Akuzon Tomori, zv.trajneri Hadaj: Fierakët e morën fitoren me ndihmën e gjyqtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2024 | 0:18

Akuzon Tomori, zv.trajneri Hadaj: Fierakët e morën fitoren me ndihmën e gjyqtarëve

Humbje në transfertën e Fierit, ka qenë e shtata radhazi për Tomorin, duke i zbehur akoma më shumë shpresat për qëndrim në Kategorinë e Parë. Pas kthimit nga Fieri, skuadra dhe stafi teknik kanë qenë të indinjuar për gjithçka që ndodhi në ndeshjen e fundit me Apoloninë.

Iken DOBRONIKU dhe zv.trajneri Lisjan Hadaj

Ata kanë denoncuar në “Panorama Sport”, gjykimi skandaloz, që me “masakrën” e tyre bënë çdo gjë për fitoren e fierakëve. Zv.trajneri Lisjan Hadaj në lidhje me atë që ndodhi në Fier u shpreh: ”Në Fier shkuam të bindur se do të bënim maksimumin, pasi fitorja na bënte shumë punë për mbijetesën. Mendonim se do të luhej ‘fair play’ dhe pa presionin e rezultatit nga ana e vendasve, që janë brenda objektivit të tyre. Por me keqardhje konstatuam se futbolli i pastër u luajt vetëm në pjesën e parë, pasi fraksioni i dytë ishte një shfaqje teatrale.

Gjykimi ishte i njëanshëm dhe vetëm shtynte skuadrën vendase drejt portës sonë. Na vunë nën presion me kartonë të verdhë dhe me faulle të paqena. Kulmi arriti në fund me penalltinë për Apoloninë, që vetëm gjyqtarët mund ta shpjegojnë pse u akordua. Pas kësaj shfaqje të turpshme, fitorja me çdo kusht e një takim që as i ngjit dhe as i zbret nga kjo kategori, ne na lind e drejta të themi: Turp për Apoloninë që fiton në këtë mënyrë. Kjo që i ndodhi Tomorit është një rast i përsëritur në Fier gjatë këtij kampionati. Disa skuadra janë mundur me penallti në fund të takimit në Fier.

Tomori nuk kërkoi lëmoshë nga Apolonia, por të paktën të lejonin që të luhej ndershëm dhe jo duke luajtur me 14 ‘futbollistë’ në fushë. Na mohuan rezultatin pozitiv që e meritonim. Si staf teknik, falënderojmë skuadrën që tregoi vlera përballë Apolonisë dhe ju vodh fitorja në Fier. Jemi ndier të keqardhur për futbollistët që lotonin pas ndeshjes nga ajo që ndodhi në fushën e lojës.

Do të luajmë pa u dorëzuar, sepse matematika ende na mban në lojë. Po qe se ndodhin fenomene të tilla si në Fier, atëherë më mirë të na e thonë hapur që t’ia u lemë ne ndeshjen dhe jo ta vjedhin aq paturpësisht si veproi Apolonia”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"