EKSKLUZIVE/ “Andorra, çështje karakteri”, në “lupën” e Lalës: Me Xhakën veprohet ndryshe, ja pse vuajmë gjithnjë me të voglat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 21:55

EKSKLUZIVE/ “Andorra, çështje karakteri”, në “lupën” e Lalës: Me Xhakën veprohet ndryshe, ja pse vuajmë gjithnjë me të voglat

E vogël me të voglat… Shqipëria ka një problem të vazhdueshëm, që zgjat me dekada. Rezultate zhgënjyese ka marrë edhe kur në fushë zbrisnin lojtarë të cilët kishin vuajtur shumë për të mbërritur në nivele të larta. Altin Lala është një prej tyre.

Lala me lupe (1)

Ai nuk druhet ta pranojë se ky është një “defekt” i sikletshëm për Kombëtaren tonë prej shumë kohësh. “Çështje mentaliteti. Përjashto Kroacinë, ky është një problem tipik ballkanik. Unë kam luajtur në Gjermani dhe e dini cila është diferenca? Që ne, kur luajmë me Andorrën, hyjmë me mendimin se ‘hajt se do ta mundim. Janë më të vegjël se ne…’, ndërsa gjermanët, kur luajnë kundër Andorrës, i shënojnë 8 gola pa mëshirë. Sepse, ata dhe çdo ekip tjetër i madh hyn për ta bërë detyrën njësoj si me Andorrën, si me Anglinë”, rrëfen ish-kapiteni i shquar për “Panorama Sport”.

 Altin, a e patë ndeshjen?

Isha në Çeki për të parë ndeshjen e Kosovës. Për fat të keq, nuk u solla fat. Kisha shpresa të mëdha se mund të merrnin një rezultat pozitiv, por nuk qe e thënë.

Po Shqipërinë?

Fillimisht pashë golat dhe rastet, më pas e pashë ndeshjen ritransmetim…

Ç’përshtypje ju la?

Zhgënjim. I dyfishtë madje…

Në ç’kuptim? 

Në mënyrën se si luajtën, por edhe për faktin që na rikthehen problemet e vjetra. Për korrektësi, Shqipëria rezultate të tilla befasuese dhe zhgënjyese i ka bërë edhe në kohën time. Edhe para meje… Mëkat. Nuk kemi mentalitetin e duhur.

Balaj goli

Cili është mentaliteti i duhur? 

Mentaliteti i duhur është që kur hyn në fushë, duhet të mos tolerosh asgjë. Ndërsa ne, ballkanasit në përgjithësi, kur rivali është i lehtë në letër, e kemi të vështirë. Përjashto Kroacinë, ky është një problem tipik ballkanik. Unë kam luajtur në Gjermani dhe e dini cila është diferenca? Që ne, kur luajmë me Andorrën, hyjmë me mendimin se “hajt se do ta mundim. Janë më të vegjël se ne…”, ndërsa gjermanët, kur luajnë kundër Andorrës, i shënojnë 8 gola pa mëshirë. Sepse, ata dhe çdo ekip tjetër i madh hyn për ta bërë detyrën njësoj si me Andorrën, si me Anglinë. A e dini cila është fjala që përdorin më shumë trajnerët në Gjermani në të gjitha moshat dhe në të gjitha kategoritë?

Jo, cila është?

Përqendrim! Përqendrim! Përqendrim… Mund të kesh cilësi të shkëlqyera, por nëse nuk luan i përqendruar, je i djegur herët a vonë…

Pas ndeshjes, dy ish-trajnerë të shquar të Kombëtares, Bajko dhe Hafizi, kishin një kritikë të përbashkët: Nuk është ende gati Shqipëria që edhe të bëjë eksperiment, por edhe të marrë rezultate… 

Unë nuk jam shumë dakord me këtë, për dy arsye: së pari, sepse Shqipëria po luante pa ndonjë objektiv. Ne kemi dalë jashtë objektivave në grup dhe kur luan kundër Andorrës, çdo trajner ka të drejtën të bëjë edhe ndryshime. Është fundi i edicionit, do t’i japësh hapësirë edhe dikujt që mendon se mund të të shërbejë edicionin e ardhshëm. Nuk e shoh problemin tek emrat sesa te mentaliteti. Lojtarët që zbresin në fushë, qoftë edhe ata që konsiderohen rezerva, duhet të japin gjithçka për ta vënë në siklet trajnerin për ndeshjen e radhës. E thënë shkurt: duhet të sillen njësoj si në klube. Ata janë të gjithë djem që luajnë në klube profesioniste dhe pjesa dërrmuese në kampionate perëndimore. E dinë mirë se çfarë ndodh te klubi i tyre nëse hyjnë në një ndeshje pa mentalitetin e duhur dhe nuk japin maksimumin. Me shumë gjasë, ndeshjen tjetër humbin vendin në formacion…

altin lala armand duka

Çfarë mësuam nga Andorra? 

