Bizhdili akuzoi për shitje, Lushnja: Prokuroria le të nisë hetimet, presidenti i Besës të na thotë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 18:15

Bizhdili akuzoi për shitje, Lushnja: Prokuroria le të nisë hetimet, presidenti i Besës të na thotë…

“Lushnja u shit për 5 pare të pista ndaj Egnatias”, ishte kjo deklarata e fortë që dha Nexhat Bizhdili për “Panorama Sport”. Përtej kritikave që pati për skuadrën e tij (e cila humbi 1-2 në Pogradec), presidenti i Besës është ndier “i tradhtuar” edhe nga verdhejeshilët. Këto akuza nuk kanë kaluar në heshtje nga ana e klubit lushnjar. Ka qenë sekretari Edison Koçi ai që ka folur për gazetën për këtë çështje. Ai i quan të rënda akuzat, madje i kërkon hapur prokurorisë që të nisë hetimet dhe ta ndjekë këtë çështje deri në fund.

pjimage (5)

REAGIMI – “Klubi i Lushnjës ka të njëjtin respekt për klubin e Besës, ekipin, tifozët dhe presidentin e saj, Nexhat Bizhdili. Vazhdojmë të jemi po ata që kemi qenë. Nuk ndryshon asgjë. Edhe ne kemi bërë mbledhje për humbjen, edhe ne kemi problemet tona. Akuza është shumë e rëndë. Aq e rëndë, sa nuk e mbajmë dot dhe nuk e pranojmë. Me gjithë respektin që kemi, i themi presidentit të Besës që të na thotë nëse di ndonjë gjë. Ne themi: ‘Jo, kjo që thotë Bizhdili nuk ka ndodhur’. Nëse presidenti i Besës di diçka, të na e thotë pasi na ndihmon. Madje, i bëjmë thirrje edhe prokurorisë që ta ndjekë çështjen, sepse përderisa është bërë një akuzë, ka indicie dhe është akuzë e rëndë”, deklaroi sekretari i klubit të Lushnjës.

EKIPI – Lushnja këtë javë po përgatitet për derbin me Tomorin. Pas humbjes me Egnatian, lushnjarët kanë humbur terren në tabelë dhe duhet kthesa urgjente. Për t’i bërë skanerin kësaj ecurie, mendon portieri Mikel Spaho: “Lushnja është një ekip që ka shumë nevojë për pikë, për të siguruar 4-shen e parë. Nevojën për pikë e tregon shumë qartë renditja. Nga java në javë ka ndryshime. Humbja me Egnatian na dëmtoi, por kundërshtari e meritoi fitoren. Na goditi me standarde dhe fitoi në sajë të eksperiencës që ka në përbërje. Duhet theksuar edhe fakti që, ndryshe nga Egnatia, Lushnja përgatitet në kushte shumë të vështira. Ne jemi një ekip i ri dhe e patëm të pamundur të reagonim. Tani mendojmë ndeshjen e radhës me Tomorin, për t’iu rikthyer rezultatit pozitiv. Gjendja në tabelë kërkon pikë”.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"