Analiza/ VAR-i u eksperimentua në Rusi, por a e bën ai futbollin më të drejtë?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 18, 2018 | 18:11

Analiza/ VAR-i u eksperimentua në Rusi, por a e bën ai futbollin më të drejtë?

Ka shumë faktorë që e bënë Botërorin 2018 një eveniment të jashtëzakonshëm, por asnjë nuk pati më shumë ndikim se aplikimi i “Video Assistant Refereeing” apo VAR-it, i cili mori vendime shumë të rëndësishme gjatë turneut. Ky edicion i Kupës së Botës ishte një test për shpikjen e re, ashtu siç ishte teknologjia mbi vijën fatale që u eksperimentua në Brazil katër vite më parë.

var2

Megjithatë, ndërsa kjo e fundit u integrua në sport menjëherë pas turneut, udhëtimi i VAR-it është shoqëruar me polemika të konsiderueshme. Në këtë moment do të ishte e pamundur për të dhënë një përgjigje përfundimtare nëse kjo teknologji e re i bën mirë apo jo kësaj loje, por duke parë efektet e saj në 64 ndeshjet e turneut, tani mund të bëjmë një gjykim më të bazuar mbi fakte në lidhje me meritat. Gjatë këtij Botërori, futbolli si një tërësi arriti të kuptojë më mirë përfitimet dhe disavantazhet e VAR-it.

Duke e përdorur teknologjinë në disa situata të dyshimta kur të gjithë sytë e botës ishin duke parë, FIFA arriti që të na tregojë kushtet, nën të cilat teknologjia mund të jetë e suksesshme dhe identifikojë zonat ku ai mund të dështojë. Në një kuptim, VAR-i funksionon më mirë me vendimet ku ka shumë pak subjektivizëm dhe hapësirë për interpretim. Vendimi i pozicionit jashtë loje në lidhje me golin e minutës së fundit nga Iago Aspas kundër Marokut për shembull, u kthye me të drejtë, ndërsa arbitri ishte në gjendje për të parë qartazi pozicionin e sulmuesit spanjoll në lidhje me mbrojtësit kundërshtarë.

Në anën tjetër, VAR-i e pati të pamundur për të pastruar ajrin kur bëhej fjalë për vendimet, në të cilat vendosej në bazë të interpretimit personal të arbitrit. Penalltia e akorduar në favor të Francës e shkaktuar nga Ivan Perisiç për prekjen e topit me dorë, do të mbetet e diskutueshme, pavarësisht përdorimit të teknologjisë, e cila presupozohej për t’ia bërë më të lehtë gjyqtarit për të marrë vendimin e tij. Penalltia për Francën nuk ishte një vendim i gabuar, por nuk ishte as 100 për qind bindës, sepse ajo dora e Ivan Persiçit lë gjithnjë vend për interpretim.

Se sa i vështirë ishte ai vendim, e tregon vetëm ndërprerja e ndeshjes për katër minuta (njerëzit në krye të FIFA-s u kishin premtuar tifozëve se vendimet do të merreshin shumë më shpejt). Në fund vendimi i Nestor Pitanës u argumentua se përcaktoi rezultatin e finales së Kupës së Botës, pasi ai gol me penallti e riktheu Kroacinë në disavantazh. Duke qenë se ata u treguan humbës të mirë, nuk bënë ndonjë reagim të tepruar (pavarësisht protestave normale) që mund të prodhonin një skandal.

Por, ajo që është e çuditshme është që ajo goditje dënimi e akorduar në mënyrë të gabuar, e cila solli golin e parë të Francës, nuk u korrigjua, sepse prova televizive nuk ndërhyn për këto raste. Megjithatë, VAR-i nuk ka pasur kurrë si qëllim për të zëvendësuar rolin e intuitës dhe interpretimin e arbitrave. Ai thjesht është krijuar për t’u dhënë atyre mundësinë për ta ekzekutuar atë me më shumë vetëbesim. “Paaftësia” e presupozuar e gjyqtarëve për të marrë vendimet përballë presionit nga teknologjia nuk është një faj i VAR-it. Ai është një e metë e mënyrës se si arbitrave u thuhet që t’i qasen atij. VAR-i mund të punojë vetëm në bashkëpunim me një gjykim të fortë. Problemet e tjera me VAR-in përfshijnë kohën e pritjes, e cila i zgjat pikat e nxehta dhe incidentet, duke krijuar ndalesa të gjata që ndërpresin rrjedhën e ndeshjes. Një tjetër është ndjesia e “presionit” mbi zyrtarët e ndeshjes për të kthyer vendimet e tyre, pasi kanë parë videon dhe e fundit, është përkufizimi i paqartë i asaj që përbën një vendim jokorrekt të “pastër dhe dukshëm”.

Debati që rrethon përdorimin e VAR-it nuk ka gjasa që të përfundojë. Ndërsa, Botërori nuk arriti që të provonte qartazi nëse teknologjia ka përfitime të qarta për futbollin, ai pati sukses në kthimin e nocioneve të paqarta deri tani, duke shfaqur pastër avantazhet dhe disavantazhet e kësaj shpikjeje të re teknologjike dhe arriti që të racionalizojë shumë nga debati në lidhje me interpretimin e saj. Me fjalë të tjera, nëse jemi dakord apo jo me VAR-in është dytësore ndaj faktit se Botërori pati sukses në informimin tonë për përfitimet dhe disavantazhet. A do të arrijë VAR-i që të bëhet një instrument i pazëvendësueshëm në botën e futbollit mbetet për t’u parë, por aplikimi i tij në Kupën e Botës është një hap në rrugën e duhur. Por, pyetjes një milion dollarëshe nëse VAR-i e bën futbollin më të drejtë, nuk jemi në gjendje që t’i përgjigjemi. E sigurt është se qëllimet e tij janë të mira, edhe pse ai është i brishtë si një fëmijë që sapo ka dalë nga inkubatori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"