Bicaj drejt largimit nga Teuta, Tirana i “mat pulsin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2018 | 11:17

Bicaj drejt largimit nga Teuta, Tirana i “mat pulsin”

Ditmar Bicaj dhe Teuta duket se nuk kanë rrugë të njëjta. Por rrugët e Ditmar Bicajt dhe Tiranës mund të takohen nga janari e në vazhdim. Është ky lajmi më i fundit që vjen nga merkatoja e bardhebluve dhe Teutës.

ditmar bicaj

Kështu, situata te Teuta ka ndryshuar me Ditmar Bicajn, i cili duket se për shumë arsye është larg planeve të ekipit durrsak. Edhe pse nuk ka një ndarje përfundimtare, ajo mund të bëhet zyrtare në ditët në vazhdim, me mbrojtësin që tani duhet të gjejë një skuadër tjetër. Ditmar Bicaj vetëm në verë u bë zyrtarisht futbollisti i Teutës për sezonin aktual. Pas largimit nga Flamurtari, ai shihej më shumë afër Skënderbeut, por durrsakët u treguan më të shpejtë duke “rrëmbyer” lezhjanin.

TIRANA – Menjëherë në skenë për të marrë mbrojtësin shtatlartë kanë dalë bardheblutë. Drejtuesit e skuadrës po vëzhgojnë lëvizjet e mbrojtësit me klubin e mëparshëm. Drejtuesit e merkatos po monitorojnë situatën dhe nëse trajneri Ardian Mema dhe presidenti Refik Halili japin OK-in, mund t’i bëjnë një ofertë mbrojtësit që më parë ka qenë pjesë e Tiranës në sezonin 2009-2010. Asokohe lojtari aktivizohej në 14 takime duke mos shënuar asnjë gol. Kujtojmë që Bicaj e ka mundur këtë sezon i vetëm Tiranën. Me dy gola të shënuar në ndeshjen e dytë mes bardhebluve dhe Teutës, Bicaj shënoi dy golat në Shijak në atë fitore me përmbysje të “djemve të detit”.

tirana

Edhe në mars të 2015-ës, Ditmar Bicaj iu bashkua Tiranës në stërvitje. Bici asokohe vijonte çështjen gjyqësore me skuadrën iraniane Traktor Sazi për të prishur kontratën. Në pamundësi për t’u federuar me bardheblutë, mbrojtësi u stërvit me bardheblutë, por në fund të sezonit zgjodhi të luajë me Partizanin. Eksperienca e Bicajt pritet t’i vijë në ndihmë Tiranës, që do të synojë surprizën në këtë fazë të dytë të sezonit. Kujtojmë se Bicaj ka luajtur pothuajse me të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore, duke filluar nga Dinamoja dhe veç Flamurtarit, është aktivizuar edhe me Skënderbeun, Partizanin, Tiranën, por edhe në skuadra jashtë vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"