Çyrbja “qan” humbjen në shtëpi me Flamurtarit: Rikthehem ndaj Partizanit dhe… fitojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 18:16

Çyrbja “qan” humbjen në shtëpi me Flamurtarit: Rikthehem ndaj Partizanit dhe… fitojmë

Arbër Çyrbja ishte mungesa e madhe e Teutës në ndeshjen ndaj Kamzës. Mosprania e tij në fushë për shkak të një dëmtimi ndikoi jo pak në lojën e skuadrës. Megjithatë, në një bisedë për “Panorama Sport”, mesfushori ka besim se skuadra do të vazhdojë me rezultate pozitive në ndeshjet e radhës, duke qëndruar në vendet e kreut të tabelës.

cyrbja

Çyrbja “qan” humbjen në shtëpi me Flamurtarin, ndërsa thekson se ndaj Kamzës Teuta meritonte tri pikë. “E nisëm shumë mirë kampionatin duke fituar dy ndeshjet e para, por kemi lënë plot pesë pikë në dy sfidat e fundit, të cilat duhet t’i kishim fituar. Më dhemb akoma humbja me Flamurtarin, ndërsa ndaj Kamzës lamë dy pikë të tjera.

Duhet t’i kishim menaxhuar më mirë ndeshjet e fundit dhe tani do të ishim në kuotën e 12 pikëve. Por, futbolli prandaj është i bukur, sepse ka të papritura. Mund të humbësh atëherë kur mendon se e ke të lehtë fitoren dhe mund të fitosh në një përballje që s’ke shumë mundësi për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë fillimisht mesfushori.

Cyrbja

Duke vijuar më tej, Çyrbja u ndal te dëmtimi, ndërsa komenton edhe sfidën e radhës me Partizanin. “Nuk pata mundësi të ndihmoja skuadrën për shkak të dëmtimit. Tashmë jam në fazën e rehabilitimit dhe për fat të mirë kampionati u ndërpre.

Në ndeshjen ndaj Partizanit do të jem gati. Kundërshtari nuk e ka provuar ende shijen e fitores në katër javët e para, por kjo nuk do të thotë se duhet ta marrim lehtë. Duhet të punojmë shumë gjatë kësaj periudhe”, përfundoi lojtari shijakas.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"