Bajerni merr hak, e nis me Superkupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:53

Bajerni merr hak, e nis me Superkupën

Bajerni i Mynihut – Dortmund 2-1
Golat: Manxukiç 6’, Myler 11’/ Levandovski 75’
B.Mynih (4-2-3-1): Nojer, Lahm, Dante, Boateng, Çan (Badshtuber 70’), Luiz Gustavo, Kros, Roben (Shaqiri 85’), Myler, Riberi (Timoshuk 80’), Manxukiç Trajner: Jup Hejnkes
Dortmundi (4-2-3-1): Vaidenfeler, Pisçek, Subotiç, Humels, Shmelcer, Gyndogan, Laitner (Gëce 64’), Blasçikovski (Shieber 71’), Rojs, Groskrojc (Perisiç 64’), Levandovski Trajner: Jurgen Klop
Gjyqtar: Mikael Vajner
Kartonë të verdhë: Gustavo 28’, Çan 37’, Manxukiç 68’, Roben 81’/ Shmelcer 42’

Bajerni i Mynihut fiton trofeun e parë zyrtar pas dy vitesh. Superkupa e 13-të e Gjermanisë është fituar pikërisht nga rekordmenët gjermanë në një duel të zjarrtë përballë kampionëve të Gjermanisë, Borusias së Dortmundit. Më në fund, pas 5 humbjeve radhazi, klubi bavarez reagon ashpër, me agresivitet dhe rezultat duke u hakmarrë ndaj kampionëve të Gjermanisë. Pas humbjes së finales së Kupës 5-2, Bajerni ia kthen duke i mundur 2-0 dhe duke ngritur trofeun e katërt zyrtar të Superkupës.
Formacionet – Trajneri Jup Hejnkes, pas mungesave të shumta, arriti të projektojë formacionin më të mirë, duke lënë pushim edhe Shvajnshtaigerin. Ndryshe nga ç’pritej, Boateng dhe Dante pozicionohen në qendërmbrojtje, ndërsa Emre Çan në të majtë dhe në sulm Hejnkes i beson Manxukiçit. Kurse Jurgen Klop luan me Marko Rojsin, i cili ka luajtur rolin e Kagavës, ndërsa Gëce qëndroi në stol duke u aktivizuar në minutën e 64-të.
Pjesa e parë – Me synimin për të marrë hak dhe për të fituar vendin e titullarit, formacioni kryesor e dha rezultatin që në 11 minutat e para, kur bavarezët ndëshkojnë Dortmundin me dy gola. Ishte Mario Manxukiç që shënon në minutën e 6-të, pas dhënies së asistit nga Riberi. Kroati me fanellën numër 9 ka debutuar me gol në ndeshjen e parë zyrtare. Ka qenë po Manxukiç, që lëshon një asist për Roben në minutën e 11-të. Holandezi godet shtyllën, por pas rikoshetës, ishte Myler që shënon golin e dytë. Rezultati i pjesës së parë mbyllet në 2-0.
Pjesa e dytë – Duke mos pranuar humbjen, Dortmundi starton furishëm 45 minutat e dyta. Në minutën 55 ndërpritet loja për disa sekonda, pasi një prej tifozëve futet në fushë. Loja vazhdon me ritëm nga miqtë, por Bajerni e kontrollon shumë bukur lojën. Në minutën e 64-të do të vinte një driblim gjenial nga Roben, por portieri Vajdenfeler e grushton topin duke e çuar në goditje këndi. Tre minuta më vonë kërcënon Dortmundi, por Levandovski gabon. Këtë gabim e shlyen në minutën e 75-të, duke gjunjëzuar portierin Manuel Nojer dhe ngushtuar diferencën në 1-2. Debutimi i Xherdanit do vinte në minutën e 85-të, kur zëvendësoi Robenin. Talenti kosovar u duartrokit dhe rezultati mbeti i pandryshuar. Pati polemika për një prekje me dorë nga kapiteni Lahm në minutën e fundit, por për gjyqtarin Vajner çdo gjë ishte e rregullt.

Hejnkes: U çliruam psikologjikisht
Jup Hejnkes ndihet shumë i lumtur që arrin të prekë një trofe me dorë si trajner i Bajernit. “Ishim më shumë të përqendruar në anën sportive. Në pjesën e parë ishim shumë të organizuar, disiplinuar dhe treguam agresivitet në lojë duke shënuar dy gola që në fillim. Ndërsa, në pjesën e dytë, Dortmundi u zgjua duke rritur tempin e lojës dhe ushtruar presion. Aty e humbëm ekuilibrin. Megjithatë, kjo fitore na shërben më shumë nga ana psikologjike, të cilën e fituam në stadiumin tonë”, – u shpreh Hejnkes.

Klop: Ishim në gjumë, rezultati OK”
“Gabuam që në fillim. Nuk u treguam vigjilentë të përballeshim me rivalët tanë. Lojtarët dukeshin sikur ishin në gjumë dhe ishin këto momente që na ndëshkuan. Duhet të mbroheshim më mirë, prandaj edhe rezultati është OK, por në pjesën e dytë ishim skuadra më e mirë në fushë. Me pak fat edhe mund të kishim barazuar. Megjithatë, skuadra ende nuk është kolauduar mirë. Kemi ende punë për të bërë, për të arritur aty ku duhet. Ishte një ndëshkim që do na shërbejë”, – tha Klop.

Roben: Ishte i pari, jemi në rrugë të mbarë
Arjen Roben shkëlqeu ndaj Dortmundit dhe ndihet i çliruar që mori hak ndaj tyre. “Kjo fitore ishte e rëndësishme për ne. Duhet të tregonim atë çka dimë të bëjmë. Jemi në rrugë të mbarë, pasi më pëlqeu shumë sesi skuadra u mbrojt, sulmoi dhe si reagoi që në fillim. Kemi shumë për të dhënë. Ishte titulli i parë dhe të tjerat do të vijnë më pas. Jemi gati për sezonin e ri dhe ta ndëshkojmë sërish Dortmundin. Treguam qartë vizionet dhe kualitetin në fushë”, – deklaroi holandezi Arjen Roben.

LIBRI I ARTË
1987 Bajerni i Mynihut
1988 Verder Bremen
1989 Dortmundi
1990 Bajerni i Mynihut
1991 Kaizerslautern
1992 Shtutgart
1993 Verder Bremen
1994 Verder Bremen
1995 Dortmund
1996 Dortmund
2010 Bajerni i Mynihut
2011 Shalke
2012 Bajerni i Mynihut
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"