Andi Ribaj: Jam njeri korrekt, dua një sinjal nga Flamurtari. Vlora, zgjedhja e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2019 | 23:21

Andi Ribaj: Jam njeri korrekt, dua një sinjal nga Flamurtari. Vlora, zgjedhja e parë

Andi Ribaj është një nga futbollistët e dalë nga “shkolla” fierake e futbollit. Talenti i tij spikati tek ekipet e moshave dhe ai u bë pjesë e Apolonisë që 18-vjeç. Dhe karriera e tij do të vijonte me disa nga ekipet më në zë në Shqipëri, ku do të shpallej kampion me Skënderbeun.

Ribaj

Pati edhe një përvojë njëvjeçare në skuadrën izraelite Makabi Kiryat. Sulmuesi ndodhet në Fier, është lojtar i lirë dhe teksa po shqyrton ofertat, pret një sinjal nga Flamurtari, duke shpresuar që ky klub t’u japë fund problemeve ekonomike. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 29-vjeçari flet për momentet më pikante të karrierës.

Ribaj, një sezon i lënë pas te Flamurtari. Si do ta përkufizonit këtë përvojë?

Ka qenë një kampionat i vështirë, por edhe me mbresa. Një Flamurtar me aq problematikë arriti gjer në vend të dytë në momente të veçanta. Ishte shpirti i garës, përkushtimi i gjithë lojtarëve dhe trajnerit, që kanë dhënë maksimumin në fushë, duke hedhur pas krahëve gjithë problematikën. Sigurisht që situata të tilla ndikojnë në ecurinë e një ekipi dhe më vjen keq, pasi, po të mos kishim probleme financiare, Flamurtari pa frikë mund të renditej në 3 vendet e para. Në aspektin personal, them se mund të bëja më shumë, por rivaliteti në skuadër më ka kufizuar në minutazh. Jam përpjekur për të dhënë më të mirën.

Apolonia, Skënderbeu, Teuta, Vllaznia, Flamurtari…Cilën nga këto përvoja do të veçonit?

Pa përjashtim, kanë qenë të gjitha përvoja me mbresa pozitive dhe të vlerësueshme, por të jesh pjesë e një ekipi kampion si Skënderbeu, ka qenë ndjesi dhe impakt i veçantë, pa harruar pjesëmarrjet me ekipin e qytetit tim, Apoloninë.

Disa nga mbresat tuaja më pozitive?

Nuk janë pak, por do të veçoja titullin kampion me Skënderbeun në 2014-ën, ku shënova 8 gola, si dhe ndeshjen Skënderbeu-Çernomorets në Europa Ligë, ku shënova të vetmin gol, atë të fitores së skuadrës.

Momente të trishtuara?

Po e nis nga e njëjta ndeshje, Skënderbeu-Çernomorets. Bëmë një lojë fantastike dhe u eliminuam me penallti, 6-7. Ka edhe shumë momente të tjera, ku mund të përmend ulje-ngritjet e Apolonisë, rëniet e saj nga Superliga, rënia e Vllaznisë para dy sezonesh apo situata kaotike te Flamurtari. Kam ndjesi jo vetëm për ekipet ku kam luajtur, por edhe për ata që vuajnë dhe kalojnë peripeci në kalvarin e këtij sporti. E kam fjalën për Dinamon, Elbasanin, Besën, Tomorin, Lushnjën, Apoloninë etj.

Sezonin e kaluar ju u federuat me Apoloninë, por nënshkruat te Flamurtari pa mbushur 24 orë…

Po, është e vërtetë që vjet nënshkrova me Apoloninë. Por kisha një marrëveshje verbale me administratorin Olsi Bregu dhe trajnerin Marjol Miho, për të mos më penguar nëse kisha ofertë nga një ekip Superlige. Dua t’i falënderoj të dy për atë sjellje xhentëlmenësh. Apolonia e sezonit të kaluar qe një dëshirë e mirë, Miho u përpoq të bënte një grup cilësor, me lojtarë kryesisht të rinj. Kur nuk ecin mirë gjërat në fillim, është e vështirë të bësh ndryshime të mëdha. Tani ka ardhur një trajner shumë profesionist, profesor Mërgjyshi, me të cilin besoj se Apolonia nuk do ta diskutojë Superligën. E meriton për historikun që ka dhe besoj do ta meritojë me atë që do të bëjë.

Jeni futbollist i lirë. Keni oferta? Ku mund të luajë Ribaj?

Jam njeri korrekt dhe nëse situata te Flamurtari do të ndryshojë dhe do të krijohet garanci për të ardhmen, ky ekip do të jetë zgjedhja e parë. Ofertat nuk më mungojnë. Janë disa ekipe cilësore të Superligës në Kosovë dhe të tjerë nga Superliga jonë. Ende nuk kam vendosur.

A është Apolonia një mundësi?

Unë e dua Apoloninë. Është qyteti im, zemra ime, shpirti im; këtu jam rritur, këtu u bëra futbollist, por pretendoj për nivele më të larta se Kategoria e Parë. Nuk jam paragjykues dhe nuk dua të më paragjykojnë, por kam ende shumë për të dhënë në nivele të larta të futbollit. Nëse do të ishte në Superligë, Apolonia do të qe primare e zgjedhjeve të mia.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"