Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 7, 2014 | 12:10

VLLAZNIA-TIRANA KRYESOREKatër lojtarë janë në provë te Tirana. Përveç brazilianëve Leandro Matias Moris dhe Gilberto Fortunato, të pranishëm ishin edhe maliani Amadou Sidibe e francezi Amik Ciani (vëllai i futbollistit të Lacios, Mikael Ciani). Janë pikërisht këta lojtarët më të rinj që janë vënë në urdhrat e Gugash Maganit, bashkë me pjesën tjetër të grupit. I pari është organizator dhe së fundmi ka luajtur për Alto Acres në Brazil. Sa i përket Gilbertos, i cili luan si sulmues “pykë”, së fundi ka qenë në Vietnam, ku është aktivizuar te Hai Phong. Për të kaluar te Sidibe, që ka qenë pjesë e francezëve të Okserit, veçse pas 2008-ës nuk ka asnjë të dhënë për të. Sa i përket vëllait të lojtarit së Lacios, Amik Ciani së fundi ka luajtur për llogari të Doksas në kampionatin qipriot. Por, nga sa rezulton, ai nuk ka pasur hapësira gjatë pjesës së parë të këtij sezoni dhe e ka parë të udhës që të gjejë një tjetër ekip dhe po tenton pikërisht Tiranën.
Prova Të katërt lojtarët paraprakisht do të jenë nën vëzhgimin e stafit teknik dhe vetëm pas 2 ose 3 seancash stërvitore, trajneri i bardhebluve do të vendosë nëse do të qëndrojnë, apo do të kthehen andej nga erdhën. Ata mbërritën gjatë mesditës dhe nisën menjëherë përgatitjet. Bëhet fjalë për futbollistë që kanë luajtur në të shkuarën në nivele të larta, megjithatë aktualisht nuk kanë gjetur hapësira në ekipet ku militojnë. Dy nga lojtarët vijnë nga futbolli francez, madje njëri prej tyre ka luajtur me Okser. Stafi është duke parë mundësinë e qëndrimit të tyre, por me shumë gjasa francezi dhe maliani nuk do të qëndrojnë, edhe pse fjala e fundit i takon pikërisht teknikut peqinas. Pritshmëritë më të mëdha janë për dy brazilianët, të cilët do të vazhdojnë dhe për disa ditë provën. Nga sa mësohet, stafi teknik, pasi ka i parë në DVD, ka mbetur i kënaqur. Megjithatë, vetëm pasi të shihen më nga afër, do të përcaktohet diçka më konkrete, nëse do të federohen për llogari të Tiranës apo jo.

MaganiMagani: Për merkaton vendos vetëm unë
Gugash Magani beson te mbijetesa. Ai shfaq bindjen se skuadra e tij me 6 ndërhyrje të tjera në merkato do ia dalë, e madje nuk i trembet asnjë rivali. Në një intervistë të dhënë për mediat para seancës së parë për 2014-ën, ai analizon afrimet e fundit dhe ato që priten. Dhe nuk nguron të sqarojë disa dilema sa i përket largimeve, apo pritshmërive të tij për pjesën e mbetur të sezonit.
Tirana nis përgatitjet, si e sheh Magani këtë grup prej 24 lojtarësh?
Nisëm zyrtarisht përgatitjet për pjesën e dytë të kampionatit. Mendoj që gjatë kësaj kohe përkushtimi ynë për të zgjedhur lojtarët e duhur në merkato ka qenë maksimal. Sikundër e kemi deklaruar edhe më parë, ne synojmë që të afrojmë kualitet, sepse do i bënte punë skuadrës. Dhe i parë është pa dyshim Ilion Lika, vlerat e të cilit njihen tashmë.
Veç Likës shohim edhe 4 të huaj…
Po, kanë ardhur katër të huaj, por deri të enjten do të vijnë edhe tre të tjerë nga kampionati ynë.
Po këta që kanë ardhur, janë pjesë e Tiranës zyrtarisht?
Jo, do shihen disa ditë, jo më shumë se tri, dhe më pas do vendoset. Dhe për çdo lojtar që shkel te Tirana, do të vendos vetëm unë. Ne i kemi parë këta me anë të DVD-ve, madje dy prej tyre kanë CV të pasur, por duhen parë edhe nga afër. Por mendoj se dy prej këtyre do qëndrojnë, me aq sa kam parë.
Ju thatë që te Tirana nuk do të kishte më prova pas 6 janarit...
Dhe do e ripërsëris. Ua kam thënë donatorëve se kushti im i parë lidhet pikërisht me këtë pjesë: te Tirana nuk do ketë prova, pasi nuk kemi mundësi. Por këtu përjashtoj të huajt, pasi ata duhen parë nga afër. Vetëm në verë e ke luksin që të provosh elementë të ndryshëm, tashmë kemi objektiva krejt të ndryshme.
Po nga tregu shqiptar mund të na zbuloni ndonjë emër?
Jo, pasi nuk ka asgjë zyrtare dhe nuk dua të dalim blof. Jemi në tratativa, shumë kanë dëshirë të vijnë, por kanë probleme me ekipet e veta, pasi janë nën kontratë.
Me kaq lojtarë sa janë aktualisht dhe me ata që prisni, besoni se Tirana do mbijetojë?
Nuk dua të bëj parashikuesin, por Tirana do mbijetojë, 50 për qind falë fanellës dhe 50 të tjera falë asaj që ne do të japim në fushë dhe nga puna jona. Ne do bëjmë më të mirën, dhe do flasim në fushë e jo në media.
Po për fazën përgatitore keni vendosur gjë?
Nëse deri ditën e enjte do kompletohemi, atëherë ne do të shkojmë 10 ditë jashtë vendit. Në të kundërt, do shkojmë në Durrës.
Largime të tjera do ketë?
Po edhe tre, nga këta që ishin sot (dje).
Kundërshtarët tuaj si Kastrioti dhe Besa janë aktivë në merkato, ju tremb kjo gjë?
Çdo skuadër forcohet në merkato, por ndryshimet jo gjithnjë janë efikase. Çdo ekip ka objektivat e veta, por ne jemi më të avantazhuar se kundërshtarët.
Sa afrime do të ketë në total?
Nëse këta të katër bindin, do afrojmë edhe dy shqiptarë.

Ilion Lika ne porteIlion Lika del në stërvitje, nga Tirana largohen edhe tre
Ilion Lika del në stërvitje, nga Tirana largohen edhe tre Afrime dhe largime, ka qenë kjo panorama e Tiranës që u pa dje në fushë. Bardheblutë nisën zyrtarisht përgatitjet për 2014-ën, teksa në orën 14:00 zhvilluan edhe seancën e parë përgatitore pas pushimeve 9-ditore. Të pranishëm ishin 24 lojtarë, 5 prej të cilëve të afruar rishtas. Ilion Lika ishte i pari që ra në sy, i rikthyer në “shtëpi” pas një shkëputje pak mujore. Portieri është tashmë blerja e parë zyrtare e bardhebluve, ndonëse i ka mbetur vetëm të hedhë firmën mbi kontratë. Burime pranë kryeqytetasve zbulojnë se lojtari do të nënshkruajë një marrëveshje 6-mujore, por me mundësi rinovimi. Kujtojmë që Lika shpalli “divorcin” me Tiranën pas mosmarrëveshjeve me ishtrajnerin Nevil Dede. Ardhja në drejtim e dyshes Halili- Morina dhe largimi i Dedes konkretizoi edhe rikthimin në “shtëpi” të gardianit. Sakaq, edhe katër të huajt ishin fytyra të reja, ndonëse për ta historia ndryshon, duke qenë se do të jenë në provë për pak ditë. Por veç prurjeve, kishte edhe largime. Nisur nga mungesat, numri i firmave shkon në 10. Veç Bledar Vashakut, Ervis Çaços, Milan Jovanoviç, Hoze Semedos, Vedran Gerc, Jurgen Mumajesit, nuk ishin të pranishëm as Xhino Sejdo, Denis Kurti dhe Ilir Kastrati. Që të gjithë këta zyrtarisht nuk do të jenë më pjesë e bardhebluve, pasi nuk janë më në planet e stafit teknik për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Çështje më vete është Roland Peqini, lojtar i dëmtuar, i cili fillimisht duhet të zgjidhë çështjen kontraktuale me klubin. Por edhe ai momentalisht bën pjesë te lista e të larguarve. Megjithatë, asgjë nuk do të mbyllet me kaq, pasi nga 19 të pranishmit dje në stërvitje, pa përfshirë këtu afrimet e fundit, do të largohen edhe tre. Pra, spastrimet nuk do të mbyllen me kaq, gjë që e konfirmoi vetë trajneri. I vetmi që ka munguar me leje është Afrim Taku, i cili ndodhet në Amerikë.

