Përvojë dhe karizëm/ A do të jetë Alaba, “Modriçi i ri” i kuqezinjve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2026 | 21:42

Përvojë dhe karizëm/ A do të jetë Alaba, “Modriçi i ri” i kuqezinjve…

Midis idesë, sugjerimit dhe fantazisë. David Alaba dhe Milani mund të përfundojnë në të njëjtën rrugë. Austriaku, i bërë i madh te Bayern Munich dhe në pesë sezonet e fundit te Real Madrid, në prag të 34 viteve (do t’i mbushë në fund të qershorit), është gati të përjetojë një eksperiencë të re.

alaba

Lidhja me kuqezinjtë do të kalonte sigurisht nga Ralf Rangnjik, trajneri i tij në kombëtare, si dhe sponsori i tij i vërtetë. Dhe më pas, kush e di, nëse do të përfundonte vërtet në Milanelo, mund të kishte edhe mundësinë të realizonte një ëndërr, të luante në mesfushë.

SITUATA – David Alaba dhe Milani mund të përfaqësojnë një mundësi interesante për klubin kuqezi. Ai është në skadim kontrate me Real Madridin dhe mund të vijë me parametër zero. Në vitet e fundit ka pasur shpesh probleme fizike (ka humbur rreth 140 ndeshje në pesë sezonet spanjolle, kryesisht për shkak të dëmtimit të ligamentit të kryqëzuar, problemeve me meniskun dhe kontrakturave të ndryshme në pulpë), por cilësia dhe përvoja e tij janë të padiskutueshme (ka fituar 39 trofe, përfshirë 4 Champions League).

Me Rangnjik ka marrëdhënie të mirë, dhe Milani do ta merrte për të përforcuar mbrojtjen (ai ka luajtur si mbrojtës i majtë ose qendror), por me largimet e mundshme të Modriçit dhe Rabiotit, mund të realizohej edhe dëshira e tij për të luajtur më shumë në mesfushë. Në karrierë e ka bërë, është zona e tij e preferuar, edhe pse kryesisht është përdorur në mbrojtje.

“David është një mbrojtës i majtë, edhe pse as vetë nuk e ka kuptuar ende”, ka thënë Van Gaal, trajneri që e ka promovuar në nivele të larta. SPANJA – Që në vitin 2016, në rinovimin e fundit me Bajernin e Munihut, ai kishte marrë premtimin për të luajtur në mesfushë, por në fund gjithmonë është përdorur më mbrapa. Për këtë arsye vendosi, në vitin 2021, të largohej nga bavarezët.

Përveç Real Madridit, u përpoq ta merrte edhe PSG, por francezët nuk pranuan të nënshkruanin kushtin që ai të luante në mesfushë. Në Madrid fillimisht gjithçka shkoi shumë mirë. Në dy sezonet e para regjistroi 85 paraqitje. Më pas, në sezonin e tretë, pasi ishte ende titullar, pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar (dhjetor 2023) dhe që nga ajo kohë nuk ka kaluar më shumë se 16 paraqitje.

“Bajern është një nga klubet më të mëdha në botë dhe e njëjta gjë vlen për Real Madridin”, tha ai në një intervistë për “Kicker”. – “Por këtu gjithçka është edhe më e madhe. Ndihet një atmosferë e veçantë. Jam përshtatur mirë, flas spanjisht. Në çdo moment e ndjen madhështinë e klubit”.

KARAKTERI – Që në moshë të vogël Alaba ka pasur personalitet të fortë. Babai nga Nigeria dhe nëna nga Filipinet u transferuan në Vjenë para lindjes së tij për t’i dhënë më shumë mundësi. Në shkollë është bullizuar për ngjyrën e lëkurës, gjë që, sipas tij, e ka bërë më të fortë.

Në moshën 15-vjeçare luajti ndeshjen e parë me Austrinë e Vjenës, më pas kaloi te Bajerni ku, ende minoren, u dallua për karakterin e tij të fortë, duke i dhënë udhëzime taktike Riberisë, pa asnjë frikë. Madje përdorte edhe bilbilin për t’u dëgjuar dhe fitoi respektin e tij, duke u bërë miq të ngushtë.

JETA PRIVATE – I pëlqen të kalojë kohën me familjen dhe miqtë. Ata shpesh e vizitojnë pa paralajmërim. Rregulli i vetëm në shtëpinë e tij, të gjithë duhet të heqin këpucët. Ka një stil veshjeje të veçantë dhe e konsideron modën si formë shprehjeje. Lexon çdo ditë vargje nga Bibla dhe ka publikuar madje një video në “Facebook” ku lexon Psalmin 23.

Para ndeshjeve lexon pjesë nga Bibla gjatë rrugës për në stadium. Ka qenë edhe në pushime me pastorin Jan Kohler të kishës Hillsong në Mynih, pjesë e së cilës është edhe Xhustin Biber.

PANORAMASPORT.AL