Basket meshkuj: Shkodra në delir, Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2013 | 10:06

Basket meshkuj: Shkodra në delir, Vllaznia fiton Kupën e Shqipërisë

vllaznia1-800x415VLLAZNIA-TIRANA 105-83 (30-15, 33-13, 19-20, 19-23
VLLAZNIA: Ndoja, Bërdica, Sarajlija, Xhokoviç, Arra. (U aktivizuan: (Rrahishta, Bekteshi, Hallunaj, Shestani, Huti) Trajner: B. Gjeçaj
TIRANA: Vogli, Ago, Vaqarri, Lasku, Hasani (U aktivizuan: Mara, Kadija, Gjyzeli). Trajner: B. Shehu
GJYQTARË: E. Koçi, E. Hoxhaj, M. Kasemi

Triumf spektakolar! Një natë e magjishme për Vllazninë në basketbollin e meshkujve! E tillë ka rezultuar finalja e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës, që u fitua nga kuqeblutë 105-83. Që nga hyrja e në çdo cep tifozët shkodranë kishin mbushur pallatin e sportit. Vllaznia që në periodën e parë tregon supremacinë absolute. Kuqeblutë fitojnë me 15 pikë diferencë, 30-15, patjetër të mjaftueshme për të treguar forcën e kësaj skuadre. Malazezi Xhokoviç e kroati Sarajlija janë spektakolarë në lojën e tyre. Thuajse në çdo gjuajtje nga largësia tregohen të saktë për 3 pikë. Në periodën e dytë Vllaznia fiton 33-13, kësaj here me 20 pikë diferencë. Pas pjesës së parë shkodranët kryesojnë 67-38, praktikisht duke e mbyllur që këtu finalen. Pavarësisht epërsisë absolute, trajneri i kuqebluve Bledar Gjeçaj kërkon kujdes nga ekipi i tij. Në periodën e tretë Tirana balancon disi, sepse fiton me një pikë diferencë 20-19. Në 10- minutëshin e fundit, në të cilin festa e tifozëve nis pa përfunduar takimi, Vllaznia në fushën e lojës është me ekipin e dytë, të gjithë të rinj. Për Tiranën Kadia dhe Lasku, dy prej më të mirëve, lënë parketin pas 5 gabimeve personale secili, duke e lënë të mangët ekipin e tyre. Problemet shtohen më shumë për trajnerin Bujar Shehu. Vllaznia në periodën e katërt humb 19-23, por fiton krejt ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm 105-83, duke marrë një fitore bindëse dhe totalisht të merituar. Për Vllazninë, Sarajlija është pikëshënuesi më i mirë (me 29 pikë të realizuara), më pas renditet Gjon Ndoja i kuqebluve (me 24 pikë). Vogli i Tiranës ka realizuar 22 pikë dhe më pas ndër më të mirët është Xhokoviç i Vllaznisë me 19 pikë. Kuqeblutë rikthehen te trofeu pas 13 viteve mungesë që nga sezoni 1999-2000, kur fitonin titullin kampion. Vllaznia është në rrugë të mbarë edhe për titullin kampion të këtij sezoni, teksa deri tani nuk ka asnjë humbje, duke i bërë këtij qyteti një dhuratë shumë të bukur në prag festash.

Trajneri i Vllaznisë
“Jemi emocionuar të gjithë pafund. Një tifozëri e mrekullueshme, që krijoi një atmosferë mjaft të ndezur, e cila i dha një bukuri kësaj finaleje. Shkodra tregoi veten e saj, ndërsa ekipi iu përgjigj mjaft mirë duke e justifikuar besimin dhe mbështetjen e madhe të tyre. Basketbollistët zbatuan me përpikëri detyrat dhe ishin të saktë, sidomos me gjuajtjet nga largësia. Për këtë sukses kaq të madh, falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur”, – tha trajneri i Vllaznisë, Bledar Gjeçaj.

Trajneri i Tiranës
“Ishte një sfidë sportive, që na kënaqi të gjithëve. Një mjedis sportiv, nga i cili duhet të marrë shembull e gjithë Shqipëria. U zhvillua një ndeshje me nivel. Ne u munduam që të bënim më të mirën, por e patëm të pamundur ta thyenim Vllazninë. Shkodranët e merituan plotësisht këtë trofe të fituar. Shpresoj që Vllaznia të vijojë më këtë ritëm edhe vitet e tjera. Shkodranët janë rikthyer në ditët e tyre të arta si në vitet ‘96-2000, kur shpalleshin kampionë të vendit”, – deklaroi trajneri i Tiranës, Bujar Shehu.
SENAD NIKSHIQI

MESHKUJ
LIBRI I ARTË
1951 PARTIZANI
1952 GARNIZONI I TIRANËS (PARTIZANI)
1956 DURRËSI
1957 VLLAZNIA
1958 VLLAZNIA
1960 PARTIZANI
1961 17 NËNTORI
1962 17 NËNTORI
1963 17 NËNTORI
1965 LOKOMOTIVA
1966 VLLAZNIA
1967 VLLAZNIA
1968 VLLAZNIA
1969 17 NËNTORI
1970 PARTIZANI
1971 17 NËNTORI
1972 PARTIZANI
1973 17 NËNTORI
1974 DINAMO
1975 PARTIZANI
1976 PARTIZANI
1977 17 NËNTORI
1978 PARTIZANI
1979 DINAMO
1980 PARTIZANI
1981 VLLAZNIA
1982 PARTIZANI*
1983 PARTIZANI
1984 PARTIZANI
1985 VLLAZNIA
1986 DINAMO
1987 PARTIZANI
1988 17 NËNTORI
1989 PARTIZANI
1990 PARTIZANI
1991 DINAMO
1992 DINAMO
1993 DINAMO
1994 VLLAZNIA
1995 PARTIZANI
1996 VLLAZNIA
1997 STUDENTI
1998 VLLAZNIA*
1999 DINAMO
2000 TIRANA
2001 TIRANA*
2002 TIRANA
2003 VALBONA
2004 VALBONA
2005 VALBONA
2006 VALBONA
2007 TIRANA
2008 TIRANA
2009 TIRANA
2010 STUDENTI
2011 B.TIRANA.M
2012 KAMZA BASKET
2013 VLLAZNIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"