Halili dhe Babasi prezantohen te TiranaFIFA, Tirana rrezikon prej borxheve
Tirana është në rrezik konstant prej borxheve. Deri më tani FIFA nuk ka krijuar ndonjë presion të madh ndaj bardhebluve, por tashmë “rripi” po shtrëngohet gjithnjë e më shumë dhe për kryeqytetasit situata nuk është aspak e mirë në këtë drejtim. Lista e debiteve është tepër e gjatë dhe bilanci mund të quhet pa dyshim i frikshëm, duke qenë se për vite të tëra nuk janë shlyer detyrimet për disa ish-lojtarë, të gjithë të huaj. Ndërkombëtarët i kanë paralajmëruar kryeqytetasit se duhet t’i shlyejnë sa më shpejt të jetë e mundur këta futbollistë, në të kundërt, rrezikojnë heqje pikësh. Por, jo vetëm kaq, pasi edhe mund të bien nga kategoria. Përpjekjet e bardhebluve për të qëndruar në elitë sa vijnë edhe shtohen, por edhe nëse ia dalin, për të shmangur një vendim drastik që mund të japë FIFA, ata paraprakisht duhet të paguajnë lojtarë si Gvozdenoviç, Pejiç, Zizoviç, Heples, apo edhe klubin hungarez të Debrecenit. Për t’u theksuar është fakti që në krye të kësaj skuadre janë po të njëjtët persona që drejtonin kur te Tirana luanin këta ish-lojtarë, që tashmë kanë fituar gjyqe për rroga të pamarra apo kontrata të parespektuara. Duke filluar nga Halili, apo edhe anëtarët e bordit me Fortuzin në krye. I vetmi ndoshta që mungon, është pikërisht Rauf Dimraj, ish-shef klubi i bardhebluve. Në kushte të tilla, Tirana e ka “lakun në fyt” dhe është e detyruar sa më shpejt t’i shlyejë këto borxhe, pasi vendimi i FIFA-s këtë herë nuk do të vonojë. Donatorët e afruar aktualisht te Tirana nuk marrin përsipër shlyerjen e këtyre borxheve, ndaj i mbetet bashkisë, si pronare e vetme e klubit, që t’i mbulojë këto fatura.

Tirana e do me ngulm, Mihani s’del në stërvitje me Lushnjën
Tirana kërkon me ngulm Meglid Mihanin. Mesfushori i Lushnjës vazhdon të jetë në planet e bardhebluve. Ai preferohet prej stafit teknik dhe atij drejtues, ndaj po bëhet e pamundura për ta marrë. Kavajasi mësohet se ka vijuar edhe dje bisedimet, madje është futur edhe në detaje. Fakti që në Lushnjë e ardhmja është e pasigurt si pasojë e mungesës së financave, ka bërë që disa lojtarë të mendojnë largimin. Një prej tyre është pikërisht mesfushori. Ai ua ka bërë të qartë drejtuesve lushnjarë një gjë të tillë, madje dje nuk ka dalë në stërvitje. Por nga ana e Lushnjës nuk tërhiqen, teksa i kërkojnë që të respektojë kontratën. Ky futbollist, i cili spikat për lojën e tij dhe sidomos për goditjet nga distanca, konsiderohet një alternativë e mirë për ekipin e Maganit. Gjithsesi, vetëm në vazhdim do të ketë diçka konkrete në këtë drejtim.

Durrës apo Turqi, për fazën vendoset të enjten
Në Durrës apo Turqi, gjithçka do të përcaktohet të enjten. Dëshira e bardhebluve është që fazën ta zhvillojnë jashtë vendit, por gjithçka varet prej ecurisë së merkatos. Është pikërisht ky kushti që Tirana i ka vënë vetes në këtë drejtim, grupi kompletohet deri të mërkurën, një ditë më vonë do të konfirmohet edhe axhenda. Nëse deri më datën 9 skuadra do të jetë përforcuar, atëherë do të niset, në të kundërt do e zhvillojë në Shqipëri. Pritet që zyrtarizimet e radhës për Tiranën të ndodhin brenda javës së dytë të vitit, kur mendohet që drejtuesit mund të konfirmojnë edhe blerjet e radhës.
ADELA MERKO
beric- tahiriVllaznia, vijnë tre lojtarë në provë
Vllaznia ka startuar dje seancën e parë stërvitore për vitin e ri 2014. Ajo çka binte në sy ishte prania e tre lojtarëve të mbërritur për provë te shkodranët. Bëhet fjalë për një mbrojtës boshnjak me pasaportë sllovene, Aleksandar Beriç; një mesfushor serb, Ivan Kurtusiç; si dhe një mesfushor kosovar, të ardhur nga ekipi i Drenicës, Hysen Tahiri. Të tre këta kanë mbërritur dje në Shkodër dhe do të vijojnë për një periudhë të shkurtër kohore provën te kjo skuadër. Nga sa mësohet, këta futbollistë nuk do të jenë të fundit, pasi të tjerë pritet të provohen te shkodranët.
Karriera Slloveni Aleksandër Beriç është një lojtar që luan në qendër të mbrojtjes. I datëlindjes 01.04.1988, ai ka një shtatlartësi të admirueshme, 1.96 cm. Më parë, Beriç është aktivizuar me ekipin e NK Zagorje dhe më pas është aktivizuar në Slloveni me ekipin e FK Drina Zvornik, si dhe me Rudar Trbovlje. Ekipi i fundit ku është aktivizuar është ai i FC Moss në Norvegji. Lojtari tjetër, serbi Ivan Kurtusiç, i cili luan në qendër të mesit të fushës, në rolin e një mesfushori shkatërrues, është i datëlindjes 28.04.1984. Ai ka qenë pjesë e shumë ekipeve si në Serbi, ashtu edhe jashtë saj. Kurtusiç është aktivizuar me ekipe si Vojvodina, Sardit Smederevo, Bastia, Borac Banja Luka, Obiliç, Pobeda Prilep, Sinxheliç, OFK Mlladenovac, Massaxiok, teksa ekipi i fundit që është aktivizuar është ai maltez i Gudja United FC. Mesfushori në skuadrat ku ka luajtur njihet edhe si njohës i mirë i golit. Madje ai ka qënë në të kaluarën edhe pjesë e kombëtares së Serbisë, ku është aktivuzuar në 10 ndeshje. Ndërkaq, lojtari i tretë i afruar për provë është kosovari Tahiri, i cili më parë është aktivizuar me Drenicën. Bëhet fjalë për një lojtar që luan mjaft mirë në të dy krahët e mesit të fushës. Të tre këta do të testohen nga trajneri Agim Canaj, i cili do të vendosë më pas nëse do të jenë apo jo pjesë e kësaj skuadre për pjesën e mbetur të kampionatit.
Largimet Në stërvitjen e parë për këtë vit nuk kanë rënë në sy vetëm lojtarët e afruar për provë, por edhe mungesa e mbrojtësit shtatlartë Klodian Semina. Ajo ka qenë disi e paralajmëruar, pasi lojtari ka kërkuar që të kalojë disa ditë prove në një skuadër jashtë Superiores. Ndërsa pjesa tjetër, duke filluar nga portieri Vujadinoviç, e duke përfunduar te kroati i shumëpërfolur për t’u larguar Tomisllav Bushiç, kanë qenë pjesë e kësaj seance të parë stërvitore të kuqebluve. Madje, në këtë seancë nuk ka munguar as mesfushori Behar Ramadani, i cili ashtu si edhe Semina ka kërkuar që të largohet nga skuadra shkodrane për arsye të mosaktivizimit të tij në pjesën e parë të sezonit. Megjithatë, numri një i pankinës kuqeblu nuk do të vendosë për asnjë largim nga skuadra e tij pa parë fillimisht atë që drejtuesit do të afrojnë. Sipas vetë teknikut, Vllaznia ende s’e ka luksin të largojë lojtarë. Kësisoj, drejtuesit e klubit do të shikojnë dhe do të vendosin më pas për rastin e Ramadanit.

