Babai i kampionit: U rrit me sakrifica, krenar për tim bir!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2014 | 23:54

Babai i kampionit: U rrit me sakrifica, krenar për tim bir!

Babai dhe nena e GodellitMe sakrifica të mëdha, familja Godelli ka rritur një kampion bote. Në Peqin, aty ku jetojnë prindërit e Danielit, është e vështirë të gjenden fjalët e duhura për të përshkruar emocionet që kanë përjetuar familjarët e tij. Një triumf historik që ka bërë krenare gjithë Shqipërinë, por që babai i tij, Sulejmani, shprehet se edhe e priste. Ai refuzoi të ndiqte garimin me miqtë, pavarësisht ftesave të shumta, duke qëndruar në shtëpi me bashkëshorten. Ndërkohë, nëna Fatushja, tregon se nuk arrinte ta shikonte kur kapte shtangën prej emocioneve, por kthente kokën nga ana tjetër dhe e kuptonte prej brohoritjeve të familjarëve. Momente të paharrueshme, jo vetëm për prindërit Godelli, por që në fund dhuruan një arritje të parealizuar më parë.
Danieli sapo është shpallur kampion i dyfishtë i botës, si ndiheni pas kësaj arritjeje historike?
Natyrisht që ndihem mjaft i lumtur, i gëzuar dhe shumë i emocionuar. Nuk mund t’i them me fjalë ato që përjetova duke ndjekur djalin nga televizori. Shpesh çohesha në këmbë dhe qëndroja pa lëvizur, deri në momentin që Danieli lëshonte në tokë shtangën. Pa diskutim që gëzohesha pa masë kur ai realizonte me sukses të gjitha provat, por kur doli kampion bote, ishte e jashtëzakonshme. Nuk jua shpjegoj dot si duhet atë lumturi që përjetova. Doli kampion bote…
E prisnit që mund të realizonte një sukses të tillë?
Të them të drejtën, edhe e prisja. Jo vetëm nga dëshira si babai i tij, por edhe prej rezultateve që kishte arritur para kampionatit botëror. Kishte punuar për një kohë të gjatë me shumë seriozitet dhe besim për këtë kompeticion dhe e dija që do ia arrinte të ishte në zonën e medaljeve. Pse jo edhe të shpallej kampion bote. Kisha një besim brenda vetes që do ia dilte dhe ashtu bëri.
Ku e ndoqët garimin e tij?
Në shtëpi. Para konkurrimit, kisha disa ftesa nga miq dhe dashamirës për ta ndjekur me ta, por me gjithë dëshirën e tyre qëndrova në shtëpi, pranë familjes. Kjo, mbase edhe prej emocioneve, pasi e ndieja se Danieli do bënte një konkurrim shumë dinjitoz.
Në shtëpi dallohet një faqe muri e mbushur me trofe. I ruani të gjitha?
Normale. Të gjitha këto, kupa apo foto, janë kujtimet më të bukura të karrierës së tim biri. I shikoj përditë dhe lumturohem kur vërej se ato shtohen gjithnjë e më shumë. Por, sigurisht që medalja më e bukur do jetë ajo që fitoi në Kazakistan. Nuk e kishte arritur asnjë tjetër më parë një gjë të tillë.
Ka qenë një sakrificë mbështetja juaj si familje për Danielin, në një sport si peshëngritja?
Po, ka qenë. Por, unë i kam qëndruar gjithnjë pranë që kur ishte 9 vjeç. Atëherë e nisi sportin dhe unë e kuptova që kishte shumë talent. Kemi sakrifikuar me të vërtetë shumë si familje, me të gjitha mundësitë që kemi pasur, por ia ka vlejtur gjithçka. E nisi në Peqin, më pas me mundime e çuam në Tiranë, ku vazhdoi karrierën dhe është përkushtuar në maksimum. Ka bërë gjithçka për të shpërblyer besimin që kemi pasur te Danieli dhe erdhi dita që na dha dhuratën më të madhe. Do vijë në shtëpi si më i miri në botë.
Përveç titullit botëror, do përfitojë edhe një shpërblim prej 100 milionë lekësh…
Fitorja jonë më e madhe si prindër është që ai ka dalë kampion. Si çdo prind, edhe ne duam më të mirën e fëmijës sonë. Sigurisht që aspekti financiar ka rëndësi, pasi im bir ka sakrifikuar shumë dhe çdo gjë që e ka arritur, e ka me vullnet dhe shumë djersë të derdhur në stërvitje. Nëse im bir vlerësohet financiarisht, kjo më bën të ndihem më i qetë.
Çfarë do donit që të bënte me shpërblimet e marra?
Do ishte fitore e madhe për ne që ai të arrijë të blejë një shtëpi në Tiranë. Kjo do e rregullonte jetën e tij, duke qenë se jeton atje. E thashë edhe më parë, ne jemi krenarë që jemi prindërit e një kampioni bote dhe unë si baba i tij, jam i lumtur nëse ai krijon kushtet për një jetë sa më të qetë financiarisht. Sakrificat tona kanë qenë që ai të bëhet sa më mirë dhe të arrijë diçka në jetë…

“Më ka marrë malli për djalin, mezi po e pres”
Fatushe Godelli, nëna e Danielit, tregon se nuk ka mundur t’i shikojë dot momentet e garës prej emocioneve të forta. Gjithsesi, ajo mezi pret që të takojë të birin, i cili prej dy muajsh ka qenë duke bërë përgatitje për Kupën e Botës. “Për mua, ka qenë pa dyshim një nga ditët më të lumtura pasi Danieli na ka bërë krenarë, jo vetëm familjen dhe qytetin e lindjes, por ka bërë krenare të gjithë Shqipërinë. E kam ndjekur me shumë emocione konkurrimin e tij. Madje, disa herë, për shkak të emocioneve, ktheja kokën që të mos e shihja tim bir kur ngrinte shtangën. Por, e kuptoja që ia dilte mbanë prej gëzimit në shtëpi. Jam ndier dyfish e lumtur për djalin tim dhe mezi pres ta takoj pasi kam më shumë se dy muaj që nuk e shoh dhe më ka marrë shumë malli”, tha nëna e kampionit të botës. “Ka kohë që përgatitet për kampionatin botëror dhe ka punuar shumë që të arrijë këto rezultate. Bashkëshorti më thoshte se do arrijë sukses dhe Danieli doli kampion bote”, shtoi Fatushja.
FATMIR AHMETI

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"