Ademi: Na mashtruan, llogaritë e Vllaznisë i bllokoi qendra e arbitrazhit që nuk ekziston

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 14:57

Ademi: Na mashtruan, llogaritë e Vllaznisë i bllokoi qendra e arbitrazhit që nuk ekziston

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës dhe njëkohësisht presidentja e klubit Vllaznia, Voltana Ademi, ka zhvilluar sot një konferencë për shtyp, ku ka denoncuar një mashtrim i cili sipas saj ishte bërë me qëllim për të dëmtuar klubin shkodran. Ajo lexoi një deklaratë duke publikuar dokumentet sipas të cilave bllokimi i llogarive financiare të klubit pas gjyqit me “Gea Sport” ishte bërë në mënyrë krejtësisht të paligjshme, arsye pse kishte bërë kallëzim në Prokurori.

voltana ademi bashkia shkoder

Deklarata për shtyp

Kohët e fundit në media apo në opinionin sportiv është diskutuar shumë në lidhje me procesin gjyqësor në mes kompanisë “Gea Sport” immobiliari dhe KF Vllaznia sh.a.  Me një vendim, të cilin që në fillim ne e kemi konsideruar të padrejtë, një Gjykatë e Ndërmjetme dhe Arbitrazhi Tregtar ka bllokuar llogaritë e KF Vllaznia sh.a, duke cenuar dukshëm mbarëvajtjen e ecurisë sportive dhe tregtare të shoqërisë.

Kemi pasur dyshime të arsyeshme se ky bllokim është bërë me dashje për të vështirësuar deri në pamundësi funksionimin e KF Vllaznia, për të përbaltur emrin dhe historinë gati 100-vjeçare të këtij klubi emblemë të futbollit shqiptar.

Por ajo çfarë ne duam të bëjmë publike sot është mashtrimi i madh që Qendra Shqiptare e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar “MEDART” i ka bërë kësaj çështje, duke i shkaktuar një dëm të madh moral e material KF Vllaznia sh.a.

Bashkia Shkodër me anë të disa shkresave zyrtare i është drejtuar për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, Ministrisë së Drejtësisë, Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit në lidhje me ushtrimin e aktivitetit nga ana e Qendrës Shqiptare të Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar “MEDART”.

Përgjigja zyrtare që kemi marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit është:

“Qendra e Arbitrazhit Tregtar “MEDART” nuk rezulton e regjistruar në regjistrin tregtar”.

Po ashtu kemi marrë një përgjigje zyrtare edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve Tiranë, sipas së cilës : “…subjekti “Qendra Shqiptare e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar” me NIPT K41920007P është në statusin pasiv që në datë 17.12.2014”.

Këto të dhëna zbulojnë mashtrimin e madh në këtë çështje.

Qendra Shqiptare e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar “Medart” më datë 27.06.2016, periudhë në të cilën është jo aktive, me status pasiv, (vepron në paligjshmëri te plote), ka dhënë një vendim në dëm të KF Vllaznia sh.a., vendim i cili shkakton një dëm të ekonomike financiar dhe moral.

Në këto kushte, Bashkia Shkodër si aksionari i vetëm i Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a, çmon se subjekti Qendra Shqiptare e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar “MEDART” ka vepruar në mashtrim dhe duke shpërdoruar detyrën e cila pretendohet të ushtrohet nga ana e saj.

Për arsyet e mësipërme, Bashkia Shkodër i është drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles së parë për Regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj subjektit të kallëzuar Qendra Shqiptare e Ndërmjetësimit dhe Arbitrazhit Tregtar “MEDART”, si dhe për kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara në këtë kallëzim.

Njëkohësisht, Bashkia Shkodër, i bën thirrje të gjithë organeve kompetente që të zhbllokojnë sa më shpejt situatën si rrjedhojë e vendimeve të dhëna kundër Klubit te Futbollit Vllaznia sh.a.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"