Bylisi “shpërblen” titullarët, ballshiotët tani duan shkëputjen drejt Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2021 | 17:52

Bylisi “shpërblen” titullarët, ballshiotët tani duan shkëputjen drejt Superiores

“Shpërblehen” titullarët te Bylisi. Pasi fituan ndeshjen e pestë radhazi në kampionat, Jeton Beqiri la pushim lojtarët e formacionit. E megjithatë, stërvitja vijoi për të tjerët. Ata që e nisën nga stoli dhe nuk u aktivizuan ndaj Korabit, nuk e kanë ndalur punën as të hënën.

bylis

Ballshiotët janë në rrugën e duhur, megjithatë vend për eufori nuk ka. Me këtë moto do të vazhdojnë punën, ndërsa kjo fundjavë i çon në transfertën e Burrelit. Qëllimi është pathyeshmëria edhe në “Liri Ballabani”. Mallakastriotët kërkojnë që të thellojnë diferencën e pikëve me rivalët, për të pasur sa më të sigurt realizimin e misionit “Superiore”. Bylisi nuk e ka pasur kurrë një ecuri të tillë në Kategorinë e Parë dhe mund të thuhet që kjo është skuadra më e mirë e epokës “Kapllanaj”.

Krahas ecurisë mjaft të mirë këtë kampionat, po spikasin edhe dy lojtarë. Bëhet fjalë për Eridon Qardakun që luan sezonin e tretë në Ballsh dhe ka shënuar pesë gola në pesë ndeshje, por edhe 19-vjeçari Flamur Ruçi, që luan me Kombëtaren U-20. Por në fushë janë dalluar edhe lojtarë nën 21 vjeç, si: Muçollari apo dhe Maçolli e Emini, të cilët janë duke marrë minuta dhe shihen si futbollistë me të ardhme të sigurt.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"