Ndriçim Babasi: Do jemi tre sponsorë, ja plani për Tiranën

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Gusht 29, 2013 | 9:10

Ndriçim Babasi: Do jemi tre sponsorë, ja plani për Tiranën

Halili dhe Babasi ne stadiumNdriçim Babasi do të jetë një ndër tre sponsorët e Tiranës. Ai e ka pranuar një gjë të tillë zyrtarisht për “Panorama Sport”, teksa tregon planin që ai bashkë me dy biznesmenët e tjerë kanë për ekipin bardheblu. Babasi pohon se kjo nismë ka ardhur thjesht për të ndihmuar ekipin 24 herë kampion të vendit dhe se gjithçka do të jetë e përkohshme, në varësi të ecurisë së klubit.
Z.Babasi, jeni përfolur sot (dje) si një nga drejtuesit e rinj të Tiranës, sa e vërtetë është?
Pjesërisht dhe dua ta shpjegoj. Unë do të jem thjesht sponsor, pra një biznesmen, që do të jap parà që skuadra e Tiranës të rimëkëmbet. Por, këtu në Shqipëri, kur kalojnë fjalët bëhesh edhe president (qesh).
Pra, do të jeni vetëm sponsor?
Po. Pas kërkesës që më është bërë nga ana e kryebashkiakut Basha, nuk refuzova dhe jam i gatshëm që të sponsorizoj për ekipin e Tiranës.
Do jeni i vetëm, pasi në stadium ju pamë bashkë me Halilin?
Me sa di do jemi tre, unë, Halili dhe Morina. Të paktën ne ishim dje në takimin e zhvilluar me drejtuesit e klubit. Sa i përket Nurit, nuk kam të dhëna, ndaj nuk mund të flas.
Kur do të bëhet zyrtare kjo marrëveshje?
Ne gati jemi, vetëm presim që klubi të jetë më konkret në kërkesat e veta dhe sigurisht që këto të na parashtrohen. Më pas, ne si sponsorë do përcaktojmë shumën që do të hedhim, apo si.
Ju vetë, sa jeni i gatshëm të shpenzoni për Tiranën?
Pyetje e vështirë, por që s’i jap dot përgjigje tani. Vetëm pasi të na parashtrohen kërkesat dhe të bëjmë llogaritë tona, do konkretizohet edhe kjo pjesë.
Për ju futbolli nuk është terren i panjohur, pasi keni qenë sponsor edhe te Kastrioti…
Po, e vërtetë dhe më josh kjo pjesë, edhe pse dua ta pranoj që të jesh te Tirana është përgjegjësi shumë herë më e madhe. Dihen kërkesat dhe pretendimet që e ka ky klub, ndaj nuk është ndonjë nismë e lehtë.
Me drejtuesit diskutuat për ekipin?
Po, biseduam, por jo diçka shumë konkrete, pasi kjo pjesë nuk na takon ne.
Nuk do keni rol vendimmarrës ju si sponsor në ekip?
Jo, pasi kjo pjesë i takon pronares legjitime, që është bashkia. As me merkaton nuk do merremi dhe as me ekipin në fushë. Thjesht do të japim ndihmën tonë për një periudhë.
Ka vetëm 3 ditë kohë nga mbyllja e merkatos. A është kjo kohë e mjaftueshme, sipas jush, për të bërë një ekip?
Nëse financat janë, atëherë koha mjafton dhe ekipi mund të bëhet. Tirana do nderohet për të qenë dinjitoze këtë sezon, të jeni të sigurt.
Sot (dje) ishit në stadium, do vazhdoni të jeni edhe në ndeshjet e kampionatit?
Unë e kam ndjekur shpeshherë Tiranën, por jo gjithnjë mundësia të jepet që të jesh në stadium. Megjithatë, do e gjej kohën dhe do jem aty për t’i parë më nga afër bardheblutë.