Canaj prezantohet te VllazniaCanaj, apel klubit për Beqirin: Të ruajmë grupin!
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, në daljen e tij të parë përpara mediave për vitin 2014 ka bërë të ditur se te skuadra që ai drejton po punohet që të ruhet i paprekur, në radhë të parë, grupi dhe më pas të shikohet edhe për afrime cilësore. Tekniku e ka vënë theksin te puna që do të bëhet në përzgjedhjen e lojtarëve të ardhur dhe do të vijnë për provë. “Në radhë të parë, ne duhet të bëjmë të pamundurën që të ruajmë grupin aktual që kemi në dispozicion. Nuk kemi komoditetin të bëjmë largime në këtë periudhë, por vetëm përforcime, pasi kampionati është i gjatë. Sa u përket afrimeve, duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura. Lojtarët që do të vijnë duhet të bëjnë diferencën nga aktualët për ato pozicione që do të merren. Ne do të bëjmë me kujdes përzgjedhjet dhe do të vendosim sa më shpejt për lojtarët që do të mbajmë”, – ka thënë Canaj. Më tej, tekniku ka folur edhe për domosdoshmërinë e kapitenit Beqiri te Vllaznia. Problemet financiare të lojtarit me klubin kanë bërë që ai të jetë i pakënaqur. “Beqiri është një lojtar i dobishëm për ekipin tonë. Problemet që ai ka me klubin nuk kanë vend që të diskutohen prej meje. Unë shpresoj që gjërat të zgjidhen dhe Beqiri të jetë pjesë e Vllaznisë”, – ka përfunduar Canaj.

Faza përgatitore, vendi mbetet pezull
Vllaznia ende nuk e ka përcaktuar se ku do ta zhvillojë fazën përgatitore. Drejtuesit e klubit shkodran po shikojnë si mundësi Ulqinin, që do të ishte një gjë e mirë edhe sipas teknikut Agim Canaj. Megjithatë, kushtet financiare ku ndodhet Vllaznia mund të bëjnë që kuqeblutë ta zhvillojnë atë në Shkodër. “Unë kam shprehur mendimin tim sa i përket vendit ku edhe mund ta zhvillojmë fazën përgatitore. Megjithatë kjo ende nuk është vendosur, pasi drejtuesit do të shikojnë problemet në aspektin financiar. Gjithsesi, edhe nëse e zhvillojmë në Shkodër, mendoj se ekipi do të marrë gjithë ngarkesën e duhur për ta përballuar këtë pjesë të dytë të sezonit”, – shprehet tekniku Agim Canaj.
ADMIR URUÇI






www.minuta90.com