Asion Daja mungon ndaj Korabit, Tirana mbetet pa mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 11:06

Asion Daja mungon ndaj Korabit, Tirana mbetet pa mesfushë

Si të mos mjaftojë situata e rënduar për shkak të rezultateve, trajnerit Josa i duhet të përballojë edhe dëmtimet dhe kontingjentin jo të plotë për përballjen e radhës. Asion Daja, një nga mesfushorët me më shumë minuta te bardheblutë, nuk do të jetë i gatshëm për përballjen me Korabin. Futbollisti ka tentuar dje që të punojë me ritmin e grupit, mirëpo nuk ia ka dalë.

tirana

Lojtari ka provuar të stërvitet veçmas për të rikuperuar kohë, por stafi mjekësor dhe trajneri Josa nuk janë optimistë për praninë e tij në ndeshjen e së mërkurës. Krahas mungesës së kapitenit Karabeci, mosgatishmëria fizike e Dajës shton “dhimbjen e kokës” për trajnerin e 24 herë kampionëve. Në seancën e djeshme, Olsi Teqja është rikthyer të stërvitet plotësisht me grupin, gjithashtu edhe Domgjoni.

STËRVITJA

Në ambientet e kompleksit stërvitor “Skënder Halili”, Tirana ka zbritur dje në fushë në orën 16:30 për të përgatitur përballjen e radhës me Korabin. Situata e rënduar në tabelën e klasifikimit bën domosdoshmëri marrjen e çdo pike të mundshme, duke nisur që nga takimi i së mërkurës.

Pas ushtrimeve ngrohëse, trajneri Josa ka rreshtuar lojtarët titullarë përballë pjesës tjetër të skuadrës në gjysmën e fushës. Trajneri ka kërkuar nga të tijtë që të kenë ide të qarta në çdo aksion që nisin dhe për mënyrën se si i finalizojnë. Sapo ka parë gabime nga lojtarët në pasim, trajneri ka vërshëllyer dhe ka ngrirë gjithçka duke ngritur zërin, por edhe duke motivuar:

“Dua që të luani me mend. Jini të qetë në çdo moment sepse është shumë e rëndësishme. Vlerësoni maksimalisht çdo aksion dhe çdo pasim që jepni te shoku. Bëni veprime duke menduar se çfarë do të bëjë shoku juaj, jo vetëm për të larguar topin”, ka qenë një nga kritikat e teknikut.

Josa është marrë me të gjithë repartet, me vendosjen e lojtarëve, hapësirat që duhet të ruajnë mes tyre, mënyrën e ndërtimit të lojës, fraksionet kur duhet bërë presing te kundërshtari, finalizimet dhe gjithçka nevojitet për lojtarët në një 90-minutësh.

FORMACIONI

Nëse në portë nuk ka dilema dhe pritet të jetë Lika, përpara tij rikthehet Teqja në qendër me Turtullin dhe Hoxhallari e Doka nga krahët. Përpara tyre do të vendosen Ruben dhe Merveil, ndërkohë që Moise e Taku do të luajnë nga krahët. Ede do të udhëheqë skuadrën, ndërkohë që Gilman Lika pritet të luajë pas tij. Moduli pritet të jetë 4-2-3-1, mirëpo në momente të caktuara mund të shndërrohet edhe në 4-4-1-1.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"