Xhixha-Tirana, gjithçka vendoset brenda 2-3 ditëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2026 | 23:20

Xhixha-Tirana, gjithçka vendoset brenda 2-3 ditëve

Redon Xhixha dhe Tirana, firma pritet brenda 2-3 ditëve. Burime pranë lojtarit Redon Xhixha bëjnë me dije se ai dhe Tirana kanë pasur bisedime intensive për transferimin e tij, dhe brenda 2-3 ditëve të ardhshme pritet të merret vendimi përfundimtar.

xhixha

Palët kanë gjetur një dakordësi të përgjithshme, por një detaj i vogël administrativ mbetet pengesë për finalizimin e marrëveshjes. Sipas burimeve, ky është një hap normal në procedurat e merkatos, dhe asgjë nuk pengon që Xhixha të bashkohet me bardheblutë, duke qenë se të dyja palët dëshirojnë realizimin e transferimit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, 22-vjeçari mund të jetë pjesë e ekipit për fillimin e pjesës së dytë të sezonit, duke sjellë alternativa të reja në repartin sulmues dhe forcë më të madhe për trajnerin Ardijan Nuhiu. Edhe burime në klub konfirmojmë marrëveshjen paraprake, por presin firmën në 2-3 ditët e ardhshme.

Nëse gjithçka mbyllet sipas planit, Xhixha do të rikthehet në kryeqytet pas afro tri vitesh. Sulmuesi u largua nga Tirana në janarin e vitit 2023, duke vijuar karrierën në Azerbajxhan te Karabaku, ku pati një eksperiencë të rëndësishme në aspektin profesional. Më pas, ai firmosi me CR Belouizdad, ekip me të cilin ka zhvilluar 5 ndeshje dhe ka grumbulluar 117 minuta lojë. Rikthimi i Xhixhës shihet si një lëvizje strategjike nga drejtuesit bardheblu, të cilët synojnë të forcojnë repartin ofensiv për gjysmën e dytë të sezonit. Njohja e ambientit, tifozëve dhe presioni i fanellës së Tiranës janë elementë që pritet ta ndihmojnë sulmuesin të integrohet shpejt në skuadër.

Në kampin bardheblu besohet se Xhixha mund të sjellë menjëherë alternativë dhe konkurrencë në fazën sulmuese, duke rritur potencialin ofensiv të ekipit. Një rikthim i tillë do të ishte jo vetëm një përforcim i rëndësishëm në fushë, por edhe një sinjal i qartë i ambicieve të Tiranës për të luftuar fort në pjesën e mbetur të kampionatit. Nëse vjen edhe Redon Xhixha, Tirana ndërton triadën më të fortë në sulm me Redonin, Ernestin dhe Tabekun.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL