85 vjet më parë: Kampionati i 1-rë i Shqipërisë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 31, 2015 | 17:19

85 vjet më parë: Kampionati i 1-rë i Shqipërisë

SK Tirana1930Shpresova… por jo!…

Dossier i një historie kritike

Nga BESNIK DIZDARI

Prilli kaloi. Më saktë kaloi 6 prilli. Dhe ju e dini se çka është 6 prilli. Është dita 6 prill 1930, dita kur ka nisur Kampionati i 1-rë Kombëtar i Futbollit në krejt historinë e Shqipërisë.

Dhe unë që shpresova!…

Shpresova duke menduar që Shqipëria ime do ta përkujtonte këtë ditë. Dhe se si do ta përkujtonte – kjo pak rëndësi mund të kishte. Ndonëse, bie fjala, mund ta përkujtonte duke nderuar “pionierët” e 6 prillit 1930. Duke i përmendur, duke organizuar një përkujtesë ceremoniale për ta. Dhe, natyrisht, duke i nderuar në forma të ndryshme, duke i dekoruar mbase. Sepse, pothuajse të gjithë ata nuk janë dekoruar ndonjëherë. Nuk janë dekoruar ende jo vetëm nga shteti shqiptar, por mbi të gjitha nga ata të cilëve ata i përkasin më fort se kurrkujt: mjedisit sportiv futbollistik shqiptar, Ministrisë së Arsimit, të Sporteve apo të Kulturës, Federatës Shqiptare të Futbollit. Më saktë, Kryesisë së Federatës Shqiptare të Futbollit apo Komitetit Ekzekutiv të saj. Sepse ne bëjmë një gabim të papranueshëm kur kritikojmë, bie fjala, Federatën Shqiptare të Futbollit. Federata e Futbollit është kaq gjërë sa që pjesë e saj vetvetiu është edhe një anëtar i Shoqatës së Tifozëve të një klubi, është edhe një gazetar, edhe një veteran i futbollit, edhe një organizator i dikurshëm dhe doemos mijërat e futbollistëve.

Në vitet ’30, të qenit anëtar i një Federate Sportive, do të thoshte që të kishe kartën e anëtarësisë. E kam të ruajtur kartën e anëtarësisë të themeluesit të madh të sportit shqiptar, Dr. Samimit të asokohe. Kartën e anëtarësisë që nuk besoj se ekziston sot në Shqipërinë e vitit 2015 të Shekullit XXI. Pra, kot themi tash e parë “Federata Shqiptare e Futbollit”. Është më saktë të themi “kryesia e Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Kështu pra, shpresova se do të mund të triumfohet mbi idenë e gabuar që thotë se “historia fillon kur kam lindur unë” apo “kur kam ardhur unë këtu”. Ose historia nis vetëm me ata ose ato që i kam përjetuar unë”, “që mbaj mend unë”, “që kam qenë unë aty”. Që do të thotë se “vetëm këta unë nderoj”, se “vetëm këta unë dekoroj”, se “vetëm për këta unë shkruaj, evidentoj apo ngre në piedestal”. E edhe nëse ka prej tyre madje që mund të mos e meritojnë para “atyre”. Ose mund të meritojnë shumë më pak se disa të tjerë, të cilët “i kam kyçur në arkiva nëntokësorë”, e, pra zëre se ata nuk kanë ekzistuar kurrë. Qoftë edhe për portretet që mund të përshkruhen në shtyp apo mund t’iu bëhen dokumentarë pa asnjë radhë meritash, pa asnjë përzgjedhje jetësimesh e arritjesh, pa asnjë dituri rolesh historike. Dhe, për fat të keq, kjo nuk ndodh vetëm në sport…

Kështu, u rrêjta keqas e shpresova se përgjegjësit zyrtarë, organizatoro-sportivë apo qeverisës të këtyre punëve, do të kujtoheshin se mbërriti data më historike e futbollit shqiptar: 6 prilli pra, që përkon me 85-vjetorin e 6 prillit 1930, kur nisi Kampionati Kombëtar i Shqipërisë, një ngjarje që ta do mendja se nuk do të mund të kalonte pa u “vu oroe”, siç do të shkruante Shoqnia Bashkimi e Gjuhës Shqipe të 1908-ës.

Si studiues të këtyre punëve në të vërtetë kemi vite që e bëjmë një gjë të tillë, qoftë edhe me nja pesë libra të posaçëm kushtuar vetëm Kampionateve të Shqipërisë (tjetër punë janë prania e tyre edhe në nja 15 libra të tjerë) që kapin pa ndalë periudhën 1930-1959. Mirëpo, ne “jemi të vegjël”, që do të thotë se “të mëdhenjtë” ose ata të cilët iu kanë mbushë mendjen vetes se vërtet janë “të mëdhenj”, ndonëse në të vërtetë janë “të vegjël”, janë pra të tjerë.

Sidoqoftë, me gjithë keqardhjen që mund të kemi ndaj strukturave të gjithmbarshme qofshin: media, shtyp i shkruar apo organizma të futbollit, të kulturës ministeriale a s’di se çka, unë për vete shpresova. Ngaqë, në fund të fundit, e gjitha kjo është edhe çështje kulture e atdhetarie bashkë, pavarësisht se këto janë cilësi që nuk i ka gjithkush. Për ne shéjti është lexuesi dhe lidhja me të është synimi ynë kryesor. Në fund të fundit, për kë shkruajmë, për kë mundohemi të tregojmë, të shquajmë, të nderojmë, të spikasim, të mos harrojmë?…

2.

Shpresova se dikush duke qëndruar te historia, do të tregonte, do të përsiatte, do të nderonte, madje duke treguar zyrtarisht, se atë ditë të 6 prillit 1930, 6 skuadra shqiptare i dhanë jetë Kampionatit të 1-rë të Shqipërisë në futboll: SK Tirana, Skënderbeu i Korçës, Bashkimi Shkodran, Teuta e Durrësit, Urani i Elbasanit dhe Vlora. Këta ishin emërtimet zyrtare të tyre të asokohe. Ai ishte një Kampionat që niste me një “finale” të madhe që do të zhvillohej pikërisht aty ku kishte lindur futbolli, në Shkodër. Ka qenè ndeshja Bashkimi Shkodran-Sportklub Tirana, një 3-2 spektakolar për shkodranët (shënues Qazim Dervishi, Paç Koliqi, Gjon Kiri dhe Rexhep Maçi e Hilmi Kosova për SK Tiranën).

Dhe vetvetiu shpresova se dikush do të nderonte me përkujtim zyrtar paksa deri dhe Rregulloren e këtij Kampionati që ishte nën patronazhin e N. M. S. Princeshës Myzejen. E asisoj do të nderonte edhe këto radhë të një kulture të lartë qè kanè tè bèjnè me profesionin tonè, e që në drejtshkrimin e kohës, thoshin:

“… Do të hyjnë pa pagesë në sheshin e ndeshjeve: Drejtuesit e Degave të Entit; Arbitrat që kanë kartë; Shëndetsori (sanitario) i ngarkuar posaçërisht; Të dy instruktorët e skuadrave; Lojtarët e riservës; Fotografët e autorizuar; Përfaqësuesit e shtypit.”

“… Shërbimi fotografik do të bëhet vetëm prej fotografëve të autorizuar prej autoriteteve vendase me shkresë; këta detyrohen t’i paraqitin Degës së Entit dobare një kopje të fotografivet të mara.”

Janë dy pika të rregulloreje që, sado arkaike të duken, për çudi mund të mbeten moderne edhe pèr sot e kësaj dite. E, për sa u përket atyre të rangut teknik, dihet që qenë të përsosura.

Shpresova ndërkaq, se dikush do të nderonte zyrtarisht edhe vetë ceremonialin e kohës që thoshte se më 19 korrik 1930, “n’orën 10.30 skuadra ‘Sport klub Tirana’ u paraqit para Naltmadhnisë së tij Mbretit, në Banjat, e përcjellur prej zotnis së tij De Marchis, prej këshillit të shoqërisë e prej lojtarëve të Tiranës”, – siç thotë kronika e kohës. Një Ceremoni madhështore që bëhej në Durrës e përcjellë prej bandës së qytetit. Ku Gjeneral Leon de Gjilard ia paraqet skuadrën kampione Mbretit Zog.

Shpresova se dikush prej FSHF-së apo kryesisë së saj të sotme, do të kujtonte zyrtarisht se ky themelim i vitit 1930 hyri në histori me rastin shembullor (emblematik) të ekzekutimit të himnit kombëtar, nën tingujt e të cilit po me rregullore do të fillonin ndeshjet në të gjithë qytetet ku kishte orkestër frymore. E do të tregonte se si Princesha Myzejen i dorëzon kapitenit të SK Tiranës, Irfan Gjinalit, Kupën e kampiones, një top futbolli prej bronzi me mbishkrimin përkatës, i cili besojmë se ende duhet të ndodhet i ruajtur në selinë e SK Tiranës. E, pse jo, të përkujtohej edhe fundi i kësaj ceremonie të rrallë me drekën për futbollistët e SK Tiranës: Irfan Gjinali, Rudolf Gurashi, Abdullah Shehri, Xhelal Kashari, Vasil Kajana, Gjon Sabati, Llazar Miha, Mark Gurashi, Bexhet Jolldashi, Isuf Dashi, Selman Stërmasi, Adem Karrapici, Hysen (Dake) Kusi, Mustafa Begolli, Hilmi Kosova, Emil Hajnali, Rexhep Maçi, Dr. Isuf Dashi, Dr. Shefqet Ndroqi!

Kjo është historia. Këto janë themelet. Mbi tè cilat qysh nga ai korrik 1930, do tè qèndronte Sportklub Tirana – gjithmonë protagonisti i madh i Kampionateve të Shqipërisë. Pa praninë dhe interpretimet e saj të fuqishme, historia e 85 vjetëve të kampionateve shqiptare nuk do të mund të shkruhej. Është 24 herë kampione, shto këtu dhe dy titujt e Kampionateve të Luftës (1939, 1942) dhe për historinë e vërtetë (jo atë të rrênave) bëjnë plot 26 tituj të Kampionit të Shqipërisë. Rekord ende i pambërritshëm!

3.

Shpresova muaj më parë se emblema e Kampionatit 2014-2015 do të ishte e shkruara e publicitetit nën këtë pamje: “85 vjet Kampionate të Futbollit në Shqipëri”! Mirëpo, “emblemat” e kampionatit, të Kombëtares, të mjedisit tonë sportiv ka kohë që janë të tjera, madje të një mendimi krejt privat e ndoshta vetjak (personal), deri sa për një çast të duket sikur shteti, qeveria apo ministria, sportin, apo më saktë, mendimin sportiv shqiptar, “ia ka falë dreqit”. Mos qoftë e vërtetë!

Duke shkuar më tej, shpresova se do të ishte i domosdoshëm një nderim i madh zyrtar po të shkruheshin diku në këtë mjedis, këto emra të marrë prej “Panteonit” tonë tejet origjinal, të Kampiones së parë Sportklub Tirana: Begolli, Dr. Dashi, Gjinali I., Gurashi M., Gurashi R., Hajnali, Jolldashi B., Kajano, Prof. Karapici, Kashari, Kosova, Kusi, Maçi, Miha, Dr.Ndroqi, Sabati, Shehri, Prof. Stërmasi. Mandej, shpresova se tek Sheshi i Fushës së Shallvares, aty ky është bar-restoranti që ne i themi “Taivani”, dhe rrugës përgjatë tij, me një ceremoni të shpejtë të zbulohej obelisku me emërtimin “Rruga Sportklub Tirana”, apo “Lushta – Kryeziu” – dy emrat e parë që dolën prej Kampionateve të parë modestë të Shqipërisë dhe rrufeshëm u bënë kampionë e fitues kupash në tokën e Kampiones së Botës, Italisë. Ose një pllakë pra me mbishkrimin: “Këtu ka qenë Fusha e Shallvares. Këtu është shpallur kampionia e parë e Shqipërisë në futboll”. Ngaqë mendoja se ky ishte një detyrim kombëtar, jo një favorizim për s’di se ke.

(Thotë një njeri i madh: “Çfarë kulture bazë mund t’iu mëkohet të rinjve pa Historinë, që përbën shtyllën bazë; çfarë vetëdije civile mund t’i mëkosh një qytetari, i cili injoron nga vjen Atdheu i tij; përse është, si është dhe si duhet të jetë?”. Dhe shton: “Kultura, ajo e vërteta, është 80 përqind histori”).

Shpresoja ndërkaq se në këtë 85-vjetor do të evidentohej qartë edhe 5 shkurti 1930, kur Sportklub Tirana ka riformuar “parinë vepruese” e përbërë nga Teki Selenica (kryetar), Petro Korçari dhe Zoi Xoxa (këshilltarë) e Anastas Shundi (sekretar), si dhe Anastas Koja (arkëtar). Dhe se, ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Kostaq Kotta, ka pranuar të jetë kryetar nderi i Sportklubit. Madje, tash në prag të ndërtimit të stadiumit të ri në Shkodër, shpresova se dikush do të mblidhte rininë sportive e do t’i tregonte se si mbas shumë peripecive kishte ndodhur që, në Qytetin e Futbollit me emrin Shkodër, ishte formuar “Bashkimi Sportistë”, siç quhej, me synimin për të bashkuar pesë shoqnitë kryeneçe të Shkodrës të cilat nuk pranonin dhe për t’i bindur që të marrin pjesë në Kampionatin e Parë me vetëm një skuadër. Dhe sesi zgjidhet kryetar i mirënjohuri Taip Shkodra dhe anëtarë të kryesisë Ranko Cerenko, Teofik Bekteshi dhe Salvator Kurti.

Kuptojeni se të gjitha këto kryesi ishin degë të Federatës Shqiptare të Futbollit në qytete! Dhe… “CHAMPIONATI KOMBETAR – 6 PRILL”, siç njofton me bujë shtypi i asokohe duke u shkruar kësisoj për t’i ngjà sa më shumë të jetë e mundur Europës, teksa më 31 mars mbrenda në Tiranë përurohej Fusha e re e Shallvares me ndeshjen miqësore Urani i Elbasanit – SK Tirana 1-0!

Kështu pra, duke u kthyer në Tiranë, shpresoja se do të nderoheshin fort sot Rexhep Jella, Mihal Sherko, Ali Erebara, Oresto Morra, Giandomenico De Marchis, dy prej të cilëve e shihni që janë italianë: Morra dhe De Marchis, çka tregonte një mbështetje në përvojën ndërkombëtare të atyre që dinin më shumë se ne. Jo si sot që “i dimë të gjitha ne vetë”.

Këta përbënin pesëshen e Komisionit të Kampionateve, që nuk është asgjë tjetër përveçse kryesia e Ligës organizatore të Kampionatit Kombëtar që ne nuk e formojmë ende sot.

Shpresoja se “dikush” (bie fjala, një kryesi e futbollit të sotëm) do të gjente mënyrën e të përkujtonte një deklaratë të jashtëzakonshme të zotni Rexhep Jellës, i cili nënshkruan fjalë për fjalë si “President i Komisionit të Kampionatit”. Koloneli Okley Hill, që do ta citoj më gjatë pak më tej, ka shkruar në kohët e vona për të: “Rexhep Jella ishte një burrë me taban dhe i shkathët, me flokë gështenjë e me një sjellje të përzemërt; ai njihte çdo njeri, fliste shumë mirë anglisht, turqisht, italisht dhe frëngjisht; njihte gjithashtu persishten dhe i pëlqente të lexonte poetë të vjetër. Ngiste një veturë origjinale Ford V8”.
Këta pra ishin njerëzit “e prapambetur” që asokohe themelonin dhe drejtonin futbollin e sportin shqiptar.

Një prej tyre ishte edhe Rexhep Jella, një President i Ligës apo qoftë dhe i Federatës Shqiptare të Futbollit qysh para qershorit mëtues 1930. Kemi shkruar: nuk mund të mëtojmë që në Shqipërinë e 85 vjetëve më parë, të gjejmë organizime anglosaksone të llojit, ndonëse në to ka një stil të vërtetë europian. Deklarata e Presidentit Jella, në të vërtetë është një ide e madhe e “fair play”-t sportiv të sotëm. Ai shkruan në drejtshkrimin e kohës:

“Ndeshjet sportive, përveç propagandës së Sportit përgjithësisht, duhet të shërbejnë për të bashkuar shpirtët dhe për të çfarosur tendencën dëm-pruerse antagonizmesh e cilla e futur edhe në sheshin Sportiv, do të përjetësonte midis viseve dhe qarqeve të ndryshme, zëmërime dhe mërina të cillat përkundrazi duhen çdukur”.

Tjetër organizatori italian triestini Giandomenico De Marchis, i cili mbante nën përkujdesje çështjet sportive të vendit, një njeri i jashtëzakonshëm, i këndshëm, siç e përcakton Koloneli Hill. Dhe ishin Hilli dhe De Marchis që përkthyen rregulloren e futbollit, që ia dërgoi bash Federata e Angleze e Futbollit, e që këta të dy e shtypën dhe ia dërguan të gjithë klubeve të të gjithë qyteteve të Shqipërisë. Edhe me këta personazhe të shquar të huaj, për të cilët Shqipëria nuk do t’ia dijë, u bë futbolli dhe sporti shqiptar.

Sigurisht, kështu si kanë shkuar këto punë, nuk shpresoja që dikush t’i nderonte ata. Unë për vete kënaqem me pak. Kënaqem që një gjyqtar i mëparshëm i futbollit, Ing. Mëhill Shkambi, mbasi themeloi Çmimin “Luigj Shala” për gjyqtarët e futbollit – çka në qarqet e zyrave qendrore të futbollit në Tiranë e mbuloi heshtja – u kujtua pra të nderonte edhe Kolonelin, të famshmin Dayrell Oakley Hill – duke sjellë në Shqipëri edhe dy bijtë e tij të nderuar – të cilin duhet ta quajmë edhe si pionierin themelues të gjykimit të futbollit në Shqipëri.

Duke kaluar te historitë “bixarre” të Kampionatit, ajo që shpresova kishte të bënte me qoftè dhe me rikujtimin pa komplekse censure të stilit të Regjimit, tè ngjarjes sè rrallë dramatike që na thoshte se Sportklub Tirana dhe Skënderbeu kanë përfunduar me pikë të barabarta. Dhe që Skënderbeu i Korçës, një skuadër e mrekullueshme për kohën, nuk paraqitet në fushë as më 29 qershor në Korçë dhe as më 6 korrik në Tiranë, çka përbënin dy fundoret për titullin për shkak të përfundimit të Kampionatit me pikë të barabarta midis tyre dhe SK Tiranës. Pse jo, për të treguar shpërthimin e polemikave në shtyp midis gazetave “Arbënia” e “Ora” të Tiranës e asaj “Gazeta e Korçës”. Dhe se si ndodhi që SK Tirana të fitojë titullin për mosparaqitje të skuadrës korçare, me gjithë ndërhyrjen e Pasquale Lissoni-t, instruktori italian i sporteve për Korçën, në fakt drejtori i degës së Korçës të Entit Kombëtar, dhe prefektit të Korçës, Hil Mosi. Çudi vërtet! Paskan pasur pavarësi klubet qysh në themelim!…

Shpresova se do të shpalosej sot, se si më 9 korrik 1930 Komisioni i Kampionatit të Futbollit gjithnjë me përbërje ndërkombëtare e me pjesëtarë Seid Toptani (kryetar), Mihal Sherko, major Ali Erebara, major O.Morra, prof. G. De Marchis, vendos shpalljen e SK Tiranës si Kampione e Shqipërisë për mosparaqitje në dy ndeshjet të rivalit Skënderbeu i Korçës. Kampionia e parë e Shqipërisë në futboll ishte shpallur kësisoj, në mënyrë thuajse aventuroze në çastin e fundit dhe me një vendim mbi tryezë! Edhe kjo hyn në histori për t’u treguar.

Ashtu siç hyn këtu edhe kujtesa për të paditurit, të cilët nuk duan të mësojnë e të dinë për përcaktimin që ka bërë për këta pionierë të futbollit të viteve ’30 anglezi i famshëm pra, Koloneli organizator edhe i Xhandarmarisë Shqiptare, Oakley Hill – organizator i madh i Kampionateve të Shqipërisë dhe sporteve të viteve ’30 si kryetar i Komitetit Teknik Arbitral Shqiptar. Na ka lënë kësisoji këte përcaktim të jashtëzakonshëm që i bën nder vlerësimit të traditës sonë sportive:

“Futbollistët shqiptarë, – shkruan koloneli, – kishin ide të qarta për lojën, ashtu siç luhej ajo në atë kohë. Ata luanin një futboll të fuqishëm dhe të pastër… Problemi i tyre kryesor, fillimisht, ishte se prekeshin shumë nëse mendonin se ishin trajtuar në mënyrë të padrejtë. Në fakt, gjithnjë e kam shijuar arbitrimin e ekipeve të kampionatit: ata ishin lojtarë aq të kujdesshëm dhe aq të pëlqyeshëm, njerëzorë”.

4.

Shpresova se dikush do të tregonte pra, edhe zyrtarisht, se sidoqoftë në Shqipëri kishte lindur Kampionati i Futbollit. Dhe se përmbyllja kishte qenë mbrëmja e 10 korrikut 1930 në Hotelin “Metropol” të Tiranës – gostia e fitores së Kampiones së Parë që ka vazhduar deri në agim. Dhe se tre fjalime ceremoniale e kanë përshkuar këte mbrëmje historike: ai i sekretarit të Shoqërisë Sportive SK Tirana, Stefan Shundi; i Nebil Çikës, drejtor i gazetës “Arbënia”; i mësuesit Ramazan Jarani, anëtar i këshillit të Shoqërisë SK Tirana.

Kështu, Sportklub Tirana me kapitenin e saj emblematik, Irfan Gjinalin, i pari kapiten i një Kampioneje të Shqipërisë në këte histori, bëhej Kampionia e parë e Shqipërisë. Kishte fituar një kampionat dramatik përmes një gare të ashpër, veçanërisht me dy konkurrentë të fortë, siç ishin Skënderbeu dhe Bashkimi Shkodran.

Kështu pra. Fort shpresova se do të kujtohej nisja dhe vazhdimi deri në këte korrik 2015, 6 prilli themelues i vitit 1930. Që do të thoshte se Shqipëria pa përvojën e mëparshme të të tjerëve të ardhjes së futbollit në tokën e saj, kishte organizuar Kampionatin Kombëtar të Futbollit para Francës (1933), Portugalisë (1935), Zvicrës (1934), Bashkimit Sovjetik (1936), Norvegjisë (1938), Izraelit (1932), Qipros (1935), Turqisë (1959)…

Me thënë të drejtën, me këte “kundërzogizëm” që ekziston te disa qarqe të sotme prapambetëse, fanatike tejet të politizuara, sigurisht nuk shpresova se do të përkujtohej me një ceremoni moderne 6 prilli 1930 që i themeloi Shqipërisë Kampionatin e saj. Prej ku do të mbërrihej mandej te 20 korriku 1930, kur “n’orën 10.30 skuadra ‘Sport klub Tirana’ u paraqit para Naltmadhnisë së tij Mbretit, në Banjat, e përcjellur prej zotnis së tij De Marchis, prej këshillit të shoqërisë e prej lojtarëve të Tiranës”, siç shkruan shtypi. Ka qenë ceremonia madhështore që është organizuar në Durrës, e përcjellë prej bandës së qytetit ku Gjeneral Leon de Gjilard, Komandant i Përgjithshëm i Milicisë, por në këte rast me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Sportit, ia paraqet skuadrën kampione Mbretit Zog i shoqëruar prej Princeshës Myzejen.
E, këtu duket se përfundon ajo çka unë shpresova. Tash nuk ia vlen. Nuk ka më nevojë për asnjë shpresë. E ndërkaq po ribotoj këtu faqen e parë të “Gazetës Shqipëtare” 1930, e cila i kushtohet kësaj ceremonie historike me dy foto natyrisht të zbehta, që fiksojnë evenimentin ceremonial ku duket Mbreti Zog dhe Princesha Myzejen duke u dorëzuar çmimet fituesve si dhe foto e skuadrës kampione, asaj të Sportklub Tiranës, me fanella të bardha! Një foto përtej historisë që na risjell sot Kampionen e parë të Shqipërisë. Interesante është se skuadra është e veshur pra me fanella të bardha, jo me fanellat e saj tipike bardheblu, me të cilat kishte luajtur gjithë Kampionatin. Ishte vepruar kështu ngaqë kjo divizë është quajtur ceremoniale për paraqitjen para Mbretit, dhe skuadrës fanellat e reja i kanë ardhur nga jashtë, posaçërisht për ceremoninë. Iniciatori kishte qenë vetë Leon Gjilardi, i cili së bashku me këto fanella ceremoniale i kishte dhuruar skuadrës edhe dy buste bronzi të Skënderbeut dhe të Mbretit Zog.

Dhe në fanellën e secilit futbollist është vendosur shqiponja e flamurit kombëtar, shéji i nderit për Kampionen, të cilën gjashtë herë SK Tirana dhe një herë Skënderbeu si kampione të viteve ’30, i kanë mbajtur për çdo sezon të tyrin deri në dorëzimin e marrjes së titullit prej dikujt tjetër. Është si tradita e ngjashme me “scudetto-n” trengjyrëshe të flamurit në gjokset e futbollistëve të skuadrës kampione të Serisë A për çdo vit në Itali. E pse jo, me shqiponjën është një origjinalitet shqiptar.

Sigurisht, sot nuk shpresova se dikush do të më përmendte se qysh 10 vjet më parë kam propozuar se asgjë nuk pengon qè Kampionet e sotme të Shqipërisë ta mbajë shéjin me shqiponjën tonë të flamurit në fanellat e saj.

Dhe aq më pak shpresova se me atë kundërzogizëm që vjen prej shoqërisë komuniste, e që ekziston pra ende sot, më 2015, “dikush” t’i thurte lavde fjalës së vet Mbretit Zog që është unikale për historinë tonë, natyrisht duke u futur në kontekstin e kohës së vitit 1930, vetëm 18 vjet mbas Pavarësisë. Tha Mbreti Zog:

“Tani due me ju porositë tre sende qi janë tre parime që dëshroj t’ju rekomandoj. E para: të ndjekni zhvillimin e plotë të dashtnisë për Atdhe. E dyta: zhvillimin me zemër të kulluet e pa asnjë djallëzi të vllaznimit të plotë midis Djelmnisë dhe zhvillimin e bashkimit kombëtar. E treta: Disiplinë. Duhet të dini se pa disiplinë nuk mërrihet në asnjë sukses. Po s’pati disiplinë në mes, çdo gjë humbet vleftën e vet. Djalëria po s’dha shëmbëllen e disiplinës, përpjekjet që bën janë nul. Kini për udhëheqës këto tre këshilla e duke iu mbështetun këtyre parimeve, ecni përpara, ju që jeni shpresa e të arthmes. E arthmja e kombit asht sigurue e pra e arthmeja e juej asht e sigurtë. Shpresoj se do të vazhdojë edhe pas këndej suksesi qi kini fitue dhe uroj të përparoni edhe ma.”

Mandej ekzekutohet Hymni Kombëtar. Dhe krijohet një intimitet ose një lirshmëri tjetër, teksa Mbreti Zog iu afrohet futbollistëve të SK Tiranës, duke i falënderuar edhe një herë, por dhe organizatorët, gjeneral Gjilardin dhe kolonel Agostunucci-n. Mandej Princesha Myzejen, padronia e Kampionatit, i dorëzon kapitenit të SK Tiranës, Irfan Gjinalit, Kupën e kampiones, një top futbolli prej bronzi me mbishkrimin përkatës.

Këtu merr fund dhe ajo çka unë shpresova: Nderimin e pamatë për 85-vjetorin e themelimit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit në Shqipëri. Një histori që i bën nder jo thjesht sportit e futbollit kombëtar, po vetë kulturës dhe atdhetarisë së vërtetë shqiptare.

E megjithate po e mbyll me një shpresë. Po kujtoj këtu të gjithë emrat e kampionëve të shtatë Kampionateve themelues të Shqipërisë të viteve ’30 me shpresën se më në fund ata do të nderohen. Kanë qenë të gjithë qytetarë familjesh fisnike e të thjeshta, djem të shkolluar apo artizanë, studentë apo dhe të universitarë të diplomuar, mësues e mjekë, të cilët mbasi lenin mënjanë kostumin sportiv, i shihje rrugëve të Tiranës e të Korçës, të Shkodrës, Durrësit, Vlorès, Elbasanit a Kavajës tek shkëlqenin në kostumin civil të një nobiliteti. Shkoni e gjeni fotot e tyre. Dhe tek janë këtu të gjithë kampionët e 7 kampionateve të parë:

Prof. Alla M. Agolli M., Balla , H.Begeja, H. Begolli, Çoku, Dr.Dashi I., Gurashi M., Gurashi R., Gjinali I. Gjinali S., Hajnali, Hima R. Hobdari, Janku F., Jakova, Jegeni, Jolldashi B., Jolldashi R., Kajano, Prof. Karapici, Kashari, Kashariqi, Keçi, Korça, Kusi, Lisi, Lushta, Llambi S., Maçi, Maluçi, Miha, Mirdita, Dr. Ndroqi, Plluska, Petrela M., Sabati, Dr.Samimi 31; Skuka, Prof. Stërmasi S., Shehri, Zebishti, Agaj, Bimbli, Çani, Dishnica, Kulla, Marjani, Miti, Petra, Ing.Stassa, Trebicka, Ypi, Vangjel. Trajnerët Singer, Stërmasi, Qemal Omar.

Ndërsa gjyqtarët e Kampionateve themelues po i shkruaj të plotë me emër e mbiemër: Koloneli Oakley Hill, Alush Lleshanaku, Anastas Shundi, Kristo Mihali, Mihal Kosta, Ndoc Gera, Ali Kuçi, Skender Sadiku, Telemak Anastasiadhi, Aqif Domini, Bahri Toptani, Teni Frashëri, Ahmet Ashikja, Nush Luka, Myfid Halimi, Mir Papajani, Muhamet Halili, Avni Zajmi, Anton Mazreku, Enver Kulla. Për tre prej të cilëve, më 8 korrik 1937 shtypi shqiptar njoftonte: “FIFA njeh për herë të parë tre gjyqtarë ndërkombëtarë nga Shqipëria: Luigj Shala, Eqrem Stërmasi dhe Llazar Miha”. Kjo është pra treshja e parë shqiptare e FIFA-s, që kurrsesi nuk mori një mirënjohje në Shqipëri. Ndonëse edhe këta dhe të gjithë të tjerët i shërbyen Shqipërisë.

Kështu pra, për gjithçka përkujtova, unë shpresova fort… por jo!…

 






www.minuta90.com