Tri ndeshje, tri fitore; Reali s’fal as Bilbaon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2013 | 10:19

Tri ndeshje, tri fitore; Reali s’fal as Bilbaon

IskoTri ndeshje, tri fitore, ky është bilanci startues i Karlo Ancelotit në La Liga me Realin e tij. “Los Blancos” kanë triumfuar bindshëm në javën e tretë të kampionatit spanjoll, ndërkohë që është zhbllokuar edhe Kristiano Ronaldo. Po ashtu, ia vlen të evidentohet talenti Isko, ardhur nga Malaga, që shënon rregullisht. Ndaj Atletiko Bilbaos ai ka realizuar një dopietë dhe, së bashku me golin e portugezit, kanë sigluar fitoren 3-1 të “galaktikëve”. Kësisoji, Reali ngjitet në kuotën 9 pikëve. Për baskët ngushëtoi diferencën Ibai Gomez, gol i cili vlen thjesht për statistikë. Me këtë humbje Athletik Bilbao ndalet në kuotën e 6 pikëve. Iker kajias ka vijuar të ngrohë stolin e Realit, teksa trajneri Anceloti vijon t’i besojë Diego Lopezit, që mban vendin e titullarit mes katërkëndorit madrilèn.
Ançeloti e konfirmoi para ndeshjes se titullar në vend të Kasijasit do të jetë Lopez. “Kapiteni do të ketë shansin e tij të luajë këtë sezon dhe unë nuk mendoj se ai dëshiron të largohet nga Madridi. Ndeshja me Bilbaon nuk ishte e lehtë. Ata i kanë fituar dy takimet e para dhe kanë një trajner profesionist e serioz. Duhet të jepnim 100%” që të fitonim dhe kështu ndodhi, – tha tekniku i “galaktikëve”, i cili u ndal edhe te “çështja” Ronaldo: “Është e vërtetë që në ndeshjet e fundit i kemi ndryshuar disi pozicionin, por kundër Granadës u rikthye në pozicionin e tij dhe nuk shënoi. Nuk ka asnjë problem për sa kohë ekipi fiton. Ai nuk shënoi as në ndeshjen e parë të sezonit të shkuar, por e bëri këtë ndaj Atletiko Bilbaos. Ozil? Nuk mendoj se do largohet. Është normale që një lojtar nuk është i lumtur kur zëvendësohet. Nuk është hera e parë që ai zëvendësohet dhe as e fundit. Por kjo është normale. Bejl? Nuk flas për lojtarë që s’janë pjesë e klubit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"