Barça me “7 ballë”, Reali vuan në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2013 | 13:47

Barça me “7 ballë”, Reali vuan në start

BarcelonaStart bombastik i Barcelonës në La Liga. “Tata” Martino e nis aventurën e tij në kampionatin spanjoll me një 7-0 ndaj Levantes, rezultat që konfirmoi që në javën e parë një tjetër sezon me diferenca humnere mes boshtit Barcelona- Real dhe 18 ekipeve të tjera të Primera Divizion.
“Batica” katalanase Barcelona lodhet vetëm dy minuta e gjysmë për të zhbllokuar rezultatin: Një tikitaka mes Ksavit dhe Fabregasit, nxjerr Ceskun në pozicion të volitshëm, por mesfushori vendos të shërbejë për Sançezin që i mbetet vetëm ta shtyjë topin në rrjetë. Nuk kalojnë as 10 minuta dhe Mesi vendos të tregojë se ka kaluar shumë kohë nga hera e fundit që ka shënuar në kampionat, duke hapur llogarinë e tij personale pas një asisti të Pedros. 3-0 vjen në gjysmën e pjesës së parë dhe është fryt i një kombinimi shumë të shpejtë në limitet e zonës mes Mesit, Fabregasit dhe Alveshit: finalizon braziliani dhe është asisti i dytë për Cesk. “Topi i Artë” nuk do të mbetet më pas me bujarinë për shokët dhe në minutën e 26-të shërben në mënyrë perfekte për Pedron, nga vjen pokeri i kampionëve. Përpara intervalit, shiu që bie mbi Levanten bëhet më i dendur: nga penalltia vjen dopieta e Mesit dhe “manita” e parë për Martinon. Por, argjentinasi nuk do e shijonte shumë këtë shuplakë, sepse ka kohë edhe për Ksavin që të hyjë në tabelën e shënuesve që në pjesën e parë: fantazisti shfrytëzon një parashutë spektakolare të Fabregasit. Asistet e Fabregasit do të bëhen 4 në pjesën e dytë, kur një përgjumje e frikshme e mbrojtjes së Kaparrosit i lejon dopietën edhe Pedros që vulos 7-0. Po Nejmari? Hyn në minutën e 64-t në vend të Sançezit: merr një të verdhë, golin e kërkon me çdo mënyrë, por në fund nuk e gjen dot. Do të jetë për një herë tjetër. Tërmeti “7 ballësh” mjafton si fillim…
RealiReali Përgjigja e Realit kalon nga ndeshja e “Bernabeu”-t me Betisin. Dhe në fund vjen një fitore me përmbysje 2-1. Ançeloti debuton me një fitore, por starti i madrilenëve është një makth i vërtetë: andaluzianët vënë menjëherë në provë mekanizmat mbrojtës të Realit duke shfrytëzuar shpejtësinë e Çedrik, i cili i dorëzon topin e avantazhit Molinës. Diego Lopez i preferuar në vend të Kasijasit, e kishte shpëtuar portën pak çaste më parë, por jo në minutën e 14-të. Verdu shpërdoron topin e artë për golin e dytë dhe Reali duket totalisht i çorientuar. Sa herë avancon, sulmuesit janë gjithnjë një pozicion jashtë loje, ndërsa kur mbrohen e kanë të vështirë të ndalojnë sulmet e miqve. Por, mendon Isko për t’iu prezantuar tifozëve me një asist në minutën e 26-të për Benzemanë, diagonalja e të cilit është precize. Ndeshja bëhet emocionuese, ndërsa përpara intervalit rastet më të mira i ka Betisi me Molinën, Nosan (trondit traversën) dhe Matijan. Në pjesën e dytë, Ronaldo (i cili festonte ndeshjen e tij të 200- të zyrtare me fanellën e Realit), tregon me një të djathtë që shkund traversën se Reali nuk pajtohet me 1 pikë. Sërish portugezi dhe Di Maria trembin Andersenin, edhe pse djemtë e Mel mund të kalojnë sërish në avantazh nëse Mosa do shfrytëzonte më mirë një krosim. Katër minuta nga fundi mendon sërish Isko për të nxjerrë nga telashet “galaktikët”, me një goditje spektakolare me kokë pas krosimit të Marselos. Ançeloti merr frymë lirisht. Ka ende punë për të bërë, por hapi i parë fals u evitua.

“Ky është ende ekipi i Guardiolës, Mesin e zëvendësova për ta kursyer”
Hera e fundit që Leo Mesi qe zëvendësuar jo për shkaqe dëmtimi ishte maji i 2010-ës dhe skuadrën e drejtonte Guardiola. Por Martino “guxoi” ta bënte që në takimin e tij të parë në kampionat, duke e lënë argjentinasin me Nejmarin vetëm 7 minuta në fushë. “Ishte një ndeshje e parë shumë e mirë. Konceptet që ne donim të përmirësonim, i përmirësuam. Nuk ishte diçka e re. Përkundrazi ishin konceptet e vjetra me të cilat arritëm këtë fitore. Shënuam një gol pas një presingu, pastaj shkelëm çdo pëllëmbë të fushës. Ky është vetëm fillimi. Ishte vetëm ndeshja e parë, por unë isha nervoz. Mesi? Do të ishte çmenduri sikur ta zëvendësoja në një ndeshje të fortë. Por Leo është inteligjent. Fola me të dhe vendosa t’i jap dozën e duhur të ngarkesës pas dëmtimit”.

“Jam thuajse në 100% të formës”
Të gjithë prisnin debutimin e dyshes Nejmar-Mesi që nga minuta e parë, por Martino e shtyu atë për javën tjetër. E ashtuquajtura dyshja e ëndrrave qëndroi vetëm 7 minuta në fushë. “Unë jam i lumtur që debutova në ndeshjen e parë zyrtare të Barcelonës. Ishte një takim spektakolar me gola shumë të bukur. Gjendja fizike? Jam pothuajse në 100% të formës”, – tha Nejmar pas debutimit në La Liga.

Ançeloti: S’kam ende një titullar për portën
Karlo Ançeloti i befasoi të gjithë kur përsëriti lëvizjen e ish-trajnerit Murinjo në portë. Kundër Betisit, kapiteni Kasijas ndenji në stol dhe porta iu besua Lopezit. “Janë vendime që i vendosin detajet. Për këtë ndeshje, portieri ishte Diego. Fola me Kasijasin dhe ai u tregua një profesionist. Ka të drejtë të luajë, dhe kjo është normale. A do të jetë Lopezi portieri titullar? Sot (dje) po. Të shohim se ç’do ndodhë në të ardhmen”, – tha tekniku italian. “Mund të përmirësohemi më tej. Problemet në këtë ndeshje i patëm në mbrojtje. Kishte shumë hapësirë mes reparteve”, – përfundoi trajneri i Realit, i cili humbi edhe Khedirën si pasojë e një dëmtimi.

“Ishte goli im i parë me kokë”
“Donim ta nisnim me një fitore në shtëpi dhe ia dolëm. Pavarësisht lojës, të rëndësishme janë tri pikët. Shënova golin tim të parë me kokë në karrierë dhe jam shumë i lumtur që i dha edhe tri pikët skuadrës. Në pjesën e parë Betisi na vuri në vështirësi, por me kalimin e minutave u përmirësuam”, – tha heroi i ndeshjes, Isko, pas asistit dhe golit në debutimin e tij.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"