Ishte një sinjal i qartë për të ardhmen. Besoj duhet të reflektojnë të gjithë. Lojtarët, në radhë të parë, e kuptuan se nuk ka ndeshje të fituara pa sakrifikuar gjithçka në fushë. Kur të nisin edicionin e ardhshëm, ta kujtojnë vazhdimisht këtë ndeshje. Unë kur luaja, kisha më shumë frikë ndeshje si kjo sesa kur luanim kundër të mëdhenjve. Skuadra duhet të kuptojë se në futbollin e sotëm diferencën e bëjnë detajet. Nuk arrihen gjëra të mëdha po mendove: “Hë se e kap ky tjetri topin… Hë se e ndalon mbrojtësi sprintin e atij rivalit, hë se e bën sulmuesi golin…”. Shqipëria e ka të pamundur të bëjë gjëra të mëdha po nuk i bëri gjërat si duhet në fushë, por përtej kësaj duhet të ketë edhe frymën e duhur e mbi të gjitha edhe karakterin e duhur. Ndeshje të tilla tregojnë edhe karakterin e lojtarëve.

A mendoni se atmosfera për stadiumin, për Francën kampione bote mund të ketë ndikuar për t’i shpërqendruar disi lojtarët? 

Së pari, më vjen mirë që u bë stadiumi. Të gjithë shqiptarët janë të kënaqur për këtë. Por merita e profesionistëve është të mos ndikohen nga këto. Futbolli është i pamëshirshëm, jo vetëm se mund të zhgënjesh me të voglat, por sepse shpeshherë nuk të jep as mundësi rikuperimi dhe të lë me pasoja. Mua më vjen keq vetëm që nuk do të luaj në atë stadium, sepse vetëm kam luajtur në stadiume që edhe banjo nuk kishin… Por nuk dua të bëhem i mërzitshëm si disa të tjerë që e kanë në majë të gjuhës: “Ne në kohën tonë…”. Jo, jam i lumtur dhe krenar për eksperiencën time në Kombëtare, por duhet që edhe djemtë që luajnë tani të kuptojnë se në Kombëtare situata është më delikate dhe se nuk mund të neglizhohet asgjë.

Lala

A mungojnë liderët në Kombëtare? 

Nuk di ta them këtë, por të mos bëjmë krahasime. Ne ishim pak më të vuajtur se këta tani, por të mos harrojmë se jetojmë në kohën e “Instagramit”. Kanë ndryshuar brezat, botëkuptimet, mentaliteti. Nuk është e lehtë as tani të krijosh një mentalitet fituesi.

Po të ishit sot kapiten i Kombëtares, çfarë do t’u thoshe lojtarëve para ndeshjes me Francën?

Shikoni, me Francën motivimi nuk mungon. Kjo as diskutohet. Unë do t’u thosha vetëm një gjë, por jo vetëm me Francën, gjithmonë: Luani dhe jepni gjithçka! Luani në atë mënyrë që të mos keni asnjë pishman pas ndeshjes. Nëse e bëjnë këtë, jam i bindur që edhe rezultatet do të jenë të mira.

Ç’mendim keni për rastin e Xhakës? 

Nuk i di detajet e krisjes apo të debatit në distancë. Sa i përket lojtarit, ai është i rëndësishëm. Ka personalitet dhe ka cilësi. Por, të gjithë duhet të kuptojmë se çelësi i suksesit të një kombëtareje është që të gjithë të vihen në shërbim të grupit. Të sakrifikosh pak edhe nga egoja jote dhe të shërbesh me çfarë të mundësh për të arritur një objektiv. Kombëtarja është kombi yt dhe kur të thërret, duhet të dish të japësh më të mirën. Në Kombëtare nuk shkohet se paguhesh apo për përfitime. Shkohet për të dhënë kontributin tënd. Po flas në parim, e theksoj, sepse nuk e di çfarë ka ndodhur saktësisht. Por, mendoj gjithashtu se me një lojtar të tillë ndoshta do të ishte mirë që edhe trajneri apo stafi duhet të flasin kur marrin vendime të rëndësishme. Çdo lojtar aty është edhe një aset për skuadrën. Sot është mirë, ndihmon, nesër jo, por mund të kthehet sërish… Pra, mirë është që të gjenden disa ekuilibra mes të dyja palëve.

Stadiumit të ri iu vu emri “Air Albania Stadium”, por FSHF ka vendosur që t’u vendosë emër edhe tribunave. Ju do ta donit emrin në një tribunë? 

Jo, jo. E kam dëgjuar si ide, por jo. Nuk mendoj se kam qenë lojtar aq i madh sa për të merituar emrin e një tribune. Absolutisht jo. Ka të tjerë shumë të më të mëdhenj se unë.

lala

Po nëse do t’jua kërkonin juve që të zgjidhnit një emër, cilin do të zgjidhnit? 

Oh, kjo është shumë e vështirë. Ka shumë… Panajot Pano, Loro Boriçi, Sulejman Demollari… ka shumë, vërtet. E kam shumë të vështirë, sepse ne shqiptarët kemi edhe një problem tjetër: kur vjen puna për të zgjedhur, e duam autobusin për së gjeri… Duam të gjithë vendin e parë.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"