Tefik Osmani firmos dhe prezantohet me fanellën kuqeblu

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 16, 2012 | 14:00

Tefik Osmani firmos dhe prezantohet me fanellën kuqeblu

Drejtuesit e klubit të Vllaznisë janë duke u përgatitur për të realizuar blerjen e gjashtë në këtë merkato vere. Fjala është për rumunin Dragoi. Pasi janë konsumuar të gjitha kushtet dhe kërkesat nga të dyja palët, si klubi ashtu edhe lojtari, sot pritet vetëm mbërritja e tij në Shkodër për të hedhur firmën mbi kontratë, çka do ta lidhte edhe zyrtarisht me Vllazninë. Me afrimin e tij shkodranët realizojnë kështu një ndër përforcimet më cilësore në repartin e mesfushës.
Sulmi – Kjo javë do të jetë shumë vendimtare për kuqeblutë sa u përket afrimeve. Drejtuesit e klubit shkodran janë duke kërkuar me çdo kusht një bomber, çka do të plotësonte boshllëkun që ndodhet aktualisht në këtë repart. Dhe në Shkodër është rishfaqur sërish kroati Pero Pejiç, si një kandidaturë e mundshme për të veshur fanellën kuqeblu për sezonin e ri. Drejtuesit e klubit nuk kanë folur ende personalisht me lojtarin, por kanë kontaktuar nëpërmjet palëve të treta. Në fakt, gjetja e një sulmi të mirëfilltë paraqet një problem shqetësues. Përveç kroatit Pejiç, i cili për momentin është një ndër emrat më cilësorë në kampionatin shqiptar të futbollit, krerët kuqeblu kanë hedhur sytë edhe jashtë kufijve shqiptarë. Trajneri Shpëtim Duro është pro afrimit të kroatit. Mësohet se drejtuesit kanë bërë llogaritë duke menduar se edhe nëse do të rikthehej Sukaj, sërish duhej të shpenzonin një shumë të konsiderueshme. Në këtë mënyrë ata sfidojnë Skënderbeun dhe Tiranën që kanë shfaqur interesim për ish-futbollistin e Flamurtarit.
Mbrojtja – Vukçeviç dhe Osmani janë dy lojtarë shumë të mirë për repartin e mbrojtjes. Emri i Rajoviçit ka rënë si opsion, ndërsa pritet një përgjigje nga Vukçeviç. Nga burime pranë klubit shkodran bëhet e ditur se me Tefik Osmanin gjërat janë në rrugën e duhur dhe çdo gjë pritet të finalizohet me sukses. Gjithsesi, dje nuk ka pasur asgjë konkrete, pasi të gjithë kanë qenë në një pushim absolut. Vetëm sot mund të mësohet më shumë rreth lëvizjeve që pritet të bëhen në kampin shkodran. Drejtuesit, por dhe stafi teknik, nuk dëshirojnë që kjo javë të mbyllet pa përfunduar të gjitha blerjet. Në fakt, gjërat duken në rrugë të mbarë, përveç një sulmuesi që mbetet dhe enigma më e madhe. Nga sa mësohet, drejtori sportiv i Vllaznisë, Armir Grima, duke filluar nga sot do të përqendrohet maksimalisht së bashku dhe me trajnerin Duro për të plotësuar dhe hapësirat e mbetura në skuadër. Deri më tani drejtuesit e Vllaznisë kanë realizuar pesë blerje, duke treguar hapur se sezonin e ri kanë pretendime. Ata nuk do të dorëzohen për të realizuar edhe goditjen e fundit në repartin e sulmit, që mbetet një shqetësim për klubin.

Tri skuadra në garë për kroatin
Pero Pejiç, sulmuesi kroat, është vënë në qendër të merkatos së verës. Largimi nga Flamurtari dy ditë më parë, duke marrë statusin e lojtarit të lirë, ka bërë që shumë skuadra të hidhen në sulm për të marrë shërbimet e tij për sezonin e ardhshëm futbollistik.
SKËNDERBEU Kampionët e Shqipërisë kanë kohë që kërkojnë shërbimet e sulmuesit. Mungesa e një njeriu- gol ka bërë që ata të hidhen në sulm për të bindur shtatlartin për të veshur fanellën bardhekuqe për sezonin e ardhshëm futbollistik. Dhe, në rast të një akordi, një dyshe Xhafaj-Pejiç do të përbënin një sulm të frikshëm për çdo mbrojtje të skuadrave të kampionatit shqiptar.
TIRANA Kroati ka luajtur edhe më parë te Tirana, ndërsa drejtuesit e këtij klubi duan ta rikthejnë sërish në skuadër për edicionin e ardhshëm futbollistik.
VLLAZNIA Mungesa e një njeriu-gol ka bërë që drejtuesit e Vllaznisë të hidhen në sulm për të marrë shërbimet e kroatit. Madje, ata janë gati të bëjnë një sakrificë financiare vetëm e vetëm që ta kenë në skuadër për sezonin e ardhshëm.

Flamurtarit i kërkoi 80 mijë €, gjysmat paradhënie
Pero Pejiç është larguar nga skuadra e Flamurtarit, edhe pse klubi u përpoq me të gjitha mënyrat që ta kënaqte bomberin kroat. Drejtuesit e klubit janë gjendur në vështirësi kur ai ka kërkuar 80 mijë euro për një sezon por, gjithsesi, në fund kanë rënë dakord për shumën. Më pas futbollisti ka kërkuar gjysmën e parave në dorë para fillimit të sezonit (40 mijë euro), ndërsa pjesën tjetër gjatë vitit.
Prapaskenat Gazeta “Panorama Sport” e pati njoftuar që më datë 13 korrik se Pero Pejiç ishte shumë pranë divorcit, ndërkohë që vetëm një ditë më pas ndarja u bë përfundimtare. Lojtarit nuk i kanë pëlqyer kushtet e klubit. Drejtuesit e Flamurtarit i kishin vënë një pikë në kontratë ku, në rast se skuadra nuk do të fitonte titullin ose Kupën e Shqipërisë sezonin e ardhshëm, atëherë të gjithë lojtarëve do t’u mbahej një përqindje e rrogës. Thuajse të gjithë futbollistët e kanë pranuar këtë, me përjashtim të Pejiçit. Për sulmuesin bëhej fjalë që të linte “peng” afro 12 për qind të kontratës, në rast të mosfitimit të njërit prej trofeve. Ky i fundit nuk ka hequr dorë nga kërkesa për 80 mijë euro dhe ka dashur që të evitohen klauzola të tilla në kontrata. Në këtë pikë drejtuesit nuk kanë lëshuar dhe marrëveshja dështoi.
Gjika Kryetari i Bashkisë së Vlorës, njëherazi edhe presidenti i klubit të Flamurtarit, ka thënë se bëri gjithçka mundej që të arrihej një marrëveshje, madje për xhentilesë i ka kërkuar Pejiçit që të reflektonte, por është i ndërgjegjshëm se “divorci” duket i pashmangshëm. “Pejiçit ia plotësuam kushtet financiare, edhe pse na u desh të sakrifikonim shumë. Mund të them se na ndanë modalitetet, por ne si drejtues duhet të mendojmë edhe për klubin dhe për ecurinë e skuadrës. Duam që futbollistët të ndjejnë përgjegjësinë që kanë dhe të jenë të motivuar deri në fund. Me Pejiçin u ndoq e njëjta procedurë si me futbollistët e tjerë. Nuk dua të hyj në detaje as për shifra ekonomike, as për klauzola të tjera. Di vetëm të them se bëmë gjithçka mundëm, por nuk mund të cenojmë disa parime bazë të klubit. Do të doja që bashkëpunimi të vazhdonte, por gjithsesi i uroj gjithë të mirat dhe shumë suksese Pejiçit!”, – ka thënë Gjika për “Panorama Sport”.

Tefik Osmani firmos dhe prezantohet me Vllazninë
Vllaznia nuk ka të ndalur në merkaton e kësaj vere. Madje ajo është skuadra më aktive në këtë drejtim, sa i përket Kategorisë Superiore. Reparti mbrojtës i kuqebluve ka njohur këtë të hënë përforcimin e radhës, mjaft cilësor, pas rikthimit në shtëpi të Elvin Beqirit. Më konkretisht, firmën mbi kontratë për një sezon futbollistik e ka hedhur korcari Tefik Osmani, i cili ka luajtur me skuadrat kryesore shqiptare, si Partizani, Tirana, Teuta, Elbasani, Tomori etj. Ish-lojtari i Teutës së fundi, që mori pjesë edhe në Ligën e Europës me durrsakët, ka mbërritur të hënën në Shkodër, është ulur në bisedime dhe ka arritur akordin financiar me drejtuesit e klubit kuqeblu. Më pas ka hedhur firmën në kontratë. Menjëherë është bërë prezantimi i tij si lojtar i Vllaznisë, së bashku me Ndriçim Shtubinën, një tjetër blerje e kuqebluve në merkaton e kësaj vere. Tepër entuziast është paraqitur drejtori sportiv i klubit shkodran, Armir Grima, që i ka vlerësuar së tepërmi këto blerje. Ai e ka konsideruar tashmë Vllazninë një skuadër pretendente për sezonin e ri, që duhet të fitojë patjetër trofe.
Tefik Osmani e ka konsideruar privilegj veshjen e fanellës kuqeblu, ndërsa ka premtuar se do bëjë më të mirën me të. Edhe Ndriçim Shtubina ka garantuar se bashkë me lojtarët e tjerë të Vllaznisë do bëjë më të mirën për t’i rikthyer sërish tifozët shkodranë në stadium dhe skuadrën e kryeqendrës së veriut në korsinë e pretendimeve dhe trofeve.
ADMIR URUÇI






www.minuta90.com