Afrimi i fundit te Besa, Reçica: Më “mbytën” emocionet, erdha me mision në Kavajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2024 | 20:23

Afrimi i fundit te Besa, Reçica: Më “mbytën” emocionet, erdha me mision në Kavajë

Harbin Reçica ka ardhur me mision te Besa. Kërkon që të shkëlqejë, ashtu si kanë bërë vite më parë emra të mëdhenj si Artim Shaqiri dhe Arben Nuhiu. Ai e quan një shans të madh këtë transferim dhe premton që do ta shfrytëzoje në maksimumin. Sinjale më shumë se të mira dhe sapo veshi fanellën. Në miqësoren e parë me kavajasit, 21-vjeçari tregoi cilësi dhe vlera.

Harbin Reçica

E megjithatë, paralajmëron shumë më shumë se kaq. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, lojtari i linjës së majtë thotë: “Dua të falënderoj klubin që besoi te unë dhe ndjej dyfish përgjegjësi që të jap maksimumin. Jam më shumë se i angazhuar që ta kap këtë shans që më është dhënë. Nuk kam ardhur pa ide këtu. Vite më parë te Besa kanë luajtur edhe emra të mëdhenj nga Maqedonia e Veriut. Po përmend vetëm dy, Artim Shaqiri e Arben Nuhiu. Është sfidë mjaft e madhe të krahasohem me ata yje.

Ndaj, dëshiroj që të punoj fort dhe të ndjek rrugën e tyre”. Ndaj Bylisit, ai “u mbyt” nga emocionet. Për këtë e ka një shpjegim dhe nuk ngurron që ta tregojë. “Të debutosh me një kundërshtar si Bylisi, ishte sfidë e vërtetë. Nuk e mohoj se pata emocione të mëdha dhe ndoshta kjo bëri që të mos jap atë që kam e mundem. Po kini parasysh se luajtëm pas vetëm dy seancash stërvitore dhe nuk i njohim lojën apo cilësitë e shokëve në ekip. Gjithë kohën që mbetet deri në takimin me Burrelin po e shfrytëzojmë në maksimum, që së pari të marrim ato ngarkesa fizike që duhen, por mbi të gjitha në harmonizimin e lojës sonë.

Kam gjetur një staf që na e bën më të lehtë stërvitjen dhe punën me secilin prej nesh me durim. Kam bindjen se edhe me prurjet e tjera që këtë javë mbyllin merkaton, do të jetë një Besë shumë herë më e fortë se ajo e 2013-tës. Këtë optimizëm e bazoj së pari te dëshira ime dhe e shokëve për të dhënë maksimumin tonë dhe përgjegjësinë që ndjejmë për fanellën. E përsëris se ky shans, të luash me Besën është rast që të vjen rrallë. Përtej dëshirës, ambicies, besoj se grupi ka brenda tij edhe vlera që nga dita në ditë i shoh në stërvitje. Do të luajmë shumë miqësore që të kemi një harmonizim sa më të plotë të grupit për të bërë më të mirën për vete e për Besën”, përfundoi Reçica.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"