Dalipi analizon ekipin: Mposhtim Veleçikun, Korabin llogariteni pretendent

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2020 | 12:27

Dalipi analizon ekipin: Mposhtim Veleçikun, Korabin llogariteni pretendent

Klevis Dalipi mendon se Korabi i tij do të shkojë larg këtë sezon. Pasi e nisën mbarë sezonin, trajneri i dibranëve pret fitoren e radhës me Veleçikun. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” elbasanasi ndalet jo vetëm te ndeshja e sotme, por edhe te merkatoja e bërë dhe objektivat.

dALIPI

U kualifikuat në Kupë dhe fituat në kampionat, i kënaqur me startin?

Po. Këtë sezon e filluam mbarë. Le të themi që bëmë detyrën me Erzenin në Kupë, ashtu edhe me Orikun në kampionat.

A e ka kontingjentin e duhur Korabi për t’i bërë ballë këtij sezoni?

E kam diskutuar shpesh me drejtuesit këtë. Ne kemi ndërtuar një ekip të mirë. Kategoria e Parë është një kampionat që ka ritëm të lartë e agresivitet, çka e bën më të vështirë për një skuadër që ka objektiva dhe që duhet të jetë e prerë në marrjen e rezultateve. Ne kemi formuar një grup me dibranë, produkt i skuadrës prej shumë kohësh.

Ndërkohë që me disa përforcime, kemi krijuar një grup mjaft kompetitiv. Me Dinamon, Besëlidhjen dhe Burrelin rivalë, sa e vështirë do të jetë për ju?

Grupi A ka shumë skuadra, të cilat kanë bërë investime. Këtu nuk përfshihet vetëm Burreli, Dinamoja e Besëlidhja, por edhe ne.

Java e dytë ju vendos përballë Veleçikut, gati për fitoren e dytë?

Unë e shoh shumë të vështirë, pasi koplikasit kanë lojtarë shumë të mirë, të cilët vijnë nga produkti i Vllaznisë dhe luajnë mirë futboll. Unë mendoj që ne kemi objektiva të qartë dhe do të shkojmë atje për të marrë maksimumin e pikëve.

Po luhet çdo 3-4 ditë, a ju shqetëson ngjeshja?

Ndeshjet e shpeshta janë problem, por të paktën kemi mundësi për rrotacion prej rregullores së re me 5 zëvendësime. Pastaj, jo më kot kemi në përbërje të skuadrës 23 lojtarë.

Si është për një skuadër të punojë larg vëmendjes së medias?

Ne kemi qenë më të heshtur. Kemi ruajtur grupin nga vjet dhe afruam 2-3 elementë modestë, por që për mua kanë shumë peshë. Ata plotësuan ato boshllëqe që kishim dhe tashmë jemi të konsoliduar. Duke i konsideruar të gjitha ndeshjet si finale, mund të arrijmë objektivin madhor.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"