“Anti-Ronaldo mund të jetë vetëm… Luçiano Spaleti”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2018 | 22:46

“Anti-Ronaldo mund të jetë vetëm… Luçiano Spaleti”

Pas një jete të kaluar duke transformuar në gol çdo top ideal që i vinte në këmbë, Kristian Vieri ka vendosur që të ndërrojë profesion dhe të shndërrohet në një “asistmen”, duke qenë se është ai regjisori i “Bobo Summer Cup”, kampionati i yjeve i volejbollit me këmbë në plazh, i cili këtë fundjavë do të jetë në Çervia. Me këtë event, ish-sulmuesi i Juventusit, Interi, Milanit, por edhe mjaft skuadrave të tjera, ka vendosur që të shpërndajë dëfrim, solidaritet dhe bamirësi për kërkimet e tumoreve në tru te fëmijët, gjatë 3 muajve të nxehtë të verës.

“Mendoj se ne futbollistët jemi njerëz me fat, pasi jemi paguar mirë për një kohë të gjatë dhe tashmë mendoj se ka ardhur momenti dhe duam që të ndihmojmë të gjitha ato familje që kanë nevojë, në lidhje me këtë sëmundje fatkeqe”. Dhe përgjigjja që ka dhënë edhe publiku që nga tri etapat e viteve të kaluara ka qenë e madhe, duke qenë se ia vlen të paguash ato pak euro biletë dhe për të parë në aksion kampionë madhështorë të së kaluarës si Hernan Krespo, Alvaro Rekoba, Ronaldo e shumë të tjerë. Dhe mes nostalgjisë e spektaklit, dëfrimit dhe aromës së detit, Kristian Vieri gjen edhe pak kohë për të folur për Serinë A që pritet të startojë.

ronaldo

Vieri, çfarë përfaqëson blerja e Kristiano Ronaldos sivjet?

Është blerja më e mirë e 20 viteve të fundit, sigurisht pas simes (qesh…) Kristiano është futbollisti më i madh i nivelit botëror. Është një goditje që i ka dhënë zjarr kampionatit të këtij viti. Jo më kot në Verona, kundër Kievos, janë shitur menjëherë të gjitha biletat dhe e njëjta situatë do të jetë kudo që Juventusi do të shkelë sivjet. Për kampionatin tonë, është njësoj sikur të kishim fituar lotarinë.

Po për Juventusin çfarë përfaqëson?

Blerja e Ronaldos tregon forcën e jashtëzakonshme që ka fituar tashmë ky klub. Tani e gjithë bota do të shohë dy ndeshje: ato të Barcelonës për shkak të Mesit dhe të Juventusit prej Ronaldos.

Po titullin në fund kush e fiton?

Do e rifitojë Juventusi, kush tjetër duhet ta fitojë?!

Pse, edhe Interi është përforcuar shumë…

Interi është një ekip mjaft i mirë, ka bërë blerje të goditura në repartet ku kishte nevojë. Ka afruar lojtarët e duhur sivjet dhe nëse vjen edhe Modriç, atëherë do të ishte shumë herë më e fortë. Zikaltërve do t’u nevojitet kohë që të rikuperojë diferencën me bardhezinjtë, edhe pse Interi e ka tashmë një person që mund ta shpejtojë këtë ngushtim të diferencës kohore.

Kush është ky?

Miku im, Spaleti. Është një prej trajnerëve më të mirë në qarkullim, një person me karakter të fortë. Me atë ose bën gjërat e duhura, ose nuk të fal asgjë.

Nga ana tjetër e Milanos, një tjetër mik i juaji është kthyer në shtëpi: Paolo Maldini…

Më në fund Paolo mbërriti aty ku duhej të kishte qëndruar gjithmonë, te Milani. Kuqezinjtë me atë do të bëjnë gjëra të mëdha, sepse Paolo është një profesionist dhe një person i madh: serioz, i ndershëm, transparent.

Nga mega-shkëmbimi mes Juves dhe Milanit, cili ka fituar më shumë?

Bonuçi është një prej mbrojtësve më të mirë në botë, Higuain një prej sulmuesve më të mirë në botë. Prandaj, të dyja kanë fituar shumë nga ai shkëmbim.

Nëse do të ishit i detyruar që të zgjidhni, në skuadrën tuaj ideale, kë do të merrnit mes Higuainit dhe Ikardit?

Unë kam luajtur me më të fortin në absolut, Ronaldo “Fenomenin”, prandaj zgjedh vetëm atë dhe askënd tjetër.

Rikthehemi të shokët… Çfarë mund të pritet nga Filipo Inzagi në Bolonja?

Pipo është një profesionist shembullor, një maniak i punës dhe është tepër i përgatitur. Do t’u mësojë sulmuesve hilet e zanatit.

Kasano është ende i denjë për të luajtur në Serinë A?

Varet nga ai. Antonio është shumë i fortë. Nëse ka dëshirë që të vihet në provë dhe të tregojë veten, mund të bëjë ende gjëra madhështore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"