Anëtari i Këshillit Bashkiak, Sina: Futbolli i Lushnjës nuk përligj milionat e dhëna nga Bashkia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 18:25

Anëtari i Këshillit Bashkiak, Sina: Futbolli i Lushnjës nuk përligj milionat e dhëna nga Bashkia

Kur kanë mbetur edhe 8 javë nga përfundimi i kampionatit, lushnjarët ndajnë vendin e shtatë dhe të tetë me Burrelin. Verdhejeshilët kanë epërsinë e golavarazhit. Për sa i përket zonës së “play-off”, kanë tetë pikë më pak se Apolonia dhe Korabi, me të cilat i kanë mbyllur  ndeshjet direkte.

lushnja

Ndërsa për zonën e poshtme janë +2 nga Kastrioti, me të cilin do të ndeshen në javën e parafundit në “Roza Haxhiu”.

DEKLARATA – Lushnja është një ndër klubet e Kategorisë së Parë financat e së cilës varen tërësisht nga Këshilli Bashkiak. Në një deklaratë për gazetën “Panorama Sport”, anëtari Ervin Sina shprehet: “Prej vitesh buxheti vjetor që jep Këshilli Bashkiak për klubin e futbollit vërtitet rreth shumës 40 milionë lekë(të reja). Për hir të së vërtetës, korrektësia në pagesa nuk është përligjur prej vitesh nga ekipi, në rezultate sportive të ekipit të parë, por edhe për punën te moshat. Në këndvështrimin tim, puna jo e mirë e bërë te grupmoshat, për vite më radhë është faktori kryesor që ekipi i parë i Lushnjës vuan sot qëndrueshmërinë e paktë në rezultate.

Ekipi ka një boshllëk të madh të produktit vendas. Më vjen keq, por ky handikap do të jap efektet edhe për pak kohë duke qenë se Lushnja e dekadës së fundit ka mungesë brezash. Fakti që sezon pas sezoni duhet bërë merkato me shumë lojtarë pa u bazuar në një bazë futbollistësh, është shqetësim më vete, pa llogaritur këtu edhe menaxhimin e skuadrës. Ndaj më duhet të them se pritshmëria e opinionit sportiv lushnjar, nisur edhe nga tradita qoftë në ekipin e parë dhe te moshat, me të drejtë ka qenë e madhe, ndërsa rezultatet nuk i janë përgjigjur.

Këtë sezon do të vlerësoja seriozitetin me të cilin është punuar nga trajneri Magani, mirëpo edhe kjo nuk ka mjaftuar për të shkuar tek objektivi i fillim sezonit për të qenë në grupin e skuadrave pretendente. Nisur nga objektivat që i ishin vendosur ekipit në fillim të sezonit, skuadra ka pasur luhatje nga ndeshja në ndeshje, e natyrshëm për këtë nuk më takon as mua, as Asamblesë në tërësi të bëjë analizë sepse nuk jemi specialistë. Ndërsa sa i takon Akademisë, personalisht si anëtar i asamblesë, gjykoj që është bërë një punë e mirë në verën e vitit 2022, e cila ka dhënë ndryshime pozitive. Ka një rritje të dukshme të numrit të lojtarëve të rinj që janë pjesë e akademisë, një infrastrukturë dukshëm shumë më të mirë, që vijon të përmirësohet.

Ka më shumë trajnerë dhe më tepër ekipe aktive. Rezultatet te disa prej skuadrave janë dukshëm në rritje, ndaj besoj që në këtë sektor mbështetja është e justifikuar. Gjykoj që te moshat është shumë e nevojshme të ketë një rrjet me bashkëpunues mes trajnerëve jo vetëm të akademisë, por edhe mes tyre dhe stafit teknik të ekipit të parë. E vërteta është që në Këshillin Bashkiak, futbolli shpesh herë është objekt debatesh dhe diskutimesh dhe ky është tregues i ndjeshmërisë së lartë që futbolli ka në Lushnjë. Edhe kryebashkiakja ka një vëmendje të veçantë”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"