Arabi Saudite-Shqipëri, sot ora 16:30 / Pa tifozë dhe pa transmetim, zbardhen titullarët për miqësoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2022 | 8:24

Arabi Saudite-Shqipëri, sot ora 16:30 / Pa tifozë dhe pa transmetim, zbardhen titullarët për miqësoren

Shqipëria do të zhvillojë sot ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite. Takimi do të zhvillohet në Abu Dabi në orën 16:30 në stadiumin “Al Nahyan”.

SHQIPERIA

Dje me grupin kuqezi janë bashkuar edhe pesë lojtarë, të cilët kanë qenë të impenjuar me klubet e tyre si Selmani, Kastrati, Balaj, Mitaj dhe Toli.

Ndërkohë, pas mbërritjes në Abu Dabi dhe akomodimit, skuadra ka zhvilluar një seancë teorike dhe video-analizë, ndërkohë në orën 18:00 ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore përpara miqësores, ku kanë qenë të gjithë futbollistët e ftuar të listës.

Kjo seancë është bazuar thuajse e gjithë në aspektin tekniko-taktik, ku Reja dhe stafi i tij kanë dhënë direktivat e fundit mbi qasjen që do të kenë në betejën e sotme në Abu Dabi.

FORMACIONI- Nën urdhrat e trajnerit Edi Reja, të gjithë lojtarët kanë zhvilluar seancën e fundit në prag të ndeshjes, ku edhe është provuar se si do të zbresin kuqezinjtë në fushë.

Sa i përket skemës, italiani i qëndron besnik 3-5-2-shit, ku ka luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet e Kombëtares.

Pas provave në seancën e fundit, tekniku 77-vjeçar ka projektuar edhe titullarët që do ta nisin me arabët. Në portë nga minuta e parë shihet Gentian Selmani, por gjithsesi mund të ketë edhe një ndryshim me Kastratin.

Në mbrojtjen me pesë lojtarë, Reja ka zgjedhur t’i besojë Albion Markut të Teutës nga e djathta, ndërsa treshja e qendrës do të formohet me Eneo Bitrin e Partizanit, Erdenis Gurishtën e Vllaznisë, Rudolf Turkaj i Laçit dhe krahun e majtë do ta mbulojë Andi Hadroj, i cili këtë sezon ka luajtur në krahun e djathtë me Partizanin, por në sezonin e shkuar ai ka mbuluar linjën e majtë.

Ndërkohë, në qendër të mesfushës llogariten Arbnor Muçolli i Vejles në Danimarkë, Ardit Deliu i Tiranës dhe Esat Mala i Vllaznisë. Ndërkaq, dyshja e sulmit pritet t’i besohet eksperiencës së Sokol Cikalleshit dhe dinamikës së Redon Xhixhës së Tiranës.

Po ashtu edhe lojtarët e stolit do të kenë mundësinë që të aktivizohen në këtë ndeshje, pasi për ta do të ketë minuta në pjesën e dytë.

Një gjë tepër e rëndësishme që u negociua është edhe numri i ndërrimeve që do të jetë pa limit, ndërkohë disi problem mbeten temperaturat e larta që pritet të jenë deri në 34 gradë.

Kështu, përveç titullarëve të zgjedhur, shansi do t’i jepet edhe pjesës tjetër të lojtarëve për të debutuar me fanellën kuqezi.

shqiperia

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"