Asllani, njeriu që hap “probleme” në mesfushën e Rejës/ Nga porta te sulmi, ja sa alternativa ka Shqipëria

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2022 | 16:54

Asllani, njeriu që hap “probleme” në mesfushën e Rejës/ Nga porta te sulmi, ja sa alternativa ka Shqipëria

Kristjan Asllani po mahnit çdo ditë edhe më shumë ambientin zikaltër dhe nëse Brozoviç nuk do të ishte në ekip, pa frikë mesfushori do të ishte një titullar i padiskutuar tek Interi. Inzagi nuk e shikon vetëm si një alternativë në këtë repart, por diçka më shumë, pasi me aftësitë e tij ai mund të mbulojë çdo pozicion në mesfushën e kësaj skuadre.

asllani

Teksa shohim një yll që rritet, mendimet na çojnë tek ekipi kombëtar. A ka vend në mesfushën kuqezi për Kristjan Asllanin? Një pyetje që do ta “bezdiste” disi në kuptimin e mirë trajnerin Edoardo Reja.

Shqipëria luajti në muajin qershor dy sfidat në kuadër të Ligës së Kombeve dhe lojtari i lindur në Elbasan gjeti vend si titullar me Izraelin, ndërkohë që në stol u ul Gjasula që vinte nga një sezon i gjatë në Gjermani, Çekiçi që u aktivizua titullar në ndeshjen para 3 ditëve me Islandën dhe Keidi Bare nuk ishte i grumbulluar sepse vuante nga një dëmtim dhe gjithashtu është një nga lojtarët më të aktivizuar në epokën Reja.

Edi Reja

Ndërkohë në shtator, teksa Shqipëria do kthehet sërish të luajë, në Izrael dhe në shtëpi me Islandën, Reja do të gjejë një duzinë lojtarësh në mesfushë, por me skemën e italianit duhen zgjedhur vetëm tre, pasi krahët i kanë prenotuar Hysaj me Balliun.

Abrashi nga ana tjetër tregoi që nuk është dorëzuar dhe ka ende për të dhënë në Kombëtare, ndërsa një rikthim do të ketë edhe Qazim Laçi që e ka rritur ndjeshëm nivelin dhe këtë sezon do konkurrojë mes më të mirëve në Francë me Azhakson. Ndërkohë emra të tjerë do të jenë: Bare, Gjasula, Asllani, Çekiçi, Bajrami, Roshi dhe Ramadani.

POZICIONET E TJERA

Mbulimi i portës pritet të vazhdojë me Etrit Berishën, duke qenë se edhe Tomas Strakosha ka kaluar në një kampionat tjetër dhe i duhet të fokusohet më shumë tek ambienti i ri. Gjithashtu, alternativë janë Gentian Selmani dhe Elhan Kastrati.

Nëse kalojmë në mbrojtje do të gjejmë treshen Ismajli, Gjimshiti dhe Kumbulla, që kanë krijuar një stabilitet në aktivizim. Si zëvendësues kanë Frederik Veselin, Kastriot Dermakun, Enea Mihajn dhe Erion Hoxhallarin që janë gati gjithmonë nëse duhet. Por kohët e fundit pamë edhe afrimin e një mbrojtësi të ri si Adrian Bajrami, lojtar i Benfikës U-23.

WhatsApp Image 2022-08-07 at 4.43.06 PM (1)

Për të kaluar në sulm, po ashtu alternativat janë të shumta. Broja, Cikalleshi dhe Myrto Uzuni janë disi më të avantazhuar si titullarë, pasi Rei Manaj me Xhakomo Vrionin kanë të njëjtin “problem” si Strakosha: të ambientohen në skuadrat e reja që kanë firmosur, në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara. Emra të tjerë janë edhe Balaj me Seferin.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"