ZYRTARE/ Flamurtari godet përsëri, firmos një qendërmbrojtës nga Superliga greke
Klubi i Flamurtarit vazhdon të jetë një ndër më aktivët në merkato, duke bërë afrime të njëpasnjëshme për të përforcuar radhët për sezonin e kthimit në Superiore.

Vlonjatët kanë zyrtarizuar sot një tjetër emër, duke prezantuar qendërmbrojtësin grek, Dimitrios Çantakias. Ky i fundit, ka eksperiencë në kampionatin grek, por edhe atë të Bullgarisë e Azerbajxhanit ku ka luajtur gjatë karrierës së tij. 30-vjeçari së fundmi ka qenë pjesë e Lamias në Superligën greke, klub nga i cili është larguar si futbollist i lirë.
“Dimitrios Çantakias është zyrtarisht futbollist i Flamurtari Football Club . Vjen pas eksperiencave si futbollist në ekipet e Panetolikos GFS, AS Fokikos Amfissas, AO Kerkyraikos, PAS Lamia 1964 (Greqi), Cherno More Varna (Bullgari), Zira FC (Azerbajxhan). Mirë se vjen në familjen e madhe Kuqezi të Flamurtari F.C”, shkruhej në njoftimin e klubit.
PANORAMASPORT.AL













