Bojkoti te të rinjtë e Tiranës, Bulku kundër Memës: Drejtori nuk më donte, më ishte vënë prej kohësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 17:55

Bojkoti te të rinjtë e Tiranës, Bulku kundër Memës: Drejtori nuk më donte, më ishte vënë prej kohësh

N jë ngjarje e pazakontë ndodhi te Tirana. Si kurrë më parë, ekipi i të rinjve bojkotoi stërvitjen e së mërkurës, duke dalë hapur kundër shkarkimit të trajnerit të tyre, Sokol Bulkut.

sokol bulku

Ky i fundit u pezullua nga detyra për mungesë rezultatesh. Rezistenca e fëmijëve, megjithatë, nuk zgjati më shumë se një ditë dhe pas “ultimatumit” të klubit, dje u rikthyen në fushë dhe u vendosën nën urdhrat e Alimehmetit (trajner i Tirana B).

Bulku ka reaguar pas këtij vendimi, ndërsa del hapur kundër Sulejman Memës. Edhe pse nuk ia përmendur emrin, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai thekson se drejtori i akademisë i ishte vënë për ta larguar prej kohësh.

Sokol, u pezulluat nga detyra dhe ekipi bojkotoi stërvitjen. Çfarë po ndodh realisht?

Pas humbjes me Laçin m’u komunikua ky vendim. Ishte ndeshja e parë për 2018-ën në kampionat dhe në këtë takim kisha 4 mungesa, të cilat nuk ishin për aspekt stërvitor, por nga dëmtime artikulacionesh, pra, kavilje ose gjuri, që vinin prej fushës dhe traumave në miqësore.

Pse shkoi deri në këtë pikë situata?

Në fakt, më janë vënë prej kohësh, pasi drejtorit (i referohet Sulejman Memës) nuk i ka pëlqyer vendosja ime në atë post. Por unë, falë punës sime të ndershme që kam bërë me  ata fëmijë dhe pasionit, rezistova. Fëmijët ia dhanë mesazhin vetë drejtorit, duke e cilësuar të padrejtë ikjen time. Më vjen çudi, pasi ekipet e të rinjve më herët kanë rrezikuar edhe kategorinë dhe kurrë nuk është marrë askush, ndërsa tani ky njeri merret me mua.

Largimi erdhi për mungesë rezultatesh. Mund të na thoni se cili ishte objektivi që ju kishte vendosur klubi?

Mua m’u komunikua largimi me anë të inspektorit dhe më thanë që presidenti, pasi foli me drejtorin e akademisë, vendosi pezullimin. Në 12 javë, ne mblodhëm 22 pikë, me 38 gola të shënuar dhe 11 të pësuar. Pra, jemi brenda objektivave ende, pasi jemi 6 pikë larg “play off”-it, kur janë për t’u luajtur edhe 15 javë.

E përmendni shpesh emrin e drejtorit të akademisë, kishit ndonjë problem me të?

Drejtori, meqenëse fitoi kampionatit me U-17, kujtoi se unë do i prishja lavdinë duke marrë 19-vjeçarë. Por, ndërkohë ky nuk ishte qëllimi im, thjesht doja që të vazhdoja punën e profesor Astritit (Hafizit). Që në fillim, ai nuk donte që unë të qëndroja.

Pse këto raporte kaq të ftohta me Sulejman Memën?

Ka kërkuar që të fuste hundët, por unë nuk ia lejova. Në këtë pozicion, trajneri i mban përgjegjësitë, ashtu siç punoi edhe ai në hapat e para të trajnigut. Dhe unë doja të bëja atë që dija të bëja më mirë.

Sulejman mema Tirana

Ze Maria, a ka marrë ndonjë element nga ekipi juaj?

Ze Maria ka marrë vetëm nga ata që mbyllën vjet sezonin me të rinjtë, ndërsa rishtas prej ekipit U-17. Ndoshta këtë e kanë bërë edhe prej pranisë sime, pasi më duket e habitshme që nuk morën asnjë.

Jeni informuar që dje lojtarët ndalën bojkotin dhe u kthyen në fushë?

U erdhi mesazh që “po nuk u paraqitët, nuk do të jeni më pjesë e Tiranës”. Dhe unë, për t’i shpëtuar karrierën, e cila vlen më shumë se e imja, u thashë që të dilnin në stërvitje. Jam krenar për ata djem dhe nuk doja që të rrezikonin, pasi ata e kanë ëndërr që të luajnë për këto ngjyra. Gjithsesi, edhe në mbledhjen e bërë sot (dje) i thanë drejtorit dhe Ze Marias (i cili gjithashtu ishte në takimin e zhvilluar para stërvitjes), se përgjegjësia bie mbi lojtarët dhe jo trajnerit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"