Zuna beson te mbijetesa: Vora e ka kontingjentin për të mundur Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2026 | 17:26

Zuna beson te mbijetesa: Vora e ka kontingjentin për të mundur Teutën

Vetëm dy seanca stërvitore e ndajmë, tashmë Vorën deri të dielën, për të qenë të gatshëm për një tjetër provë force në kampionat, teksa do të presë në stadiumin e Vorës, Teutën e Durrësit, në ora 15:00. Humbja 0-3 me Tiranën është lënë pas, që pas ndërprerjes së kampionatit dhe vëmëndja gjatë gjithë kësaj jave është e përqendruar, vetëm te takimi ndaj Teutës.

zuna

UDHËZIMET E TRAJNERIT BELLAI – Në këto përpjekjet e fundit edhe trajneri Bellai, duket disi më i qetë, pasi do të ketë të gatshëm në dispozicion pothuajse të gjithë grupin e lojtarëve. Asnjëherë gjatë 29 javëve të këtij sezoni të parë në superiore, trajneri gjirokastrit, nuk e ka pasur skuadrën kaq të kompletuar sa para këtij takimi. Ai gjithmonë ka qenë i kufizuar në përzgjedhjet e ndërtimit të një formacioni sipas dëshirës së tij.

Kjo e bën skuadrën vorake, që këtë herë të jetë, sa më pranë objektivit dhe synimit për të marrë sa më shumë nga ky takim kundër durrsakëve. Por, gjithsesi trajneri Bellai në udhëzimet e tij kërkon që ekipi të jetë sa më i qetë, ku të mos vlojë euforia, pasi kundërshtari i radhës është një ekip i fortë dhe mjaft i vështirë për tu mundur. Por, gjithsesi duhet kërkuar një rezultat pozitiv që të mund të rrisë ndjeshëm edhe moralin e skuadrës në ndeshjet e ardhshme. Prandaj në këtë ndeshje, ka më shumë rëndësi rezultati se sa mbarëvajtja e lojës së skuadrës.

PRONONCIMI – Lidhur me takimin kundër Teutës foli mbrojtësi i djathtë Vorës, që do të rikthehet në këtë takim, pas dëmtimeve të vazhdueshme ndeshje pas ndeshje, 22- vjeçari kryeqytetas, Henri Zuna. Është aktivizuar 23 ndeshje dhe një gol i shënuar gjatë këtij sezoni, tregojnë qartë se karakteri i këtij lojtari është në rritje. “Si për mua dhe për shokët e mi, synimi dhe objektivi në këtë ndeshje është i qartë, dëshirojmë që ta fitojmë këtë ndeshje. Është një ndeshje vendimtare, që na qartëson edhe më shumë për bindjen tonë në luftën për mbijetesën. Nuk ka rëndësi se si do të jetë fitorja, e rëndësishme është që ne të marrim tri pikët”, shprehet fillimisht Zuna.

Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore ai shprehet se është gati. “Tashmë ndjehem mirë dhe jam plotësisht i gatshëm për këtë sfidë, madje edhe prova kundër Korabit në miqësoren e të dielës së kaluar tregoi se gjendja ime ishte në përmirësim dhe tashmë e kam kaluar me sukses rikuperimin. Në skuadër nuk mjafton vetëm shpirti luftarak për të marrë një rezultat pozitiv, por duhet të ketë edhe gjendjen e shëndoshë të lojtarëve. Kjo tashmë duket se është bërë një ogur i mirë për ne, duke shtuar moralin e skuadrës për të gjitha ndeshjet e mbetura. Gjendja e mirë e lojtarëve, mentaliteti i tyre i mirë teknik dhe të pasurit në dispozicion lojtarët më cilësorë të gatshëm për çdo ndeshje, tregon se skuadra do të mund të mbijetojë pa kaluar në ndeshjet shtesë”, ka përfunduar prononcimin e tij, Henri Zuna.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL