Zharmuni, jashtë forme/ Katër lojtarë, me nga 3 kartonë. Ja situata te Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2025 | 23:41

Zharmuni, jashtë forme/ Katër lojtarë, me nga 3 kartonë. Ja situata te Tirana

Ualid Zharmuni është një nga shqetësimet e bardhebluve. Lojtari, pas operacionit në sy u bashkua me bardheblutë vetëm në fillim të janarit. Gjatë kësaj kohe ai nuk është stërvitur për shkak të problemeve me shikimin.

Zharmuni

Në kthim, futbollisti ka qenë shumë pas në përgatitje dhe kjo është vënë re nga stafi mjekësor. Edhe në tre takimet e luajtura në 2025- ën, një miqësore dhe dy sfidat zyrtare me Vllazninë dhe Bylisin, francezi është ruajtur nga stafi teknik që të mos dëmtohet. Sulmuesi po punon ekstra për të qenë gati e të luajë një takim 90 minuta.

Kujtojmë që futbollisti, i cili ka shënuar edhe pesë gola me fanellën e 26 herë kampionëve braktisi bardheblutë në sfidën më të rëndësishme të 2024-ës, atë me Laçin, për shkak të një problemi me shikimin. Ai u operua dhe në janar 2025 u kthye në skuadër, madje duke u stërvitur me syze speciale. Zharmuni me 5 golat, por të shënuara në 1271 minuta, gjatë 16 ndeshjeve është bomberi i bardhebluve. Francezi shënon çdo 254 minuta.

Tirana do të ketë një shqetësim plus në sfidën me Egnatian. Bëhet fjalë për katër lojtarë titullarë. Ata janë Ndreca, Prengaj, Gjumsi dhe Përgjoni. Të tre janë me nga 3 kartonë të verdhë dhe nëse ndëshkohen edhe në sfidën me Egnatian, do të plotësojnë numrin 4 të ndëshkimeve. Kjo do të thotë se do të mungojnë në ndeshjen ndaj Bylisit për javën e 22-të.

PANORAMASPORT.AL