ZYRTARE/ Rokadë me Zekiç? Partizani ka një alternativë më shumë, shfaqet në horizont emri i ish-it të Serisë A për të kuqtë
Partizani është në kërkim të një trajneri të ri dhe të kuqtë janë plotësisht të fokusuar vetëm te tregu i huaj për momentin, duke kërkuar një emër që të nisë nga e para një projekt fitues në klub.

Emri që tërheq drejtuesit është ai i Zoran Zekiç, i cili ka lënë mbresa të mira për punën që ka bërë në këtë ekip në të kaluarën. Ai duket i destinuar të përfundojë në pankinën e një klubit tjetër, por duke i hapur rrugë një trajneri kroat të cilin të kuqtë e kishin menduar si opsion më përpara.
Klubi i Sarajevës, ku pritet të firmosë Zekiç në ditët në vijim, ka bërë zyrtare ndarjen e rrugëve me teknikun që drejtoi ekipin në muajt e fundit, kroatin Mario Cvitanoviç. Ish-mbrojtësi kroat, me një të kaluar për shumë vite në Serinë A, është bërë një emër i njohur në futbollin ballkanas edhe si trajner, duke drejtuar klube të njohura mes të cilave edhe Dinamon e Zagrebit.
Në të kaluarën, ai ka qenë një prej alternativave që të kuqtë kanë shqyrtuar për pankinën e tyre dhe tashmë fakti që mbetet pa ekip, si dhe që Zekiç do të sistemohet në një klub tjetër, mund të “ringjallë dashurinë” e tyre për Cvitanoviç. Në ditët në vijim priten më shumë zhvillime te të kuqtë sa i përket çështjes së trajnerit, pasi kryeqytetasit duan të gjejnë sa më parë emrin e ri për drejtimin skuadrës, në mënyrë që më pas të fokusohen bashkë me të te rindërtimi i ekipit.
PANORAMASPORT.AL













