Botërori sjell miliona, ja sa humbet Italia nëse nuk kualifikohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2021 | 20:44

Botërori sjell miliona, ja sa humbet Italia nëse nuk kualifikohet

Nga masakra e vitit 2017, ku Suedia la jashtë Botërorit “Rusi 2018” Italinë, pak ishin ata që besonin se “Axurrët” do të riktheheshin, por zgjedhja e Roberto Mançinit në stol dhe një punë fantastike me rinovimin e kombëtares, një stil loje ofensiv dhe spektakolar, por mbi të gjitha me një frymë sakrifikuese dhe përulësie në fushën e lojës, brenda tri vitesh kombëtarja e kaltër u rikthye që të frikësojë Europën, madje e konfirmoi atë në mbrëmjen e 11 korrikut në Londër.

ITALIA

Italia fitoi “Euro 2020” në strofkën e “Tre Luanëve”, përballë të zotëve të shtëpisë dhe të gjithë nisën të besojnë se skuadra e Mançinit ishte pa dyshim edhe favoritja për Botërorin 2022.

Por në Katar, kur kualifikimi dukej thjesht një formalitet, nga shtatori e deri në mbrëmjen e 15 nëntorit në Belfast, të kaltrit hodhën në erë gjithçka.

Kualifikohen të dytët dhe për të shkuar në Botëror do të nevojiten dy ndeshje të tjera, të rrezikshme, plot tension, por edhe me një mal me miliona që mund të humbë federata, duke prishur shumë plane për të ardhmen e futbollit italian.

NJË MAL ME MILIONA – Nuk ka dyshime që Botërori sjell shumë përfitime, duke parë interesin dhe xhiron e milionave që një kompeticion si ky garanton.

Pikësëpari flasim për paratë që garanton vetëm pjesëmarrja, 2 milionë euro menjëherë sapo kualifikohesh, ndërkohë që edhe një aventurë e shkurtër deri në fazën e grupeve të garanton 10 milionë euro të tjera.

Ndërkohë, avancimi i mëtejshëm sjell 20 milionë të tjera për fazën e 1/8-ave; 25 milionë euro për çdo çerekfinaliste, 35 milionë euro për gjysmëfinalistet, 40 milionë për finalen, plus 10 milionë euro të tjera nëse arrin të ngresh trofeun (pra, skuadra fituese fut në xhep 50 milionë, finalistja humbëse 40 milionë).

Gjithsesi, nëse marrim vetëm pjesëmarrjen në grupe, moskualifikimi djeg 12 milionë euro.

Por, akoma më shumë… federata Italiane e Futbollit numëron 46 sponsorë, të cilët i sjellin në vit asaj 47.9 milionë euro në sezon, por në rastin e kualifikimit në “Euro 2020” e gjithë fatura totale u rrit në 79.3 milionë (31.4 milionë euro më shumë për Europianin, ndonëse për Botërorin bonuset mund të prekin 40 milionët).

Një tjetër aspekt i rëndësishëm janë paratë që sjellin të drejtat TV, 35 milionë euro nga Europiani i fundit, 45 përflitej kontrata e fundit në rast kualifikimi në Botëror, e cila ka mbetur pezull.

Vetë sponsori “Puma” ka në kontratë që përveç 23 milionë eurove vjetore, në rast kualifikimi në Europian apo Botëror, bonusi është 10 milionë euro.

Dhe mbi të gjitha fanellat dhe aksesorët e tjerë që shiten në dyqanet me logon e Italisë dhe të përfaqësueses përllogariten në një dëm prej 80 milionë eurosh.

Prandaj, duke bërë një rezyme të thjeshtë, në rast moskulifikimi në Botëror të Italisë, humbjet do të kapnin një shifër prej gati 180 milionë eurosh në total, duke llogaritur vetëm të luajturit 3 ndeshjet e grupeve.

Një gropë vështirë e rikuperueshme, aq më shumë në këtë periudhë pandemie.

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"