Beratasit në krizë rezultatesh. Tomori e ka si finale, trajneri Ziu: Të mposhtim fierakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2024 | 9:45

Beratasit në krizë rezultatesh. Tomori e ka si finale, trajneri Ziu: Të mposhtim fierakët

Ndeshja e radhës me Apoloninë, të dielën në orën 13:30 në Berat, ka zgjuar një interesim të madh, pasi ekipi vjen pas një barazimi me vlerë në transfertën kundër Lushnjës. Tomorit do t’i duhet të shfrytëzojë sa më mirë faktorin fushë, me qëllim që të marrë pikët maksimale në shtëpi përballë çdo kundërshtari dhe përjashtim në këtë rast nuk bën as Apolonia.

febron ziu

Tomori ka dalë hapur se është përgatitur për të fituar dhe se do të japë gjithçka në fushë për të marrë pikët maksimale, të cilat do të rikthenin plotësisht në garën e mbijetesës skuadrën e drejtuar nga Febron Ziu. Madje është vetë trajneri që ka konfirmuar për “Panorama Sport”, se skuadra do të futet në fushë vetëm për fitore. “Barazimi në Lushnjë ka dhënë një efekt shumë pozitiv, pasi i gjithë ambienti brenda skuadrës, por edhe faktorët tanë mbështetës kanë reflektuar një pozitivistet të dukshëm, që është përcjellë më së shumti te skuadra.

Kjo e fundit gjatë gjithë kësaj jave ka shfaqur një mobilizim të dukshëm, që besoj shumë se do ta përcjellë në të njëjtën mënyrë edhe në ndeshjen e së dielës ndaj Apolonisë. Kundërshtari ynë është një skuadër që luan një futboll të bukur dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht atë, por në kushtet kur Tomorit i nevojiten vetëm pikët maksimale, atëherë kemi punuar dhe do të futemi në fushë vetëm për të fituar.

Faktori fushë është padyshim një avantazh të cilin nuk duhet ta shpërdorojmë. Futbollistët e vlerësojnë këtë dhe kanë treguar një impenjim maksimal për takimin me Apoloninë. Unë kam shumë besim te forca e tyre”, deklaroi Ziu.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"