“Baby” Tirana, afrohen 6 të rinj tek ekipi i Gallos. Nëntori, “malore” për bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2013 | 12:45

“Baby” Tirana, afrohen 6 të rinj tek ekipi i Gallos. Nëntori, “malore” për bardheblutë

tirana-flamurtari 0-2, Gallo bertet nga stoliHanc Llagami, Mateos Cake, Franc Doko, Orges Horanlli, Daniel Sula dhe Indrit Take janë gjashtë lojtarët e afruar dje nga skuadra U-19 tek ekipi i parë, që drejtohet nga Aplin Gallo. Humbja e Flamurtarit ditën e shtunë bëri të çorientoheshin gjithë kampin bardheblu dhe më së shumti drejtuesit, të cilët janë vënë në alarm. Jo më larg se pasditen e së dielës, administratori i klubit dhe trajneri kanë qenë të pranishëm në tribunë, duke ndjekur derbin Dinamo-Tirana (1-3) për U-19, me qëllim afrimin e disa lojtarëve nga kjo skuadër. Nisur nga deklarata e njërit prej donatorëve, Ndriçim Babasi, në “Panorama Sport”, klubi është vënë menjëherë në lëvizje dhe jo pa qëllim dje këta lojtarë janë vënë nën urdhrat e Alpin Gallos. Momentalisht janë përzgjedhur dy sulmues, dy mbrojtës dhe dy mesfushorë, si për të treguar se skuadra ka nevojë në të gjithë repartet. Ndërkohë, duhet thënë se që të gjashtë këta lojtarë aktivizohen thuajse rregullisht me skuadrën e moshave, e cila renditet në vend të nëntë me nëntë pikë: dy fitore, tri barazime dhe dy humbje. Dje ata kanë ndjekur udhëzimet e trajnerit dhe, me shumë gjasa, mund edhe të jenë pjesë e 18- shes në ndeshjen e nesërme ndaj Albpetrolit në Kupën e Shqipërisë. Gjithsesi, zor se ndonjëri prej tyre mund të luajë titullar, kjo edhe për faktin se Tirana humbi në ndeshjen e parë në Patos me rezultatin 1-0, ndaj do kërkojnë me çdo kusht që ta kthejnë këtë rezultat. Në këtë kontekst, pavarësisht zhgënjimit të madh që ekziston te drejtuesit dhe tifozët te lojtarët e konsideruar si titullarë, përsëri Gallo do mundohet të mos eksperimentojë, me qëllim që të mos rrezikojë eliminimin që në raundin e parë të këtij kompeticioni, i konsideruar, sipas donatorit Ndriçim Babasi, si objektivi primar për bardheblutë për këtë sezon. Sakaq, duhet thënë se afrimi i lojtarëve nga akademia do të çojë në largimin e disa të tjerëve në merkaton e janarit. Kështu, të rrezikuar për momentin janë Kaja, Kastrati, Gerc, Jovanoviç, Sorra, teksa Ergys Çaço, Blendi Vashaku dhe Glori Hoxha janë larguar përfundimisht nga bardheblutë. Klubi largoi gati 12 lojtarë titullarë nga sezoni i shkuar dhe afroi rreth 16 të tjerë, duke filluar nga Vashaku, Kaja, Kotobelli, Mumajezi, Peqini, Vrapi, Çaço, Çaushaj, Semedo, G.Hoxha, Kastrati, Kërçiku, Kurti, Gerc, Jovanoviç dhe Sorra, por deri tani një pjesë e madhe e këtyre kanë rezultuar si afrime të dështuara.

Stërvitja, mungojnë Muça dhe i riu Hoxhallari
Tirana ka vijuar dje me seancën stërvitore të radhës, në kuadër të ndeshjes së kthimit ndaj Albpetrolit për kupë që do ta luajë nesër. Trajneri Alpin Gallo është shqetësuar disi për dëmtimin e zv/kapitenit Gentian Muça, i cili u lëndua gjatë takimit me Flamurtarin. Ai nuk ka qenë i pranishëm dje në stërvitje, ndërkohë që dhe koha reale e rikuperimit të tij ende nuk dihet. Por nëse Muça nuk do të jetë për shkak dëmtimi, Hoxhallari do mungojë në ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Kukësit për shkak të pezullimit me kartonë. Në mes të kësaj problematike ka edhe dy lajme të mira, pasi dje i janë kthyer rregullisht stërvitjes qendërmbrojtësi Entonio Pashaj dhe mesfushori Afrim Taku. Ky i fundit kthehet pas pezullimit që mori prej kartonit të kuq në ndeshjen e javës së nëntë me Besën.

Nëntori, një “malore” për bardheblutë
Tirana ka shënuar humbje të njëpasnjëshme, aq sa sot për sot është krejt e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që të gjesh një tjetër sezon identik të kësaj skuadre në gjithë historinë e vet. Ajo çka bie më shumë në sy është fakti se kjo Tiranë nuk di të fitojë tashmë jo vetëm në transfertë, por as në fushën e vet. Dhjetë pikët e marra deri tani kanë ardhur nga tri fitore aspak bindëse në kryeqytet dhe një barazim që në javën e parë. Por “malorja” për këtë skuadër vjen pikërisht tani. Kalendari i rezervon ndeshje shumë të vështira (në fakt, për Tiranën nuk ka më ndeshje teorikisht të lehta) dhe më së shumti në transfertë, ku skuadra nuk ka marrë asnjë pikë, duke mos shënuar qoftë edhe një gol të vetëm. Ajo ka humbur në javën e tretë ndaj Vllaznisë në Shkodër (2-0), në javën e pestë me Teutën (2-0), në fushë asnjanëse në Kavajë, me Partizanin në derbi (1-0), me Albpetrolin në ndeshjen e parë për Kupën e Shqipërisë (1-0), humbje e cila solli edhe largimin (pezullimin) e teknikut Nevil Dede, si dhe në javën e nëntë ndaj Besës po në Kavajë (1-0). Mirëpo edhe e ardhmja nuk premton shumë. Këtë javë Tirana luan në Kukës, në një fushë tepër të vështirë dhe më pas me nisjen e fazës së dytë do udhëtojë drejt Laçit e Lushnjës. Vetëm më 7 dhjetor bardheblutë rikthehen në kryeqytet për javën e 14-të të Superiores.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"