Yamaha vjen me revolucion në Moto GP, zbulon projektin e parë me motorin V4
Yamaha nis një epokë të re në Moto GP, një ndryshim që përfaqëson një revolucion të vërtetë, pasi ka prezantuar prototipin e saj të parë me motor V4, katër cilindra në formë V, duke braktisur motorin klasik me katër cilindra në linjë. Ky vendim vjen për t’u barazuar me markat e tjera dhe për të rifituar konkurrueshmërinë, sidomos pas faktit që në vitin 2025 Yamaha përfundoi e fundit në Kampionatin Botëror të Konstruktorëve.

Fabio Kuartararo dhe Aleks Rins do të kenë detyrën e vështirë të zhvillimit të motorit, arritjes së rezultateve dhe përcaktimit të së ardhmes së tyre drejt vitit 2027, ku gjithçka do të ndryshojë. “Më afër, xhiro pas xhiroje”, ishte slogani i eventit të zhvilluar në Xhakarta të Indonezisë.
Të parët që dolën në skenë ishin Paolo Pavesio, koordinator i projektit, dhe Takahiro Sumi, drejtor i përgjithshëm i Yamaha Racing. “Viti 2025 ishte një sezon tranzicioni për ta çuar M1 drejt një epoke të re. Për vitin 2026, mund të fokusohemi plotësisht te V4.
Të nisësh një kapitull të ri është gjithmonë emocionuese, por duhet kujdes. Jemi të përqendruar në tre elementë: cilësinë e markës, shpejtësinë e motorit dhe ndërtimin e besimit. Këto do të na sjellin progres në pistë dhe rritje afatgjatë”, shpjegoi drejtuesi japonez. Botërori 2026 i Moto GP-së do të hapet në Tajlandë në fundjavën 27 shkurt – më 1 mars.
PANORAMASPORT.AL













