon Shqipërinë, por pranon të luajë vetëm për Kombëtaren A). Sakaq, De Biazi ka folur edhe për gjendjen e lojtarëve të përfaqësues në prag të startit të edicionit të ri, si dhe lëvizjet në merkato.
Po flitet shumë për Dionis Avdijajn, ju keni informacion për të?
Sigurisht që kam informacion. Jam trajner i Kombëtares dhe them se kam njohuri të mjaftueshme për thuajse çdo lojtar shqiptar që luan në Europë ose edhe më larg.
Keni kontaktuar me të?
Jo, nuk kam kontaktuar, por kam informacion se federata ka folur me babanë e tij dhe përgjigjja ka qenë negative.
Në fakt, i ati i lojtarit pohon se nuk e ka refuzuar Shqipërinë, por kërkon të luajë vetëm me Kombëtaren A…
Po, është tamam kështu. Ai ka vendosur si kusht që të luajë vetëm me skuadrën e parë dhe jo me Shpresat. Ndërsa ne kemi gjykuar se do kishte qenë më mirë nëse ai do të provonte të luante pak kohë me ekipin që drejton Gega. Në gjykimin tim nuk ka asgjë të keqe, pasi nuk duhet të harrojmë se djaloshi është ende shumë i ri. Më duket se sapo i ka mbushur 18 vjeç.
Edhe Cana, kur ka ardhur në Kombëtare, ka vendosur të njëjtat kushte…
Pikë së pari, jemi në kohë të ndryshme dhe së dyti, Cana ka qenë një rast unikal, që në fund të fundit Shqipërisë i doli për mbarë.
Dakord, por nëse është një talent, ç’të keqe ka të thërritet edhe në Kombëtaren e parë? Ka shembuj plot në botë që trajnerët e kombëtareve kanë grumbulluar, madje edhe 17- vjeçarë….
Jo, nuk ka asnjë të keqe dhe këtu jam dakord me ju, por nëse i referoheni për shembull Ualkotit, Ouenit, Mesit, etj., lojtarë që janë grumbulluar nga Kombëtaret fare të rinj, ju bëj me dije se në atë kohë këta lojtarë luanin edhe në kampionat me skuadrat e tyre. Ndërkohë, unë di që Avdijaj nuk ka luajtur ende asnjë sekondë me Shalken. Gjithsesi, e kam pasur dhe e kam shumë në konsideratë dhe sinqerisht uroj që ai të jetë një talent i tillë edhe pas tre-katër vitesh. Pak rëndësi ka nëse do luajë me ne apo jo, paçka se unë, ju dhe gjithë shqiptarët besoj se do ta donim ta kishim në skuadër.
Pse thoni pas tre-katër vitesh?
Sepse në këtë moshë unë kam parë shumë, shumë lojtarë që shihen si talente, por më pas, kur kalojnë moshën 20-22 vjeç, pikërisht atëherë kur bëhet edhe diferenca dhe rritet shkalla e vështirësisë, kanë rënë totalisht ose janë zhdukur fare nga qarkullimi. Unë uroj dhe besoj se Avdijaj nuk do i përkasin këtij rangu, ndaj e mbaj në konsideratë.
Që do të thotë se mund ta grumbulloni në Kombëtare?
Ju siguroj se nëse luan, qoftë edhe pak minuta me Shalken që në këtë fillim kampionati, do ta thërras për ndeshjen e shtatorit. Sigurisht, po bëri edhe ndonjë gol do jetë akoma edhe më mirë. Nëse nuk debuton tani, por në tetor, atëherë do ta thërras në ndeshjet e nëntorit, e kështu me radhë. Ju siguroj se asnjë trajner nuk ankohet nëse ka lojtarë të mirë që duan të luajnë për skuadrën që ai drejton. Megjithatë duhet theksuar edhe diçka tjetër: ne nuk kemi shumë kohë për eksperimente. Sezoni i kualifikimeve është pak më shumë se një vit. Fillon në shtator (2014) dhe mbaron në tetor (2015), ndaj unë kërkoj që të kem lojtarë që më japin rendiment të menjëhershëm, pasi na duhen me patjetër rezultatet për të arritur objektivat.
Meqenëse dolëm në këtë temë, si e shikoni skuadrën kombëtare, në përgjithësi lojtarët që keni në mendje të grumbulloni për këto kualifikime, gjatë kësaj periudhe?
Kemi shumë probleme me dëmtime, me lojtarë që nuk kanë bërë fare fazë përgatitore. Me lojtarë që nuk kanë ende skuadër, por unë nuk jam tip që ankohem dhe mundohem ta marr me pozitivitet edhe këtë periudhë. Të shpresojmë që kur të vijë momenti, duke filluar që nga ndeshja në shtator me Portugalinë, të mund të bëjmë më të mirën e mundshme. Sigurisht nuk kam ekipin më të mirë në dispozicion, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme.
Çfarë do dëshironit kur thoni “ekipi më i mirë”?
Për Shqipërinë e kam fjalën gjithnjë, por nëse do kisha në dispozicion edhe shqiptarët që kanë zgjedhur të luajnë me kombëtaret e tjera, atëherë normal që do kisha një skuadër shumë herë më cilësore dhe besoj se këtu biem dakord të gjithë.
E keni fjalën për shqiptarë që luajnë për Zvicrën?
