Arrihet marrëveshja/ Klubi i Kategorisë së Parë zgjidh çështjen e golave, rikthehet në skuadër bomberi 23-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 20:40

Arrihet marrëveshja/ Klubi i Kategorisë së Parë zgjidh çështjen e golave, rikthehet në skuadër bomberi 23-vjeçar

Tomori zgjidh çështjen e golave. Klubi po lëviz çdo gurë për të forcuar skuadrën dhe siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Vendi i parafundit u rëndon shumë drejtuesve, ndaj nuk kanë në plan që të dorëzohen dhe sidomos pa luftuar. Është ky shkaku që merkaton e kanë përqendruar te ofensiva, aty ku kanë vuajtur më së shumti.

oshafi

Duke mos dashur që të eksperimentojnë me të huajt, i janë rikthyer njohjeve të vjetra. Dhe jo nga ata që nuk kanë lënë asnjë shenjë në ekip, por lojtarë që kanë bërë diferencën. Jemi duke folur për Aldrit Oshafin, që pjesën e parë të sezonit e mbylli te Malisheva.

Ai është kthyer tashmë në shtëpi. Gjatë të enjtes është takuar me krerët më të lartë të Tomorin dhe ka arritur zyrtarisht akordin. Një “goditje” mund ta quajmë, kur dihet problemet që ka hasur skuadra gjatë 16 javëve të para të kampionatit.

Pasi i ka dhënë fjalën klubit, ka kërkuar tri ditë kohë për të mbyllur marrëdhëniet me kosovarët. Në kësi kushtesh, pritet që të hënën ai të vijë që të nënshkruaj kontratën dhe më pas të vihet në urdhrat e stafit teknik. Tri sezone më parë, Aldrit Oshafi ka spikatur me 23 golat e shënuar në Berat. Për të ky do të jetë rikthimi i dytë te Tomori dhe do të forcojë dukshëm repartin e sulmit. Drejtori teknik Avenir Bejo ka vlerësuar pozitivisht për “Panorama Sport” këtë afrim, ndërsa ka konfirmuar edhe largimin e 12 gjatë merkatos së dimrit.

Oshafi Tomori

Florian Trokthi ka mbyllur përfundimisht bashkëpunimin me klubin, në një kohë që drejtuesit vijojnë kërkimet për një portier dhe një qendërmbrojtës. “Është arritur akordi me sulmuesin Aldrit Oshafi, i cili për cilësitë që ka është mirëpritur nga stafi dhe tifozët. Besojmë shumë se me rikthimin e tij, skuadra do të jetë më shumë konkrete në finalizim. Oshafi është një njohës i mirë i portës kundërshtare dhe spikat si shënues. Kemi besim se ai do ta ndihmojë akoma më shumë Tomorin.

Oshafi

Sulmuesi do t’i bashkohet skuadrës të hënën dhe të gjithë e mirëpresim rikthimin e tij. Ndërkohë, nga Tomori është larguar mbrojtësi i djathtë Trokthi. Bëj me dije, se merkatoja te Tomori është e hapur për portier dhe qendërmbrojtës, por edhe për elementë të tjerë cilësorë dhe me eksperiencë, që na nevojiten shumë në këto çaste për misionin e shpëtimit”, ka përfunduar drejtori teknik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"