Lika Ilion me SuperkupenPrapaskena, ja pse nuk u bë prezantimi
Pritej që dje te Tirana të prezantoheshin sponsorët e rinj. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, ndonëse flitej që gjatë pasdites ata do të zyrtarizoheshin edhe para mediave. Megjithatë, te bardheblutë gjërat kanë nisur të ndryshojnë, teksa dje dolën në skenë emra të rinj që do u bashkohen bardhebluve. Veç Refik Halilit, janë edhe Ndriçim Babasi e Alban Morina. Do të jenë pikërisht këta tre biznesmenët që do të sponsorizojnë skuadrën 24 herë kampione të vendit. Sakaq, Lutfi Nuri mësohet se është tërhequr, madje në takimin e zhvilluar dje pasdite në ambientet e klubit ai nuk ishte i pranishëm. Vetë zv. presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe pse kishte arritur një marrëveshje me bashkinë për t’u afruar si drejtues në klub, në limit ka njoftuar se nuk do të ishte prezent në mbledhje. Paqartësia e vetme është nëse kjo tërheqje ishte vetëm për atë takim, por do të jetë definitive. Gazeta u mundua të kontakte me të, duke e pyetur nëse kjo tërheqje është përfundimtare, apo thjesht një stepje e momentit, por nuk mundi dot të merrte një përgjigje. Sakaq, në një kohë që skuadra po zhvillonte një ndeshje miqësore, në tribunë erdhën Babasi dhe Halili. Ata qëndruan thuajse deri në fund të këtij takimi dhe më pas u larguan në zyrën e administratorit Alimehmeti, për të folur mbi detajet e marrëveshjes. Gjatë takimit u bashkua edhe një tjetër biznesmen dhe ish-sponsor i Apolonisë në vitin 1998, Morina. Të tre biznesmenët, pasi diskutuan, vendosën që akordin zyrtar ta mbyllin sot, pasi edhe klubi të paraqesë kërkesat e veta.

Ja çfarë ndodhi
1. Në mesditë qarkulloi në rrjetet sociale, por jo vetëm, lajmi se Nuri, Babasi, Morina dhe Halili do të ishin drejtuesit e rinj.
2. Rreth orës 16:00 doli një tjetër lajm që, në orën 17:00, në një bar pranë qendrës së kryeqytetit, do të bëhej prezantimi i tyre para mediave si sponsorë të Tiranës.
3. Më tej u spostua për në ambientet e klubit, pikërisht në orën 18:00, në një kohë që ekipi po zhvillonte një miqësore.
Por, nga ana e klubit, në asnjë moment nuk u konfirmua.
4. Në orën 18:00 erdhën Babasi dhe Halili, të cilët u ulën me Alimehmetin dhe ndoqën ndeshjen.
5. Në orën 19:00 miqësorja mbaroi, por prezantimi nuk u krye.
Thjesht, drejtuesit e klubit bashkë me Babasin, Halilin, por edhe Morinën zhvilluan një takim mes tyre.

Morina, sponsori tjetër i bardhebluve
Alban Morina është një tjetër biznesmen që do të sponsorizojë skuadrën e Tiranës për sezonin e ri futbollistik. Edhe për të futbolli nuk është aspak terren i panjohur, teksa kujtojmë që në vitin 2008 ai ka qenë sponsor i një tjetër skuadre, Apolonisë së Fierit. Morina nuk mungoi dje në takimin e zhvilluar, teksa ishte i pranishëm në ambientet e klubit bardheblu, së bashku me dy biznesmenët e tjerë që do të sponsorizojnë ekipin bardheblu.

Sot pritet mbyllja e marrëveshjes
Pasi kanë arritur akordin verbalisht, pritet që sot të mbyllet gjithçka dhe të bëhet zyrtare. Takimi, që u zhvillua dje mes Alimehmetit dhe treshes së biznesmenëve Babasi-Halili-Morina, ishte vetëm për të diskutuar mbi detajet e këtij pakti. Ata zhvilluan një mbledhje, e cila në fakt nuk zgjati shumë, por mjaftoi për të përcaktuar direktivat për takimin e radhës, që do të jetë pikërisht sot. Megjithatë, pritet që drejtuesit e klubit të kenë përgatitur një listë me kërkesa, që do ua parashtrojnë sponsorëve të rinj. Vetëm më pas, ata mund të nënshkruajnë edhe një kontratë, që kjo marrëveshje të jetë zyrtare.

baraninMarinkoviç dhe Baranin, dy serbë për qendrën e mbrojtjes
Milan Marinkoviç dhe Ljubo Baranin kanë nisur provën me Tiranën. Të dy futbollistët dje ishin pjesë e formacionit bardheblu, në miqësoren që u zhvillua kundër të rinjve të drejtuar nga Agustin Kola, ndërsa mbërritën gjatë mesditës në kryeqytet. Të dy vijnë nga Serbia dhe që të dy luajnë në qendër të mbrojtjes, njëri majtas dhe tjetri djathtas. Ata pritet që të qëndrojnë edhe maksimumi sot, nën vëzhgimin e trajnerit Nevil Dede, dhe më pas do të vendoset nëse mund t’u ofrohet një kontratë, apo do të kthehen andej nga erdhën. Në fakt, gjatë miqësores tekniku u la minuta të mjaftueshme për të treguar vlerat e tyre, por nuk dihet ende se çfarë impakti kanë lënë tek ai këto dy elemente. Marinkoviç është 27 vjeç dhe ka një karrierë jo shumë të pasur, teksa ka luajtur vetëm me skuadra si Sindeliç Nishan dhe me Gabalan në Azerbajxhan. Edhe mbrojtësi tjetër është 27 vjeç dhe ka luajtur me skuadra si: Dorcol, Beograd, Bezhanija, Gabala, Kapaz, Novi Pazar apo Celik Nikshiq. Të dy dallohen nga shtatlartësia, megjithatë fjala e fundit mbi ta i takon pikërisht stafit teknik. Së fundmi, Tirana po aplikon provat, teksa afron disa futbollistë, i vëzhgon për disa ditë, dhe më pas vendos nëse i shërbejnë apo jo. Kujtojmë që para pak ditësh u afrua edhe italiani Lorenco Kroçeti, mirëpo qëndrimi i tij në Shqipëri zgjati shumë pak, pasi brenda dy ditësh ai u largua në vendlindje, pasi Dede nuk u bind nga paraqitja e tij.

