EKSKLUZIVE/ Merkato e nxehtë për lojtarët e Kombëtares, Pilo siguron kontratën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 22:30

EKSKLUZIVE/ Merkato e nxehtë për lojtarët e Kombëtares, Pilo siguron kontratën

Panorama është krejtësisht ndryshe për Stavro Pilon. Mbrojtësi i majtë i Kombëtares shqiptare po kalon momentin më të mirë të karrierës së tij me fanellën e AEK-ut dhe drejtuesit e klubit grek duket se janë të vendosur ta blindojnë për vitet e ardhshme.

pilo

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë lojtarit se AEK ka nisur bisedimet me Pilon për zgjatjen e kontratës aktuale, e cila përfundon në verën e vitit 2027. Synimi i klubit është që bashkëpunimi të vazhdojë deri në vitin 2029, duke i ofruar mbrojtësit një marrëveshje të re që reflekton rritjen e rolit dhe rëndësisë së tij në skuadër.

Pilo iu bashkua AEK-ut në verën e vitit 2023 nga PAS Janina dhe gradualisht është shndërruar në një nga elementët më të besueshëm të formacionit verdhezi. Sezoni i fundit konsiderohet më i miri në karrierën e tij, teksa ai regjistroi 40 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke kontribuar me 6 asiste dhe duke grumbulluar plot 2880 minuta në fushë.

Në total, shqiptari ka zhvilluar 73 ndeshje me AEK-un, duke dhuruar 9 asiste dhe duke fituar besimin e stafit teknik dhe të drejtuesve të klubit. Pikërisht këto paraqitje kanë shtyrë palët të ulen në tryezë për të diskutuar një marrëveshje të re afatgjatë. Gjithçka tregon se rinovimi është në rrugën e duhur dhe se Pilo do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të AEK-ut edhe për shumë vite, duke konfirmuar statusin e tij si një nga futbollistët shqiptarë më të vlerësuar në kampionatin grek.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL