EKSKLUZIVE/ Kukësi pa frena në merkato, tenton mbrojtësin e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2019 | 19:15

EKSKLUZIVE/ Kukësi pa frena në merkato, tenton mbrojtësin e Kombëtares

Kukësi nuk arriti dot te titulli këtë sezon, edhe pse investoi ndjeshëm në merkato. Në verë mori emra si Arturo Rexhinaldo, ndërsa në janar Valdet Ramën, Vasil Shkurtajn e Eduard Rrocën.

kukesi

E megjithatë, kur dihet që janë në lojë për të marrë trofeun e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri dhe me vendin e dytë do të luajnë në Kupat e Europës, në klub nuk po “qajnë” më dështimet.

Ata kanë filluar të mendojnë që tani për projektin e sezonit të ri dhe fuqizimin e grupit. Hapi i parë që do të ndërmarrin drejtuesit është blindimi i grupit aktual. Shumicës i sakdon kontrata, ndaj do fillojnë që të mendojnë për rinovimet. Me të mbyllur këtë histori, do të kthejnë vështrimin te përforcimet. Plani është i qartë, do të afrojnë 2-3 elementë që të bëjnë diferencën. Trajneri Ernest Gjoka kërkon që ta vazhdojë projektin me Kukësin dhe është i bindur te suksesi.

MERKATO – “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se drejtuesit e Kukësit kanë tentuar një futbollist të njohur e mjaft cilësor. Bëhet fjalë për lojtarin e thirrur nga Kombëtarja shqiptare, Bujar Likën. Drejtori Nderim Nexhipi, i deleguar nga presidenti dhe me OK-in e trajnerit, ka tentuar të bindë 26-vjeçarin kosovar, i cili luan në radhët e ekipit të Grasshopers në Superligën e Zvicrës.

Bujar Lika

Ai është mbrojtës i djathtë, por fare mirë mund të luajë edhe si mesfushor i djathtë. Por, duket se dëshira e Kukësit nuk do të plotësohet, të paktën deri më tani. Lojtari nuk dëshiron të luajë në kampionatin shqiptar. Gjithsesi, mbetet për t’u parë më vonë sesi palët do operojnë, pasi duke qenë se Kukësi luan në Kupat e Europës, mund ta nxisë për t’u afruar. Pagesa e lartë e lojtarit, por dhe dëshira e tij për të qëndruar në një ligë të fortë europianë bëjnë që mos të pranohet oferta e verilindorëve.

Bujar Lika

Bujar Lika ishte emër i panjohur derisa u ftua nga trajneri Kristian Panuçi për miqësoren kundër Norvegjisë, e luajtur më datën 26 mars 2018, në stadiumin “Elbasan Arena”. 25-vjeçari ka qenë më parë pjesë e Shafhausen, Uohlen dhe Luzernës U -21. Në 11 ndeshje gjatë këtij sezoni me Grasshopers, ai nuk ka shënuar asnjë gol.

Capturefsa

VASIL SHKURTAJ

Kukësi ka humbur jo pak në Gjirokastër. Më shumë se trepikëshi, duket se shqetësojnë dëmtimet. Vasil Shkurtaj la fushën e blertë që në minutën e 30- të, pasi ra keq gjatë një tentative për të kapur topin. Vlonjati nga rënia ka çekuilibrim të kolonës së mesit, në gjuhën mjekësore lumboshiatagji.

Mjekët e ekipit do të punojnë seriozisht, me qëllim që lojtari të jetë gati për ndeshjen e radhës ndaj Skënderbeut, por mbetet për t’u parë sesi do reagojë pas hematomës së marrë. Sulmuesi rrezikon ndjeshëm që mos të jetë i gatshëm plotësisht për sfidën ndaj bardhekuqve, e aq më tepër ta humbasë atë. Mjekët janë të bindur se Shkurtaj do të jetë gati, por gjithçka mbetet për t’u parë. Ai ka shënuar 11 gola në këtë sezon në Kategorinë Superiore, 7 në radhët e Luftëtarit dhe 4 me Kukësin.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"