Jo vetëm ata… të gjithë ata që janë shqiptarë, por që kanë zgjedhur një rrugë tjetër sa i përket përfaqësimit në ekipin kombëtar.
Kalojmë pak te merkatoja kuqezi, cili është mendimi juaj në lidhje me Migjen Bashën? A do bënte mirë nëse do largohej nga Torino te Katania në Serinë B?
Në pamje të parë duket si një kthim prapa, por duhen parë edhe rrethanat. Migjeni është në skadencë kontrate me Torinon dhe ka pak hapësira aktivizimi për këtë edicion. Kësisoj është më mirë nëse lëviz që nga ajo skuadër. Sa i përket Serisë B, nuk duhet parë me kaq skepticizëm, pasi ka skuadra në atë kampionat vërtet shumë të mira dhe Katania është njëra nga ato.
Sakaq, Emiliano Vila është kthyer në kampionatin shqiptar, si e shikoni këtë gjë?
Është e njëjta pyetje që ma keni bërë edhe para pak kohësh: unë nuk kam asgjë kundër kampionatit shqiptar, por për nivelin që ka, mendoj se një lojtar duhet që më mirë të luajë jashtë, në një kampionat më të mirë, ndaj në këtë kontekst, mendoj se Vila ka bërë hapa prapa. Unë mund të kuptoj lëvizjen e Ervin Bulkut, i cili pasi ka bërë një karrierë për disa vite jashtë, në një moshë të caktuar, sakundër është ai aktualisht, mund të vijë në Shqipëri dhe të luajë rregullisht, por jo një lojtar si Vila me atë moshë që ka. Mendoj se ka gabuar.
Edhe për Çanin përflitet se mund të vijë në Shqipëri?
E njëjta gjë edhe për të. Ai nuk grumbullohet në Kombëtare teksa luan në Serinë B, imagjinoni tani, të luajë në kampionatin shqiptar.
Më mirë në Serinë C në Itali, apo në Kategorinë Superiore në Shqipëri?
Nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. Gjithsesi, të paktën tani e tutje nuk do të kritikohem se nuk afroj lojtarë nga kampionati shqiptar… (qesh).
LEONARD KARAJ

Vila dhe Batha ne stervitjePartizani mbron zgjedhjen e Vilës, kundërsulm De Biazit
Trajneri i kombëtares, De Biazi, e ka konsideruar si të gabuar rikthimin e Emiljano Vilës në kampionatin shqiptar. Duke folur për “Panorama Sport”, tekniku italian ka nënvizuar mes të tjerash: “Një lojtar si Vila, me moshën që ka, mendoj se ka gabuar duke u rikthyer në Superioren e Shqipërisë”. Ky qëndrim ka ngjallur reagimin e menjëhershëm të klubit të kuq, i cili përmes një deklarate për shtyp ka replikuar me trajnerin e kombëtares kuqezi:
Ja edhe deklarata e plotë e Partizanit:
“Duke marrë shkas nga një prononcim i i trajnerit të ekipit tonë përfaqësues, Xhiani De Biazi, dhënë për një nga mediat e shkruara sportive sot, nëpërmjet të cilës e konsideron zgjedhje të gabuar kalimin e Emiljano Vilës te Partizani, klubi reagon me këtë deklarate për shtyp: Klubi i Futbollit Partizani kërkon t’i kujtojë trajnerit De Biazi se Partizani është një skuadër me një reputacion dhe histori të lavdishme jo vetëm në arenën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare, në krahasim me klubin grek të Pass Janina. Trajneri i ekipit tonë përfaqësues përpara se ta konsiderojë një hap prapa trasferimin e Vilës te 15 herë kampionët e Shqipërisë duhet të lexojë më shumë rreth historisë dhe trofeve të klubit tonë. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për klubin tjetër të kryeqytetit, Tiranën, ku në gjirin e saj këtë sezon kanë zgjedhur të vijojnë karrierën e tyre sportive Curri, Bakaj dhe Ervin Bulku, pjesëtarë të ekipit përfaqësues, pa harruar edhe Kristi Vangjelin te kampionët e Skëndërbeut. Ç’mund të thoni për Bakajn, Vangjelin, Sabien Lilajn, Tefik Osmanin apo Cikalleshin, të cilët pothuajse kanë një moshe me Vilën.
Zoti De Biazi, ju garantojmë se tek Partizani Vila do të jetë në qendër të vëmendjes dhe jo si disa lojtarë të ekipit tonë përfaqësues që publiku nuk ua di akoma emrin. Zoti De Biazi, përse zgjedhjen e Vilës (kalimin te Partizani) e konsideroni një hap prapa?!!! Si do ta komentonit zgjedhjen tuaj në krye të ekipit tonë përfaqësues, një hap prapa, apo një hap përpara në karrierën tuaj?!!! Ardhjen e lojtarëve si Vila, Curri, Bakaj, Ervin Bulku, Vangjeli etj. ne e konsiderojmë si një mundësi mjaft pozitive për të rritur nivelin e kampionatit shqiptar. Më mirë për ju do të ishte të përqëndroheni maksimalisht në dy ndeshjet e para eliminatore që po afrojnë, të cilat publiku shqiptar po i pret me padurim, se sa të ndaleni në emra të veçantë lojtarësh dhe me zgjedhjet që ata bëjnë në këtë merkato vere.”

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"