Ç’barazim i Partizanit, Mamurrasi është i dyti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2012 | 16:06

Ç’barazim i Partizanit, Mamurrasi është i dyti

Nga ndeshja Partizani-Gramshi 1-0

Ndeshja Himara-Partizani, e luajtur në fushën asnjanëse të Sarandës, ka nisur e tensionuar dhe është luajtur e tillë. Të kuqtë vihen në kërkim të golit dhe fitores, si e vetmja mundësi për të ruajtur pozitat kryesuese, në ndjekje të Lushnjës, ndërsa himarjotët nuk hapin rrugë. Ka një moment për t’u evidentuar që në minutën e 2-të të ndeshjes, kur trajneri i Himarës, Roland Nenaj, konteston ashpër një vendim të gjyqtarit. Ky i fundit, Andi Koci nga Durrësi, i tregon atij kartonin e kuq, ndërsa forcat policore e nxjerrin jashtë fushe ish-lojtarin elegant të Flamurtarit. Ka dëshirë të madhe të Partizanit për të konkretizuar dominimin që i bën lojës, por nuk gjen dot njeriun për të finalizuar. Gabojnë shumë të besuarit e Nikolin Cocllit përpara portës kundërshtare, teksa rasti më flagrant është ai i Brahos në minutën e 37-të. Gjirokastriti, edhe pse gjendet i vetëm me portën himarjote, e dërgon topin në shtyllë, duke humbur mundësinë më të shkëlqyer të pjesës së parë, e cila mbyllet pa gola. 45 minutat e mbetura vijojnë të jenë dialog i gjatë mes përpjekjeve të dëshpëruara të të kuqve për të shënuar dhe qëndresës së admirueshme të himarjotëve. Partizani është konfuz, madje e humbet orientimin me kalimin e minutave, pasi shtohet presioni dhe ngarkesa psikologjike e fitores me cdo kusht. Mundohet të godasë me kundërsulm Himara, duke parë se të kuqtë dalin nga detyrat dhe harrojnë prapavijën, derisa del në dritë edhe ndëshkimi fatal për kryeqytetasit. Veshaj, në minutën e 75-të, ka shënuar dhe i ka shokuar të kuqtë. Fundi i ballafaqimit do të ishte dramatik, teksa kryesori akordon tetë minuta shtesë për ndërprerje të lojës. Dhe kur pritej vërshëllima e fundit e tij, Peposhi godet nga distanca, por duke e dërguar topin në trekëndëshin e portës himarjote. Në gjunjë lojtarët e kësaj të fundit, që u ikën nga duart një trepikësh me mjaft vlera. Njëlloj ngushëllimi për Partizanin ky barazim, që evitojnë humbjen e dytë radhazi. Me 20 pikë të grumbulluara deri më tani, po aq sa Tërbuni, të kuqtë ndajnë vendin e tretë dhe të katërt me pukjanët.
Mamurrasi i dyti  Mamurrasi luante ndeshjen e dytë radhazi në fushën e vet. Pasi triumfoi pastër ndaj të kuqve, me rezultatin 3-0, nuk e kishte aq të vështirë në letër kësaj here, duke pasur përballë velipojakët e Adës. Formacioni i Sinan Bardhit, me një karikim maksimal psikologjik e moral, është derdhur në sulm që në fillim, duke mos vonuar ta nxjerrin në dritë edhe golin e parë. Mesfushori Malaj godet nga distanca, pa shumë pretendime, në minutën e 19-të, por gafa e portierit mik bën që topi të përfundojë në rrjetë. Zhbllokohet sfida, me Mamurrasin që e sheh veten në epërsi. Nuk ndalen këtu vendësit, pasi duan të shënojnë edhe golin e dytë e të sigurisë. I takon Selacit për ta bërë realitet këtë gjë, në minutën e 33-të, kur i ngre shifrat në 2-0. Sidoqoftë, gëzimi i epërsisë së dyfishtë nuk zgjat shumë, sepse dy minuta më pas shkurtojnë diferencën velipojakët. Ish-lojtari i Vllaznisë, Doci, finalizon një aksion të shpejtë të të tijve, duke vulosur edhe rezultatin e pjesës së parë. Që mbyllet në favor të mamurrzakëve, me rezultatin 2-1. Nuk ka forcë për të reaguar skuadra e Ridvan Kullit, e cila detyrohet t’i nënshtrohet presionit të vendasve, që shënojnë edhe golin e tretë me Metajn, në minutën e 76-të, duke vulosur tri pikë të tjera, në llogarinë momentale prej 21 të tillash. Falë të cilave pozicionohet i dyti tashmë, me tri pikë më pak se lushnjarët e kreut.

Kategoria e Parë, java e 11-të
HIMARA-PARTIZANI  1-1
Golat: Veshaj 75′ / Peposhi 90+8’

MAMURRASI-ADA    3-1
Golat: Malaj 19′, Selaci 33′ / Doci 35′, Metaj 76′

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"