“Lushnjës i duhen edhe dy blerje “big”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:53

“Lushnjës i duhen edhe dy blerje “big”

Lushnja i ka mbyllur përgatitjet në plazhin e Divjakës. Ekipi është stërvitur për 10 ditë, ku stafi teknik ka punuar shumë për t’u dhënë ngarkesën e duhur futbollistëve. Kampionati po afron, ndaj skuadra duhet të arrijë formën më të mirë. Të shtunën skuadra ka zhvilluar një test kontrolli brenda familjes, kur trajneri Artan Bano ka parë nga afër formën e lojtarëve dhe ka provuar edhe formacionin që pritet të përdorë në kampionat.
Trajneri Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri thotë: “Kemi mbaruar përgatitjet në Divjakë, kur unë së bashku me kolegun Dritan Çuko kemi mbetur shumë të kënaqur. Ekipi ka punuar fort dhe ka marrë 100% të ngarkesës duke përballuar të dyja seancat stërvitore me sukses e për më shumë nuk kemi pasur asnjë të dëmtuar nga ngarkesat. Lojtarët kanë qenë shumë të përkushtuar. Kanë mbajtur një regjim të mirë, ndaj gëzojnë një formë të mirë sportive, e cila do të vijë në rritje. Kemi marrë maksimumin nga faza përgatitore”, thotë Bano. Skuadra vijon të jetë ende në ethet e merkatos, teksa drejtuesit janë hedhur në kërkim të një sulmuesi, por nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë afrimi tjetër. “Ne jemi ende në merkato, por tani duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm pasi kërkojmë lojtarë cilësorë, 1-2 të tillë. Drejtuesit e ekipit janë në bisedime me disa futbollistë dhe them se shumë shpejt do të kemi afrime të cilat do të na forcojnë edhe më shumë, duke na bërë një ekip të plotësuar në çdo repart”, vazhdon Bano. Ndërkaq, stafi ka programuar që gjatë javëve në vazhdim deri në startin e kampionatit të zhvillojë disa ndeshje miqësore. Gjatë këtyre takimeve, trajneri do të vendosë përfundimisht edhe për formacionin.
Gjorgeviç Serbi Millan Gjorgeviç duket se nuk e ka bindur shumë stafin teknik në testin e zhvilluar të shtunën. Megjithatë, ai do të vëzhgohet mirë edhe në ditët e para të javës dhe më pas do të vendoset përfundimisht nëse do të jetë apo jo pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm.
ARMAND NEZHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"