Begeja: Talentet e Shkëndijës duhet të vijnë te Teuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2016 | 14:11

Begeja: Talentet e Shkëndijës duhet të vijnë te Teuta

Të rinjtë e Teutës udhëheqin kampi onatin e Kategorisë Superiore U-19 për Grupin B. Pas 21 ndeshjesh, durrsakët janë të parët me tri pikë më shumë se Skënderbeu, që është rivali direkt për këtë kampionat. Begeja, trajneri i Teutes

Në një bisedë për “Panorama Sport”, trajneri i Teutës U-19, Gentjan Begeja, tregon për punën që po bëhet me moshat në Durrës. Teksa flet për sukseset e deritanishme, Begeja kërkon më shumë bashkëpunim nga shkolla e mjeshtërisë sportive, Shkëndija e Durrësit, që gjithashtu përfaqësohet në kampionatet e moshave U-17 dhe U-19.

Begeja, Teuta për të rinj që ju drejtoni, po kryeson kampionatin. Na tregoni pak, si po punohet me akademinë në Durrës?

Është bërë realisht një punë e mirë. Drejtori i përgjithshëm i akademisë, Gentian Dudushi, po e mirëmenaxhon këtë sektor, duke treguar impenjim maksimal, së bashku me drejtorin teknik, profesor Hito Hitajn. Por, është një staf i tërë me trajnerët e tjerë, duke filluar nga mosha 7 vjeç dhe deri kur vijnë tek të rinjtë. Është një punë kolosale që bëhet dhe kur flas për impenjim, nuk flas vetëm për ekipin që drejtoj, por dhe ato të moshave të tjera, pra në tërësi si akademi.

Sa futbollistë stërviten aktualisht në akademinë e Teutës?

Aktualisht mbi 300 fëmijë janë pjesë e akademisë, madje për çdo grupmoshë ka nga dytre skuadra. Kjo na e bën më të lehtë seleksionimin dhe afrimin e lojtarëve cilësorë. Është një punë që koordinohet mjaft mirë edhe me ekipin e parë të Teutës.

Na flisni pak për ekipin që drejtoni, ka elementë që pritet të shpërthejnë?

Këta lojtarë që stërvis, kanë vite që janë pjesë e akademisë dhe nuk janë rastësisht këtu. Realisht jam i kënaqur, por gjithmonë ka vend për përmirësime dhe unë jam shumë kërkues ndaj lojtarëve të mi. Nuk mund të veçoj ndonjë emër konkret, edhe pse ka lojtarë që kanë potencial dhe kanë premisa të mira. Për arsye profesionale dhe për faktin se po punoj çdo ditë me ta, nuk mund të them emra.

Cila është problematika që shqetëson kampionatin U-19?

Probleme ka gjithmonë dhe në të gjitha kategoritë, por në këto vitet e fundit ka përmirësime të ndjeshme në cilësi, fusha apo edhe arbitrim. Edhe nëse ka gabime polemikat nuk kthejnë asgjë mbrapsht.

Si i keni raportet me kolegët e moshave dhe trajnerin e ekipit të parë, Magani?

Kemi raporte, si miqësore, po ashtu dhe profesionale. Unë ndjek shumë ekipet e moshave dhe, në disa raste, kam grumbulluar tek U-19 lojtarë nga ekipi U-17, që drejtohet nga Shpëtim Kuçi. Ashtu si në pjesën më të madhe të ndeshjeve, trajneri i ekipit të parë, Gugash Magani, dhe stafi i tij vijnë dhe ndjekin të rinjtë në ndeshjet që bëjmë. Madje në ndeshjen e luajtur në Korçë, për të ndjekur ekipin, përveç drejtuesve të akademisë, kanë qenë Magani dhe shefi i klubit, Salillari. Me dy ekipe përfaqësohet edhe Shkëndija e Durrësit.

A ka bashkëpunim klubi i Teutës me shkollën e mjeshtërisë sportive për lojtarët?

Ne jemi kolegë dhe e respektojmë njëri-tjetrin, por do të doja më shumë dashamirësi nga shkolla e mjeshtërisë. Lojtarët cilësorë të tyre duhet të lejoheshin që të jenë pjesë e akademisë së Teutës për vetë kushtet favorizuese. Vëmendja që ata do të kenë nga trajnerët e akademisë dhe ekipi i parë i Teutës është në të mirë të lojtarëve dhe qytetit. Në fund të fundit, për këtë qytet do të luajnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"