Ylli i ekipit, Bajerni i dërgon mesazh të qartë Realit të Madridit për Olisen
Bajerni nuk e shet Olisen as në asnjë rrethanë, as për 150 milionë euro nga Reali i Madridit. Bajerni i Mynihut nuk ka ndërmend të lejoj largimin e yllit të tij, Majkëll Olise, drejt një klubi rival, madje as nëse Real Madrid paraqet një ofertë gjigante. Presidenti i Bajernit, Herbert Hainer, dërgoi një mesazh të qartë për presidentin e Realit, Florentino Pérez, duke deklaruar të dielën se Olise është “sigurisht i pashitshëm”.

Kjo vlen edhe nëse klubi spanjoll do të ofronte 150 milionë euro për 24 vjeçarin. Ditët e fundit kanë qarkulluar shumë spekulime rreth francezit. Sipas mediave spanjolle dhe angleze, Pérez synon të paraqesë një ofertë të tillë të martën, nëse rizgjidhet president i klubit. Nëse transferimi do të realizohej, Olise do të bëhej lojtari më i shtrenjtë në historinë e Real Madridit. Megjithatë, Pérez kishte folur në mënyrë të përgjithshme, duke thënë vetëm se do të investonte 150 milionë euro për një titullar të një klubi të Ligës së Kampionëve. Emri i Olises nuk u përmend.
Më pas, mediat, si dhe eksperti i transferimeve Fabricio Romano, raportuan se objektivi në fjalë ishte pikërisht futbollisti i Bajernit. Është e qartë se Olise luan një rol qendror në planet e klubit bavarez. Presidenti i nderit i Bajernit, Uli Hoenes, e ka shpallur disa herë anësorin francez si të pashitshëm. “Ai mund ta shikoj Olisen me pesë sy, por nuk do ta marrë,” kishte deklaruar Hoenes në maj, duke iu referuar Hosé Murinjos, i cili sipas raportimeve është rikthyer për herë të dytë në krye të klubit madrilen.
Olise iu bashkua Bajernit në verën e vitit 2024 nga Kristal Palas për rreth 50 milionë euro. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2029 dhe nuk përmban klauzolë largimi. Që nga transferimi i tij në Mynih, francezi ka regjistruar statistika mbresëlënëse: 42 gola dhe 54 asistime në 107 ndeshje zyrtare, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Bajernit.
PANORAMASPORT.AL