Ja emrat e tjerë që priten
Së fundi, Tirana është e fokusuar vetëm te merkatoja. Drejtuesit janë në tratativa me disa lojtarë dhe presin që të nisin me të tjerë. Aktualisht në planet e bardhebluve janë Erbim Fagu dhe Endri Vrapi. Drejtuesit e klubit, që prej ditësh u kanë bërë ofertë zyrtare dy mbrojtësve të Skënderbeut, presin që ata të zhvillojnë edhe ndeshjen e kthimit në Ligën e Europës dhe të marrin një përgjigje. Por, nuk janë të vetmit, pasi në planet e skuadrës është edhe Lilaj, Pejiç, Orelesi apo Gvozdenoviç, apo edhe lojtarë të Kukësit si Peqini, Malakarne, Brahja dhe Malota. Megjithatë, me zgjidhjen e ngërçit financiar edhe lojtarët po binden, duke mos e menduar dy herë hedhjen e firmës mbi kontratë. Që prej së hënës e në vazhdim në ekip janë bashkuar lojtarë si Limani, i cili ka nënshkruar zyrtarisht, por edhe Ilirjan Çaushaj, që është pranë firmës. Sakaq, kroati Vedran Gerc duket se po e kalon me sukses provën, ndaj klubi është i gatshëm që t’i ofrojë një marrëveshje. Ndër të tjera, pritet që sot të dalin në stërvitje lojtarë si Milan Jovanmoviç dhe i riu Adrian Thorja.

gERCGerc debuton me gol, Tirana fiton testin me të rinjtë
TIRANA-TIRANA U-19 3-0
GOLAT: Kërçiku 20′, Gerc 26′, Peposhi 55′
Formacioni i bardhebluve: Çaka, Sina, Kalari, Marinkoviç, Baronin, Muça, Çaushaj, Taku, Kerçiku, Peposhi, Gerc; Trajner: N.Dede U aktivizuan: Çaço, Marku, Limani, Çota, Sorra, Hysenbelliu, Kuçi, Pashaj, Kastrati, Hoxha.

Tirana ka fituar 3-0 testin e zhvilluar ndaj të rinjve. Dje, në orën 17:00, bardheblutë u ndeshën me U-19 e drejtuar nga Agustin Kola. Ky takim i ka shërbyer trajnerit Dede për të parë se ku është ekipi, si dhe për të vëzhguar më mirë lojtarët e ardhur rishtazi, përfshi edhe ata në provë. Kërçiku, Gerc dhe Peposhi ishin ata që vulosën fitoren. Vedran Gerc ka debutuar me gol. Sulmuesi kroat, i afruar te kryeqytetasit së fundmi, edhe dje u paraqit mirë dhe duket se klubi është i gatshëm që t’i ofrojë një kontratë. Ndeshja u kontrollua thuajse nga bardheblutë, të cilët sulmonin vazhdimisht dhe, për pasojë, goli i parë nuk vonoi. Në të 20-ën minutë, Dorian Kërçiku, edhe ky një blerje e re, zhbllokoi shifrat për Tiranën, duke shfrytëzuar më së miri një kros që i erdhi nga krahët. Loja vazhdoi me të njëjtin ritëm dhe, vetëm pas 6 minutash, vjen edhe goli i dytë. Këtë herë ishte Gerc, që bën më të mirën, duke u treguar i saktë para portës kundërshtare dhe 2-0. Pjesa e parë mbyllet me këto shifra. Sakaq, e dyta nis me lëvizje të shumta në formacion. Trajneri i Tiranës nxjerr një e nga një titullarët dhe fut lojtarët që kishte të gatshëm në formacion. Loja vazhdon në të njëjtin nivel, teksa në të 55-ën minutë vjen edhe goli i tretë. Këtë herë është Peposhi, i cili nuk gabon dhe 3-0. Minutat e mbetura krijuan raste me bollëk për ekipin e Dedes, por rezultati mbeti i pandryshuar. Tashmë Tirana do nisë të mendojë vetëm për javën e parë, teksa do të presë Laçin të dielën në shtëpi.
ADELA MERKO






www.minuta90.com